Dom Zef Shestani, përgjegjësi parë i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit Dom Zef Shestani, përgjegjësi parë i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit 

Dom Zef Shestani, në përvjetorin e kalimit në amshim

Dom Zef Shestani, përgjegjësi parë i Programit Shqip të Radio Vatikanit, në përvjetorin e kalimit në amshim, më 16 mars 1990. Figurë poliedrike, dom Zefi qe meshtar shembullor, atdhetar i flaktë, gazetar i urtë, largpamës.

R.SH. - Vatikan

Më 16 mars kujtojmë themeluesin e programit shqip të Radio Vatikanit, dom Zef Shestanin në përvjetorin e kalimit të tij në shtëpinë e Atit Qiellor.  

Figurë poliedrike, dom Zef Shestani ( 29. 06. 1912 - 16. 03. 1990), qe prift shembullor, atdhetar i flaktë, gazetar i urtë, largpamës. Në vitet më të vështira e të errëta të historisë së Shqipërisë, përmes valëve të Radio Vatikanit, dom Zef Shestani dha një kontribut të jashtëzakonshëm me kultivimin dhe transmetimin e vlerave shpirtërore, kombëtare, qytetare e ungjillore, duke mbajtur në zemra shqiptarëve e të dëgjuesve të RV përherë të ndezur dritë e shpresës së ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të lirisë mbi robërimin, të dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën.

Transmetimi i programit të parë të Radio-Vatikanit në gjuhën shqipe filloi më 3 tetor 1951 me një Udhë Kryqi, që simbolizonte atë udhë kalvari në të cilën nisi të ecte populli shqiptar dhe mbarë besimtarë katolikë e të tjerë, nën regjimin komunist. “Laudetur Iesus Christus! Ju flet Radio -Vatikani në gjuhën shqipe”.  Me këtë sigël që hapte emisionet në gjuhën shqipe, për dyzet vjet me radhë ishte pikërisht zëri i dom Zef Shestanit, që përmes valëve të Radio-Vatikanit, u drejtohej shqiptarëve brenda e jashtë Atdheut.

Dom Zef Shestani lindi në Shkodër më 29 qershor 1912, njëherësh me Shqipërinë e Pavarur. U shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit, ku Zoti e thirri për jetën meshtarake. Të parët menduan ta çojnë për të vijuar studimet e larta, në Padovë. Ishte viti 1935.  Sapo u kthye, Dom Zefi u emërua zëvendës-famullitar i Shkodrës me seli në kishën e Shën Kollit, në Rus, ku tha Meshën e parë më 1 janar 1936. Filluan për të 3 vjet veprimtarie të pareshtur. U mor me të rinjtë, me muzikën, me publicistiken. Nisi t'i hapte baritorisë së Kishës horizonte të reja, gjithnjë me frymën e klerit shqiptar e jo vetëm: Për “Fé e Atdhé".

Pasi iu kundërvu pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 1939, e komunizmit të pafé e të paatdhé, më 1944, u detyrua të kalonte në Itali, ku rifilloi menjëherë edhe më me zell punën meshtarake e intelektuale në shërbim të idealeve, të cilave u kishte kushtuar jetën. Në sa shërbente si famullitar në njërën prej Kishave famullitare të dioqezës së lashtë të Porto-Santa Rufina-s,  në periferi të Romës, Selia e Shenjtë e ngarkoi dom Zefin me detyrën të themelonte Programin Shqip të Radio-Vatikanit. Nuk ishte e lehtë, sepse bashkëpunëtorët në mërgim ishin të paktë, lidhja me besimtarët në atdhe, e pamundur; çdo fjalë që thuhej para mikrofonit, mund të krijonte probleme e rreziqe të paparashikuara përtej perdes së hekurt për shumëkënd.

Gjithsesi dom Zef Shestani, që s'ishte trembur nga situata më të vështira, pranoi, e nisi emisionin pranë Radios së Papës me Udhën e Kryqit, nën moton për Fé e Atdhè. Bashkëpunuan ngushtë me të Zef Pali, me të cilin njihej mirë që në Shqipëri, Andrea Shuli, Gjon Gjomarkaj e murgesha engjëllore shqiptare, motër Luçia Laca. Dom Zefi ndërroi jetë në Romë më 16 mars 1990.

E kujtojmë figurën e dom Zef Shestanit si meshtar, si përgjegjës i parë i redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit dhe si shqiptar me nderim, vlerësim, respekt, emocion e mirënjohje.

E nga arkivi i redaksisë shqipe të RV po ju propozojmë një fragment nga një emision i dom Zef Shestanit, ku shqipton nga lirika religjioze ‘Të psuemit’ e Aleksandër Manzoni-ti përkthyer nga At Gjergj Fishtës nga ‘Të Psuemit’ .....

Nga arkivi i redaksisë shqipe të RV ju propozojmë një fragment nga n dom Zef Shestani

Dom Zef Shestani: "O im bir, o djalë i ri"

Kjo poezi, e krijuar dhe e muzikuar nga Dom Zef Shestani, është një nga më të njohurat ndërmjet shumë lirikave të tjera, të shpërndara nëpër revista a të humbura bashkë me arkivin e Meshtarit, që mbetet gjithnjë mërgimtar…Histori më vete, edhe përpjekja për ta rikthyer në atë Atdhe, të cilit i këndoi me kaq zjarr zemre!

O im bir, o djalë i ri

Teksti e muzika nga Dom Zef Shestani:

O im bir o djalë i ri,

Që je bâ fli për Shqipni!

Për Shqipni t’pat rritun nana,

Mos me t’ngja kush n’kapidana!

Të bardh’çasin paska pritë

Jote amë  - o - në këtë ditë:

Djali im ramë për Atdhè

Nuk ka vdèkë, por sot ka lè!

O im bir o djal i ri

Thueja kangës t’asaj liri

Qi t’pat msuem nana jote

Tu’ t’përkundë kur ty ta k’ndote.

Thueja kangës n’at za që kè;

Sa ta nxajë mosha e rè

Se si vdekë ke për Shqipni

Se si shkri je për liri!

O im bir o djalë i ri

Nana jote nuk mban zi,

Nuk mban zi as s’do t’vajtojë

Porsi n’darsëm do t’këndoj!

Sot ke marrë nji nuse t’rè

Nuse t’rè: t’bukren mbi dhè;

Sot je dhandërr ndër t’t’ù shokë

Si ma i lumi në kët tokë!

O im bir o djalë i ri,

Qi s’durove robëni,

robëni as flamur tjeter,

fàsh’ as hyll mbi flamur t’vjeter!

Ti ja bâne nan’s nji bè,

P’r’i kët qiell e p’r’i ket dhè,

P’r’i kët flamur kuq e zi,

Nanë do t’vdes-o per Shqipni.

O im bir o djalë i ri

T’rriti nana hýll n’djelmi

Hýll n’djelmi e trim si zana

Djal nishan ndër djelm nishana!

T’i kam mblue sot me Flàmur

Dymb’dhet’ plumbat në krahnuer

Për m’ia ba t’rivet dishmi

Se s’vdes, kush vdes për Shqipni!

16 mars 2021, 09:37