Presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani Presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani

Një grua presidente për Kosovën. Hera e dytë pas luftës

Filloi mandatin më 4 prill, presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila do të jetë kreu i shtetit për pesë vitet e ardhshme. U zhgjodh në këtë detyrë, të cilën e kryente “ad interim”, me mbështetjen e Lëvizjes së Vetëvendosjes të kryeministrit Albin Kurti

R.SH. - Vatikan

Është fytyra më e re, që zë aktualisht postin e presidentit të Kosovës së pasluftës dhe është gruaja e dytë, pas Atifete Jahjagës, e cila ishte në krye të shtetit nga viti 2011 në vitin 2016. Vjosa Osmani-Sadriu, ish-kryetare e Parlamentit, u zgjodh presidente e Republikës për pesë vitet e ardhshme, me 71 vota nga 82 deputetë të pranishëm, me mbështetjen e Vetëvendosjes, partisë së majtë nacionaliste udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Ndërsa ishte në gjirin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani kreu edhe detyrën e presidentes së përkohshme të vendit, nga 5 nëntori 2020 deri më 22 mars 2021, për t’u paraqitur në zgjedhjet e shkurtit me një parti të themeluar prej saj (Guxo), në koalicion me Lëvizjen për Vetëvendosje, e cila fitoi, duke paraqitur një program të përqendruar në luftën kundër korrupsionit, në nacionalizmin dhe në solidaritetin shoqëror.

Presidente me formim juridik

 38-vjeçarja Vjosa Osmani-Sadriu është diplomuar në jurisprudencë. Kreu detyrën e presidentes “ad interim”, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, i cili u arrestua me urdhër të Gjykatës së veçantë e Hagës, me akuzën për krime lufte e për krime kundër njerëzimit në dëm të kundërshtarëve politikë serbë dhe romë, gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.  Pas universitetit në Prishtinë, zonja Osmani-Sadriu kreu masterin e doktoraturën në Universitetin e Pittsburgh-ut, në SHBA-të, ndërsa më pas, u kthye si pedagoge universitare në Kosovë.  

Ndër përparësitë, dialogu me Serbinë

Për Vjosa Osmani-Sadriun, e cila ka një rol të dorës së parë sidomos në politikën e jashtme të vendit, një nga përparësitë është rifillimi i procesit të normalizimit me armikun e Kosovës gjatë luftës, Serbinë, pikë programatike, që gjithsesi, nuk është në krye të listës së impenjimeve për të ardhmen të kryeministrit Kurti, partia e të cilit tani kontrollon tri postet më të larta të shtetit: presidencën, kryesinë e parlamentit dhe kryeministrinë. Kosova aktualisht njihet nga më se 100 vende, por jo nga Serbia dhe aleatët e saj, si Rusia dhe Kina.

Urimet e Bashkimit Evropian

Vjosa Osmanit i erdhën urime nga e gjithë bota. Veçanërisht, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, uroi që institucionet e reja shtetërore të Prishtinës të punojnë për vazhdimin e dialogut me Beogradin.

06 prill 2021, 11:19