Besimet fetare në Shqipëri kundër trafikut të njerëzve

Konferencë kombëtare e bashkësive fetare kundër trafikut të qenieve njerëzore në Shqipëri, organizuar nga Karitasi vendas. Imzot Massafra kërkon fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet bashkësive fetare dhe aktorëve kryesorë, për t’iu kundërvënë trafikut të njerëzve, realitet, që godet më të ligshtët e shoqërisë.

R.SH. - Vatikan

“Zoti na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij e në ngjasim me Të”. Kjo, tema e Konferencës kombëtare të bashkësive fetare kundër trafikut të qenieve njerëzore në Shqipëri, organizuar nga Karitasi shqiptar, në bashkëpunim me Këshillin ndërfetar sot, 8 shkurt, pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë. Qëllimi i konferencës - shpjegon imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë, është të njohë situatën e trafikut në vendin tonë e, njëkohësisht, edhe orientimet e bashkësive të ndryshme fetare kundër këtij fenomeni, njëherësh me Dokumentin e Seksionit migrantët dhe refugjatët  të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Shërbimin  e Zhvillimit të Gjthanshëm Njerëzor.

Kёshtu, përfaqësuesit e besimeve fetare nё Shqipëri u mblodhën sot pranë Universitetit të Zojës së Këshillit të Mirë, në Tiranё, ku ishte i pranishëm edhe Nunci Apostolik nё Shqipёri, Imzot Luigi Bonazzi, kryeipeshkvi Tirane-Durresit Imzot George Frendo se bashkue me ipeshkvin ndihmes imzot Arjan Dodaj dhe lider e përfaqësues tё Komuniteteve fetare, pёr tё diskutuar rreth situatës sё trafikimit tё qenieve njerëzore nё Shqipёri, për tё paraqitur orientimet e luftimit tё përbashkët kundër këtij fenomeni të shëmtuar, që i shndërron njerëzit, posaçërisht femrat, në mall tregu.

Kujtojmë se pikërisht me dëshirën e Papës, duke nisur nga viti 2015, kremtohet çdo vit Dita e lutjes dhe e reflektimit kundër tregtisë së njerëzve, në përkujtimin liturgjik të Shën Jozefina Bakhitës, që i provoi personalisht vuajtjet e skllavërisë. Ditën e organizon Rrjeti Ndërkombëtar i jetës rregulltare kundër trafikut të njerëzve, i quajtur “Talitha Kum”, në bashkëpunim me realitete të ndryshme të botës së Kishës dhe të shoqërisë civile. 

“Duhet - kujtoi kryeipeshkvi Massafra - të fuqizohet bashkëpunimi ndërmjet bashkësive fetare dhe aktorëve kryesorë, sepse trafiku i njerëzve është realitet, që godet njerëzit më të ligshtë të shoqërisë: gratë e fëmijtë, të gjymtuarit, të varfërit, migrantët: njerëz që jetojnë në kushte të rënda familjare. Është realitet me forma të ndërlikuara, ndaj nevojitet një përpjekje e shumanshme, si për ta kuptuar fenomenin dhe shkaqet e tij, ashtu edhe për t’i identifikuar proceset dhe personat, që preken prej tij, “me qëllim që të gjinden përgjigjet për fenomenin - e nismat, për t’i shpëtuar njerëzit e kërcënuar”. Në këndvështrimin fetar - përfundoi imzot Massafra - “shenjtëria e jetës njerëzore nga zënia në vdekjen e natyrshme dhe dinjiteti i paprekshëm i çdo njeriu, përbëjnë pikënisjen dhe boshtin e çdo nisme a angazhimi të përbashkët”.

E nga konferenca pritet të dalin pikërisht forma angazhimi të përbashkët për ta përmirësuar situatën, për t’i mbrojtur njerëzit e ligshtë nga trafiku e për t’i rikthyer në jetë viktimat e kësaj njolle të turpshme në ballin e njerëzimit! Por, ta dëgjojmë vetë kryeipeshkvin e Shkodër Pultit, imzot Massafrën..

Ta dëgjojmë vetë kryeipeshkvin e Shkodër Pultit, imzot Massafrën.
08 shkurt 2021, 11:10