Romeo, një udhëtim i veçantë në favor të migrantëve dhe ambientit
R.SH. - Vatikan
Djaloshi, i shoqëruar nga babai i tij britanik, e kaloi kontinentin në këmbë dhe me disa mjete të tjera të pakta si biçikleta, mbi shpinën e një gomari, me një barkë me vela, për të shkuar deri tek gjyshja e tij në Londër. Kjo, pas periudhës së mbylljes në shtëpi, kur ishte e pamundur të shkoje deri në Londër. E ky udhëtim në këmbë u kthye edhe në udhë afrimi ndërmjet babait dhe djalit, të cilët zbuluan së bashku vende të panjohura, bënë shumë takime, miq të rinj e përforcuan vullnetin për të ecur përpara, gjë që do t’u shërbejë të dyve në jetë.
Një projekt solidariteti
Por, udhëtimi i Romeos për të përqafuar gjyshen e tij kishte edhe një qëllim tjetër: të mblidhte 8.000 paund për projektet e mikpritjes dhe të përfshirjes (ëëë.justgiving.com/fundraising/romeosbigjourney), në veçanti, për React, ku punon nëna e tij: “është shoqatë, që ndihmon fëmijët, të cilët nuk qenë në gjendje të ndiqnin shkollën në internet gjatë karantinës; ne duam të blejmë kompjuterë, celularë, tablet në mënyrë që ata të studiojnë”. I ati tregon: “Kur Romeo arriti në Palermo nga Londra, u mundua shumë në fillim: ishte vetëm, nuk e dinte gjuhën dhe Randolph, një djalë nga Gana, lidhi miqësi me të, e ndihmoi të integrohet, sado paradoksale të duket kjo”. E Romeo është plotësisht i vetëdijshëm për vështirësitë, që hasin emigrantë si ganezi i vogël, miku i tij. Në një postim të botuar më 19 shtator në Calais, ku Romeo dhe i ati takuan Bakhit, një djalë sudanez, shkruan: “rrinte mbi shkëmbinjtë me pamje nga Anglia, ku tha se ndodhej i vëllai. Edhe ai ka përshkuar një mijë kilometra si unë, por po ikën nga një konflikt dhe është krejt vetëm. Unë jam në gjendje të arrij tek familja ime duke kaluar kanalin e La Manshit, por atij nuk i lejohet të bashkohet me të vetën”.