Kupola e Shën Pjetrit në Vatikan Kupola e Shën Pjetrit në Vatikan

SHBA-të njohin normat financiare vatikanase për verifikimin e klientëve

Në faqen e internetit të Internal Revenue Service, Selia e Shenjtë dhe Shtet-Qyteti i Vatikanit janë renditur tashmë ndërmjet juridiksioneve ekuivalente, përsa i përket sigurisë financiare dhe verifikimit të klientëve

R.SH. - Vatikan

Ligjet e Shtet-Qytetit të Vatikanit dhe të Selisë së Shenjtë, të cilat vitet e fundit kanë përforcuar transparencën dhe mbikëqyrjen në çështjet financiare, vazhdojnë të vlerësohen në arenën ndërkombëtare. Internal Revenue Service, shërbimi për të ardhurat i qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është përgjegjës për mbledhjen e taksave federale, i njohu publikisht këto ligje ditët e fundit. Vatikani tani renditet ndërmjet juridiksioneve, që i kanë rregullat e verifikimit të sigurisë financiare në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Pra, Uashingtoni e konsideron normativën e Vatikanit për verifikimin e klientëve si ekuivalente me atë amerikane.

Në dokumentin e veçantë, që i kushtohet Selisë së Shenjtë dhe Shtet-Qytetit të Vatikanit përmenden qartë ligjet dhe rregulloret për mbledhjen e informacionit të nevojshëm, që konfirmon pa hijen e dyshimit, identitetin e njerëzve, të cilët kanë llogari bankare në Vatikan. Ato janë: Ligji Nr. XVIII i 8 tetorit 2013, ndryshuar me Ligjin Nr. CCXLVII të datës 19 qershor 2018 dhe me Dekretin nr. CCCLXXII të 9 tetorit 2020 (“Ligji i Transparencës”); neni 421 bis i Kodit Penal, i ndryshuar nga neni 5 i Dekretit CCCXXIX të 1 tetorit 2019 për pastrimin e parave dhe nga Rregullorja nr. 4 e Autoritetit të Mbikëqyrjes dhe të Informacionit Financiar.

03 qershor 2021, 10:54