Rripi i Gazës Rripi i Gazës

Caritas Internationalis: sot në Gazë, mungon e domosdoshmja

Bombat që goditën Rripin e Gazës ditët e fundit, duke shkaktuar viktima të shumta, mund të rindezin krizën humanitare. Motër Bridget Tighe, sekretare e përgjithshme e Karitasit të Jeruzalemit, përshkruan situatën aktuale: njerëzit nuk gjejnë strehë të sigurt dhe u mungon gjithçka, edhe ilaçet

R.SH. - Vatikan

Nuk ka paqe në Rripin e Gazës ku, megjithë ofensivën diplomatike të bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar shkallëzimin e dhunës, vazhdojnë bombardimet e forcave ajrore izraelite në zona të populluara dendur, si përgjigje e raketave të hedhura nga Hamasi kundër Izraelit. Gjatë natës së kaluar, ushtria izraelite regjistroi rreth 90 raketa, të cilave iu përgjigj duke bombarduar 65 objektiva. Që nga fillimi i luftimeve, 90%  e 3.440 raketave janë kapur nga sistemi i mbrojtjes Iron Dome (Kupola e Hekurt).

Mijëra njerëz në kurth, në Rripin e Gazës

         Në këtë kuadër, Karitasi Ndërkombëtar bën thirrje urgjente për ndihmë mjekësore në favor të popullsisë së prekur nga bombardimet. Në terren, Karitasi i Jeruzalemit po përgatitet t’u përgjigjet nevojave urgjente të mijëra të plagosurve dhe të mijëra njerëzve të detyruar të lënë shtëpitë. “Bombat janë jashtëzakonisht të shumta. Populli i Gazës ka përjetuar luftë për shumë vite, por të gjithë thonë se kësaj here ajo është krejt ndryshe. Njerëzit janë bllokuar në këtë rrip toke të populluar dendur, në mëshirën e bombardimeve, pa një vend për strehim”: kështu e përshkruan gjendjen motër Bridget Tighe, sekretarja e përgjithshme e Karitasit të Jeruzalemit. Më se 2 milion njerëz jetojnë në një zonë prej rreth 365 kilometrash katrore, nga e cila është e pamundur të ikësh, për shkak të bllokadës izraelite. “Ata përpiqen të shpëtojnë jetën, duke kërkuar strehim në shkolla, ku nga 14 maji, kanë gjetur mbrojtje 17.000 vetë” pohon motër Tighe.

Karitasi i Jeruzalemit: ka rrezik për krizë humanitare

         Sipas burimeve palestineze, që nga 10 maji, dita e fillimit të luftimeve, në Gaza janë vrarë 213 palestinezë, përfshirë të paktën 61 fëmijë dhe janë plagosur më se 1.400 të tjerë. “Bombardimet e vazhdueshme nuk e lejojnë ndërhyrjen e Karitasit të Jeruzalemit, por sapo të arrihet armëpushimi, ne do të kujdesemi për të traumatizuarit dhe do të japim ndihmën e parë shëndetësore në klinikën tonë” pranë kampit të refugjatëve Al Shati, shpjegon motër Tighe. Por Karitasi ka nevojë për fonde e ndihmë. Shkallëzimi i mëtejshëm i dhunës ndërmjet izraelitëve e palestinezëve mund të shkaktojë një krizë të re humanitare, me rreth 40 mijë palestinezë të shpërngulur dhe me 2.500 të pastrehë, për shkak të bombardimeve.

18 maj 2021, 16:00