Santi Quirico e Giulitta, sec. XIV Santi Quirico e Giulitta, sec. XIV

Më 16 qershor kalendari kujton shenjtorët Julita e Kuiriku, nënë e bir, martirë

Julita e Kuiriku, nënë e bir, janë dy figura që lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën. Kuiriku është një ndër fëmijët e pafajshëm që mbyti Herodi në Betlehem, duke dashur të zhdukte Krishtin Fëmijë. Julita (Gjulita), grua e pasur dhe fisnike, ishte me prejardhje nga Cezarea e Kapadokisë, vdiq martire rreth vitit 304.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar sot më 16 qershor përkujton shën Julitën e shën Kuirikun martirë.  Judita e Kuiriku, nënë e bir, janë dy figura që lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën.

Julita (Gjulita), grua e pasur dhe fisnike, ishte me prejardhje nga Cezarea e Kapadokisë, vdiq martire po në këtë vend rreth vitit 304. Perandorët Diokleciani e Maksimiani patën botuar një edikt me të cilin të krishterëve u mohohej çfarëdolloj mbrojtjeje ligjore. Një njeri i pashpirt nga Cesarea përfitoi, duke i uzurpuar Juditës pjesën më të madhe të pasurisë së saj. Kjo ngriti një kauzë formale kundër uzurpatorit, por njeriu i shkathtë protestoi se ajo nuk mund të reagonte në mënyrë ligjore, sepse ishte e krishterë, e këndej ligji nuk lejonte asnjë nismë ligjore kujtdo që refuzonte adhurimin e hyjnive të perandorisë.

Gjykatësi në përkim me ediktit deklaronte, natyrisht, se Julita do të kishte përfituar nga mbrojtja e ligjit, vetëm e vetëm duke u kushtuar flijime hyjnive. Mirëpo Julita, për të qëndruar besnike në fenë e saj, u deklarua e gatshme dhe e vendosur të hiqte dorë nga gjithçka, edhe nga vet jeta. Para këtij rrëfimi të fortë të fesë në Krishtin, gjykatësi menjëherë ia mohoi Julitës çfarëdo mbrojtje ligjore e madje e mori në pyetje mbi fenë e krishterë e për te filloi udha e persekutimit të tmerrshëm.

Kuiriku është një ndër fëmijët e pafajshëm që mbyti Herodi në Betlehem, duke dashur të zhdukte Krishtin Fëmijë. Kur nisi masakra kundër foshnjave të pafajshme me urdhër të Herdoit, Julita, vejushë e re, e bukur dhe shumë e pasur, për ta shpëtuar të birin e vetëm që kishte, Kuirikun, iku nga Betlehemi. Por u kap në afërsi të Tarsit dhe iu nënshtrua torturave më mizore, për shkak të fesë në Krishtin Zot, të cilin ajo nuk e mohoi kurrë.

Për këtë kriminelët herodianë përdoren të birin: e kapën foshnjën nga njëra këmbë dhe e mbajtën pezull, në pritje që e ëma të mohonte fenë e krishterë. Por me që ajo vijoi ta pohonte fenë në Krishtin pa asnjë lëkundje, e lëshuan foshnjën, që ra përdhé tek këmbët e Juditës, me kokë të copëtuar. Trutë e birit të vetëm spërkatën petkat e nënës, së cilës më pas iu pré koka. Ngjarja ndodhi rreth vitit 304 pas Krishtit.

Kuiriku është një nga martirët më të njohur të lashtësisë së krishterë, kulti i të cilit u përhap kudo. E dëshmojnë këtë Kishat që iu kushtuan në Siri, Palestinë, Ponto, Itali, Francë, Spanjë e në vise tjera. Devocioni për nënën dhe birin është shumë i përhapur në Kishat sllave të traditës bizantine. Ikonografia i paraqet gjithnjë së bashku.

Po kujtojmë referimin ungjillor që njofton rreth vrasjes së fëmijëve të pafajshëm nga Herodi, sipas njoftimit të Ungjillit të Shën Mateut, në kreun 2,16-18: “Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e mashtruan, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë . sipas kohës që me kujdes e mori vesh nga Dijetarët. Atëherë u plotësua fjala e Jeremisë profetit që thotë:
``Në Ramë u dëgjua një klithmë, vaj e gjëmë e madhe; vajton Rakela fëmijët e vet dhe nuk do të pajtohet - sepse ata nuk i ka më!
``”.

16 qershor 2021, 10:52