Numërimi i votave në Shqipëri Numërimi i votave në Shqipëri

Në Shqipëri, rezultatet e votimeve brenda 48 orëve

Janë numëruar deri tani 33% e skedave, të cilat i japin Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, më se 49% të votave

R.SH. - Vatikan

Vijon numërimi i votave në Shqipëri, pas zgjedhjeve të djeshme parlamentare. Dje, Exit Poll tregonte për një rezultat gati të barabartë ndërmjet pozitës dhe opozitës, por numërimi i votave, që është realizuar deri tani (pak pas orës 13.00) në 33% të qendrave të votimit tregon se Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, me 49,4% të votave, ka 10 pikë avantazh në krahasim me Partinë Demokratike, të kryesuar nga Lulzim Basha. Gjithsesi, bashkë me votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, opozita arrin në 46% të votave. Fitimtarit i duhen 71 ndër 140 vendet në parlament për të pasur shumicën. Siç deklaroi Komisioni Qendror Zgjedhor, rezultatet përfundimtare duhet të jepen brenda 48 orëve nga përfundimi i votimeve.

Ndërkaq, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i tij si deputet lideri i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, i cili deklaroi se e bën këtë për të sqaruar pozitën e tij, vënë në diskutim nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila pati kërkuar që ai të mos merrte pjesë në zgjedhje si kandidat për deputet, duke e akuzuar për korrupsion. Vërtet, për këtë arsye, SHBA-të nuk e lejojnë të hyjë më në territorin e tyre.

Para 25 prillit, ipeshkvijtë e Shqipërisë, në një deklaratë të tyre, e patën ftuar popullin të votojë, por patën kërkuar edhe të mos shitet vota e të ndihet thellë përgjegjësia për zgjedhjen e përfaqësuesve të rinj në parlament, të cilëve do t’u duhet të përballen me problemet jo të lehta të kësaj periudhe pandemie, që i ka shtuar vështirësitë e mëparshme të vendit.

26 prill 2021, 13:35