Logo viaggio Iraq Logo viaggio Iraq 

Patriarkana kaldease u përgjigjet kritikave. "Papa nuk vjen në Irak për t’i zgjidhur problemet" e vendit

Patriarkana Kaldease përgjigjet ndaj kritikave në mediat sociale e kujton se "Papa nuk vjen nё Irak për t’i zgjidhur të gjitha problemet" e vendit, por për të shprehur solidaritetin e tij dhe pёr të ndenjur me irakianët. Papa do të sjellë mesazhe të dashurisë, vëllazërimit, pajtimit, tolerancës, paqes, respektit për jetën, diversitetit dhe pluralizmit.

R.SH. - Vatikan

Vizita e Papёs Françesku në Irak është “historike dhe e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jeton vendi dhe rajoni. Ne e konsiderojmë si një bekim. Shpresojmë qё të ketë një jehonë pajtimi dhe bashkimi për të mirën e Irakut ". Kështu, përmes një deklarate të sotme, Patriarkana Kaldease u përgjigjet disa 'kritikave' që janë ngritur në mediat sociale ditët e fundit në lidhje me udhëtimin e ardhshëm papnor nё program nga data 5 deri mё 8 mars.

"Papa - thuhet në deklaratë - nuk mund t’i vizitojë të gjitha qytetet e krishtera dhe të gjitha shenjtëroret, por do të shkojë në vendet zyrtare si Bagdadi dhe Erbili, Najafi, Uri, Mosuli, Qaraqoshi në rrafshin e Ninivёs, dhe pёr këtë jemi mirënjohës ndaj tij.  Nuk është as detyra e tij - thekson Patriarkana – t’i kthejë të krishterët emigrantë jashtë vendit, ose të rimarrë pronat e tyre të uzurpuara. Këto - nënvizon teksti deklaratës - janë përgjegjësi e qeverisë irakene e cila ёshtё e thirrur për t’i krijuar kushtet e duhura e tё pёrshtatshme për kthimin e tyre ". “Papa Françesku - vazhdon deklarata e Patriarkanës Kaldease - nuk vjen për t’i zgjidhur të gjitha problemet, por për të shprehur solidaritetin e tij dhe pёr të ndenjur me irakianët. Papa do të sjellë mesazhe të dashurisë, vëllazërimit, pajtimit, tolerancës, paqes, respektit për jetën, diversitetit e pluralizmit”.

Nga kёtu thirrja "atyre që shkruajnë duke kritikuar vizitën papnore në mediat sociale, ose atyre qё bëjë pyetje nga mё të ndryshme, të jenë më pozitivë dhe të mbështesin gjithçka që do ta bëj këtë vizitë të suksesshme. Duhet theksuar - përfundon deklarata e Patriarkanës Kaldease - se qeveria irakiane është mirënjohëse për vizitën e Papёs dhe ka marrë të gjitha masat e nevojshme për ta bërë atë historike e të denjë për Irakun dhe irakianët. Ne i ftojmë të gjithë të luten për Papën dhe për suksesin e vizitës për të mirën e vendit dhe të popullit ".

Lidhur me dispozitat e reja anti-Covid të vendosura nga qeveria e Irakut për parandalimin e përhapjes sё pandemisë - përfshirë mbylljen e xhamive dhe të gjitha vendet e adhurimit - në fuqi deri më 8 mars, pra, deri gjatë tërë vizitës papnore - nga Patriarkana nuk mbërrijnë komente. Kufizimet  e vёnё seriozisht nё dyshim pjesëmarrjen e mundshme të besimtarëve gjatë vizitës.

15 shkurt 2021, 13:12