Protesta kundër vrasjeve në shtetin Kaduna, Nigeri Protesta kundër vrasjeve në shtetin Kaduna, Nigeri

Nigeri: rrëmbehen studentë të një shkolle islame

U liruan më të vegjlit ndër 200 nxënësit e një shkolle islame në Nigerinë veriore, rrëmbyer dje pas një sulmi nga njerëz të armatosur. Media lokale raporton një viktimë dhe një të plagosur rëndë

R.SH. - Vatikan

Shkolla Salihu Tanko Koranic në Tegina të Nigerisë veriore po verifikonte hyrjen e nxënësve, kur u sulmua nga një grup njerëzish të armatosur. Shumë prej fëmijëve arritën të ikin e të shpëtojnë, deklaroi njëri nga drejtuesit e shkollës, duke shtuar se nuk ka shifra të sakta për numrin të rrëmbyerve. Ky sulm i ri ndodhi një ditë pas lirimit të 14 nxënësve në shtetin Kaduna, që mbaheshin peng prej 40 ditësh. Pesë nxënës u ekzekutuan nga rrëmbyesit për t’u bërë presion familjeve e për ta detyruar qeverinë të paguajë. Që prej disa muajsh, grupe banditësh po kryejnë rrëmbime masive nëpër shkolla. Statistikat tregojnë se nga dhjetori i vitit 2020, janë rrëmbyer 730 fëmijë dhe adoleshentë.

Sulm i ri i Boko Haramit

 Ndërkohë, të premten, ushtria nigeriane i bëri ballë një përpjekjeje për sulm nga Boko Harami në Rann, në veri-lindje të vendit. Zëdhënësi i ushtrisë, Mohamed Yerima, shpjegoi për mediat lokale se sulmi ndodhi disa orë pasi filloi mandati i kreut të ri të shtatmadhorisë, Faru Yahaya. “Sulmues të armatosur mbërritën me kamionë dhe u përpoqën të hynin në portën kryesore të qytetit”, pohoi Yerima në një notë, duke folur për disfatën e organizatës terroriste. Pas luftimeve, në njërin nga kamionët u gjetën armë si mitralozë dhe municione kundërajrore.

Të deklarohet gjendja e emergjencës

Ndërkaq, kryeipeshkvi i Lagos, imzot Alfred Adewale Martins, i bën thirrje qeverisë federale të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për të shmangur anarkinë, që kërcënon vendin. Fjalët e prelatit përshkruajnë një pasiguri në rritje. Në veçanti, kryeipeshkvi përmend “rrëmbimet e shumta, kudo; vrasjen e njerëzve të pafajshëm, përfshirë policët; djegjen e zyrave të policisë dhe të Komisionit Kombëtar të Zgjedhjeve”. Njëkohësisht, imzot Martins denoncon “dështimin e qeverisë, në të gjitha nivelet, për t’u bërë ballë me vendosmëri shkaqeve themelore të pasigurisë në vend dhe për t’i çuar përgjegjësit e saj para drejtësisë”. Për këtë arsye, kryeipeshkvi mendon se gjendja e jashtëzakonshme “është më se e nevojshme”.

31 maj 2021, 12:24