2020.06.05 Incontro comune CCEE e Comece loghi delle strutture 2020.06.05 Incontro comune CCEE e Comece loghi delle strutture

Evropa: migrimet dhe sfidat e pandemisë, në qendër të webinarit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës

“Themelore, të veprosh për të ardhmen, për të komunikuar shpresë, përmes formave të angazhimit të Kishës katolike në favor të migrantëve e të refugjatëve”: ky thelbi i seminarit on-line organizuar nga Seksioni Migracionet i Komisionit të baritorisë shoqërore të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës.

R.SH. - Vatikan

“Themelore, të veprosh për të ardhmen”, për të komunikuar shpresë, përmes formave të angazhimit të Kishës katolike në favor të migrantëve e të refugjatëve”: kështu u shpreh atë Fabio Baggio, zëvendës-sekretar i Seksionit Migrantët dhe Refugjatët pranë Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor që, të hënën e kaluar, foli në seminarin on-line organizuar nga Seksioni Migracionet i Komisionit të baritorisë shoqërore të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës.

Të pranishëm, tridhjetë e tre specialistë e delegatë, ardhur nga 25 konferenca ipeshkvnore dhe organizma kishtare evropiane, së bashku me një grup studentësh të kursit on-line pranë Universitetit Papnor Urbanian, kushtuar migrimeve dhe çështjeve etike. Seminari u hap me përshëndetjen e kryetarit të Ccee, kardinalit Angelo Bagnasco,  të kryetarit të baritorisë shoqërore të Ccee, imzot Giampaolo Crepaldi dhe të Atë Martin Michalíček, sekretar i përgjithshëm i Ccee, për të vijuar me referatin “Kujdesi i Papës Françesku për migrantët dhe refugjatët, në rrethnat aktuale të emergjencës shëndetësore”, mbajtur nga atë Baggio.

Zëvendës-sekretari i Seksionit Migrantët dhe Refugjatët pranë Dikasterit  për Zhvillimin e Gjithanshëm  Njerëzor, foli për nismat e Selisë së Shenjtë lidhur me emergjencën shëndetësore, duke vënë në dukje posaçërisht pasojat mbi baritorinë migratore. Më pas paraqiti botimin e kohëve të fundit të “Orientimeve baritore mbi të shpërngulurit për shkak të klimës” dhe tërhoqi vëmendjen mbi temën e Ditës së ardhshme Botërore të Migrantit dhe Refugjatit, parë si ftesë për t’u impenjuar në  perspektivën,  e cila duhet shikuar me syrin e njeriut, që nuk interesohet aq për vete, sa për të tjerët. 

Referati i dytë, i titulluar “Udha ballkanike dhe sfidat e pandemisë”, u mbajt nga atë Stanko Perica, drejtor rajonal i Shërbimit të jezuitëve për refugjatët e Evropës jug-lindore, i cili foli për sfidat dhe rreziqet që hasin migrantët e refugjatët, nësa kapëcejnë atë, që tashmë njihet si “udha ballkanike”, duke vënë theksin mbi  rëndimin e situatës në qytetin kufitar të Bihać. Atë Perica u ndalua posaçërisht tek  angazhimi i organizmave katolike dhe kishave vendase, që po përpiqen për t’ua lehtësuar vuajtjet migrantëve. E mori, më pas, fjalën edhe Nabil Nissan, drejtor ekzekutiv i Caritas Irak, i cili u ndalua kryesisht tek “Kontributi i të krishterëve në rikthimin e paqes”.

Në fjalën e tij vuri posaçërisht në dukje rolin që luajtën historikisht bashkësitë e krishtera lidhur me bashkëjetesën shoqërore në Irak. Pasi kujtoi disa çaste themelore të tragjedive të kohëve të fundit, Nissan kujtoi edhe   gëzimin e mirënjohjen e mbarë popullit irakian lidhur me vizitën e kohëve të fundit që bëri Papa në këtë vend të martirizuar, të cilin e inkurajoi të bashkëpunojë për rindërtimin. Vërejtjet përfundimtare iu besuan kardinalit Anders Arborelius, ipeshkëv i Stokholmit dhe drejtues i Seksionit Migracionet të Komisionit për baritorinë Shoqërore të Ccee, që  ftoi të rikrijohet fryma e shpresës e të vijohet puna në favor të migrantëve e refugjatëve të strehuar ose të asistuar nga organizma të ndryshme kishtare evropiane.

Webinari u mbyll me reflektimin dhe lutjen e kardinalit Bagnasco. Hirësia e Tij  i falënderoi pjesëmarrësit për punën e madhe, që po bëjnë në ndihmë të migrantëve e të refugjatëve të Evropës, duke shtuar se duhen nxitur vazhdimisht “instancat politike evropiane” që problemet e migrantëve e të refugjatëve të marrin përgjigje më të kënaqshme, edhe me bashkëpunimin kishtar e civil më të pasur me humanizëm e vlera të krishtera, si shprehje e rrënjëve të kristiane të kulturës evropiane.

 

21 prill 2021, 16:44