Prostestat në Mianmar Prostestat në Mianmar

Mianmar. Thirrje e OKB-së për juntën ushtarake: paqe e dialog

Në gazetën “L’Osservatore Romano”, kërkesa e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund dhunës e për të zgjidhur krizën, që u kushtoi jetën më se 750 vetëve, përfshirë shumë fëmijëve

R.SH. - Vatikan

“Ndalimi i menjëhershëm i dhunës në Mianmar është hapi i parë i domosdoshëm drejt zgjidhjes së krizës, që u ka kushtuar jetën më se 750 vetëve, përfshirë fëmijët e vegjël, për shkak të veprimit të forcave të sigurisë”. Deklarata është e Tom Andrews, relatorit të veçantë të OKB-së për të drejtat e njeriut në vendin aziatik, në një letër drejtuar Min Aung Hlaing, kreut të juntës ushtarake, që mori pushtetin me puç, më 1 shkurt.

            Përfaqësuesi i OKB-së kërkoi që junta të impenjohet publikisht për të respektuar të drejtën themelore të popullit të Mianmarit për “të shprehur lirisht pikëpamjet e veta”, përfshirë kritikat kundër ushtarakëve, “pa frikë se njerëzit do të plagosen, vriten, ose arrestohen në mënyrë arbitrare”. Andrews kërkoi edhe që junta “të lirojë pa kushte të gjithë të burgosurit politikë të arrestuar nga 1 shkurti” dhe “të pranojë menjëherë vizitën e të dërguarit të veçantë të ASEAN (Bashkësia e Kombeve të Juglindjes Aziatike), duke e lejuar të takohet me të gjitha palët, përfshirë presidentin e Mianmarit, Win Myint dhe këshilltarin e shtetit Aung San Suu Kyi”.

Ndërkohë protestat vazhdojnë: demonstruesit dalin vazhdimisht në rrugë kundër regjimit ushtarak. Të kufizuara, mjetet e komunikimit, pasi interneti ndërpritet gjatë natës që prej 70 ditësh dhe mbulimi me rrjet është ulur.

28 prill 2021, 16:46