2021.05.27 Carla Fracci 2021.05.27 Carla Fracci

Lamtumirë, Yll i dalë nga përdheset, për të fluturuar në qiellin e artit

Bota e baletit dhe e kulturës është në zi për humbjen e balerinës së paharrueshme, Carla Fracci.

R.SH. - Vatikan

Mesazhe ngushëllimi, por edhe mirënjohjeje arrijnë nga  të katër anët e botës, atje ku tashmë flen e qetë balerina që, siç u shpreh presidenti i Atdheut të saj, Italisë, Mattarella: “Nderoi me elegancë e angazhim artistik  vendin tonë në botë: talenti i saj e çoi në të katër anët e globit. E u ngjit aq lart, sa  t’i afroheshe asaj, ishte ëndërr e shumëkujt”.

Rudolf Nureyev e Carla Fracci - Don Kishoti
Rudolf Nureyev e Carla Fracci - Don Kishoti

“Të gjithë donim të bëheshim Carla Fracci. Për ne, balerinat e vogla, kjo ishte ëndërr e vërtetë” - flet, me ngashërim, Paola Jorio, ish-drejtoreshë e Teatrit të Operas, sot drejtoreshë e Baletit të Romës, mike e Karlës, që i mbylli sytë dje në Milano, pas një beteje zgjatur me vite, kundër kancerit.  Yll i teatrit La Scala, që vallëzoi me balerinët më të famshëm të botës, tani vallëzon me “yjet e qiellit”, duke lënë pas, në kujtesën e pamortshme të artit të Baletit, lojën e saj në kryevepra si Liqeni i Mjellmave, Thyesi i arrave, E Përhitura e, sidomos, rolin e Françeska da Rimini  e të Gisellës … duke hyrë, kështu, përgjithmonë, në historinë botërore të baletit.

Carla Fracci e Vladimir Vassiliev
Carla Fracci e Vladimir Vassiliev

E Sëmura e madhe, te Papa i madh

Fracci,  e sëmurë prej kohe, deshi ta takonte pa tjetër Papën Françesku, të cilin e quante “burrë i jashtëzakonshëm”, i madh, që mbush me shpresë këdo që e takon.  Ia doli ta takonte më 26 prill  2017, pas një audience të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. E pati lumturinë të dëgjonte nga goja e Tij, fjalët: “Ju falënderoj që jeni këtu! Për mua baleti është poezi e lutje”.

Takimi i Papës Françesku me Carla Fracci-n
Takimi i Papës Françesku me Carla Fracci-n
28 maj 2021, 15:28