Manifestim në Kosovë Manifestim në Kosovë 

Kosova dhe Izraeli lidhin marrëdhënie diplomatike

Kosova, që pas dy javësh do të shkojë drejt kutive të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nga data 1 shkurt nis marrëdhëniet diplomatike me Izraelin. Ngjarje me rëndësi për gjithë zonën ballkanike.

R. SH. - Vatikan

Do të jetë një ceremoni zyrtare virtuale, ajo e së hënes, me të cilën do të nisin marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve. Do të marrin pjesë ministrja kosovare e punëve të jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj izraelit, Gabriel Ashkenazi. Lajmin e dha vetë Stublla, duke e quajtur ngjarjen “çast historik”.

E kështu është si për Kosovën, ashtu edhe për gjithë zonën ballkanike e jo vetëm - pohon në Vatican News Mauro Ungaro, drejtor i 'Voce isontina', e përjavshme e dioqezës së Gorizias: “Shtatorin e kaluar ish-presidenti i SHBA-ve, Trump pati njoftuar se Serbia e Kosova do t’i normalizonin marrëdhëniet me Izraelin. Marrëveshje - vijon - e cila parashikon, ndërmjet tjerash, zhvendosjen e ambasadës së Beogradit nga Tel Avivi, në Jeruzalem. Por edhe njohjen e Kosovës nga Izraeli, me angazhimin e Prishtinës për ta hapur edhe ajo ambasadën në Jeruzalem, duke u bërë vendi i parë me shumicë myslimane që e pranon këtë.

Kosova drejt kutive të votimit

Ndërkaq, në këndvështrimin politik, Kosova do të  shkojë tek kutitë e votimit më 14 shkurtin e ardhshëm, për zgjedhjet parlamentare të parakohshme pasi, sipas Gjykatës Kushtetuese, qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti është e paligjshme, sepse e mbështetur nga një deputet i dënuar përfundimisht për mashtrime. Zgjedhjet - sipas Ungaros - bëhen në në një çast të veçanë, me shumë sfida por edhe me shpresë për një të ardhme më të mirë për  qytetarët e për një stabilitet shqoëror  e përforcim të sistemit demokratik.

Dialogu me Serbinë

Përsa i takon dialogut të Kosovës me Serbinë, për drejtorin e 'Voce isontina' ka shumë shpresa, bazuar mbi faktin se, në këtë çast, presidenti serb Vuçiç ka me vete shumicën parlamentare, gjë që mund t’i çojë Beogradin e Prishtinën drejt nënshkrimit të dëshiruar nga shumëkush. “Si Bashkimi Evropian, ashtu edhe SHBA-të - përfundon Ungaro - e dëshirojnë këtë, sepse do të ndikonte  për  paqëtimin e gjithë zonës ballkanike”.

31 janar 2021, 14:15