Qyteti i bombarduar i Gazës Qyteti i bombarduar i Gazës

Në Gazë, lufta nuk ndalet. Rritet numri i viktimave

Ofensiva kundër Gazës “do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”: kryeministri izraelit Netanyahu cakton afate të gjata për operacionin në Rripin e Gazës, që sulmohet me forca ajrore dhe tanke, por jo me trupa tokësore. Dhjetëra, raketat nga pala palestineze në territorin hebre. Numri i viktimave rritet në mënyrë dramatike

R.SH. - Vatikan

“E pata thënë se Hamasi do të paguajë një çmim shumë të lartë”: kështu e paralajmëron Netanyahu Gazën, me një mesazh në Twitter, duke njoftuar se sulmi kundër palestinezëve do të vazhdojë me intensitet të madh, për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Tani për tani, operacioni ushtarak nuk përfshin edhe trupat tokësore, të cilat, fillimisht, mendohej se do të hynin në Rripin e Gazës, por pastaj, u tërhoqën me një urdhër të dytë. Dje, ushtria rreshtoi në kufi disa njësi këmbësorie dhe të tjera, të blinduara, duke thirrur nën armë 9 mijë rezervistë.

Drama e civilëve

Bombardimi vazhdon: më se 150 objektiva të Hamasit, lëvizjes që kontrollon Rripin e Gazës, janë goditur nga avionët e shtetit hebraik. E vijon edhe hedhja e raketave nga Gaza për në territorin izraelit. Që nga fillimi i krizës, numri i tyre e ka kapërcyer 2 mijëshin. Mediat lokale raportojnë se palestinezët po ikin nga veriu i Rripit, drejt qytetit të Gazës, ndërsa popullsia izraelite, që banon 4 kilometra larg nga Rripi, ka marrë urdhër të qëndrojë në strehimet kundër bombardimeve.

Të dielën, do të mbahet një takim virtual i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por bashkësia ndërkombëtare nuk është e së njëjtës mendje për përgjegjësinë e shkallëzimit të dhunës. Ndërkohë, bilanci i viktimave vijon të rritet në mënyrë dramatike: 9 viktima izraelite, mbi 110 viktima palestineze, ndër të cilat, dhjetëra fëmijë.

14 maj 2021, 13:57