Protestat në Bjellorusi Protestat në Bjellorusi 

Evropa, kriza në Bjellorusi: më 18 gusht, një çast lutjeje

Një “Atynë e thënë në kor, për të kërkuar nga Zoti paqen”. Nismën e organizon, për nesër, Komiteti Ekzekutiv Drejtësi e Paqe Evropa.

R. SH. - Vatikan

“I ftojmë gjithë të krishterët ta thonë “Atynën” për popullin bjellorus, të martën, më 18 gusht, në orën 18.00. Të lutemi, që në atë vend të trazuar të fitojnë drejtësia e paqja”. Është kjo, nisma e lutjes, e Komitetit Ekzekutiv Drejtësia e Paqja Evropa, përballë situatës aktuale, që po jeton Bjellorusia. Pas votimeve presidenciale të 9 gushtit, mijëra manifestues zbritën në shesh për të protestuar kundër rizgjedhjes, për herë të gjashtë, të Aleksandër Lukashenkos. Menjëherë pas kësaj fitoreje, nisën ndeshjet me forcat e sigurimit, me pasojë vdekjen, plagosjen dhe arrestimin e një mori kundërshtarësh të presidentit, që pretendon se është zgjedhur “nga vetë populli”, ai popull, që përleshet me policinë shesheve. “Mohimi i të drejtave dhe i lirive civile është thelluar shumë - shkruan Drejtësi e Paqe Evropa  në një notë. - Kjo situatë alarmante kërcënon drejtësinë e paqen jo vetëm në Bjellorusi, por në të gjithë rajonin”. Prej këndej, padia e organizmit evropian kundër “çdo forme të dhunës” dhe  thirrja për t’i liruar menjëherë të gjithë ata, “që u mbyllën në burg vetëm pse iu kundërvunë përdhunës”.

Autoriteteve bjelloruse u kërkohet “t’i vënë në jetë parimet demokratike e të respektojnë plotësisht të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe të drejtën për jetën, lirinë e mbledhjes, të shtypit e të shprehjes”, në një vend, ku “po vihen në pranga “vetë të drejtat më themelore të njeriut”.

Të njëjtën thirrje bëjnë edhe ipeshkvijtë katolikë të Bjellorusisë, që kërkojnë të vërtertën, mbi bazën e dialogut paqësor ndërmjet liderëve politikë bjellorusë dhe mbarë shoqërisë, për të shmangur vazhdimin e dhunës!

Mos harroni, pra: nesër, në orën 18.00 – një Atynë për Bjellorusinë!

17 gusht 2020, 13:55