albania-440742_1280AEM.jpg

“L’Osservatore Romano” udhëton për në Shqipëri

Me një fotografi të bukur të Urës së Mesit në Shkodër e me dëshirën për të zbuluar “bukuritë e fshehura të Tokës së shqipeve”, gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” bën një “Udhëtim në Shqipëri”, përmes artikullit të gazetares Flaminia Marinaro.

R.SH. - Vatikan

Autorja vëren që në fillim se mjaftojnë pak orë për të kapërcyer Kanalin e Otrantos e për t’u zhvendosur nga Italia në Shqipëri, madje, Kepi i Gjuhëzës shihet mirë nga brigjet italiane, kur qielli është i pastër e koha, e mirë. “Me bukuri, që të ndal frymën, Shqipëria mbetet akoma, në shumë prej pjesëve të saj, një vend gati i panjohur e i pazbuluar. Vitet e gjata të diktaturës komuniste e izoluan nga bota: një vend i mbyllur në vetvete, autarkik, që ndaloi çdo lloj feje për gjithë popullsinë. Vetëm në vitet 90 të shekullit të kaluar filloi kthesa, që e bëri Shqipërinë të hapej për Perëndimin”.

Pas këtyre penelatave të shpejta për të përshkruar historinë e kohëve të fundit të atdheut të shqipeve, gazetarja kujton vizitën e Papës Françesku dhe atë vëllazërim fetar, që Ati i Shenjtë e vuri në dukje si një nga tiparet themelore të popullit shqiptar. Pastaj, udhëtimi nis nga Ksamili, me një plazh prej 6 km, me gjire të vogla shkëmbore, shpella e bimë mesdhetare. “Një veng magjik – i duket gazetares – ku deti i kristaltë, fshati i lashtë i peshkatarëve dhe tingujt e çrregullt të flautëve, tambureve e klarinetave prej guri, ose kallami, janë sfondi i një jete, që nuk ndërpritet deri në agim”.

Gjirokastra
Gjirokastra

Më pas, i vjen radha Gjirokastrës, vend i mbrojtur nga Unesco, që i ka rrënjët në shekullin III para Krishtit. Flaminia Marinaro mahnitet me Kështjellën e Ali Pashë Tepelenës dhe vendos ta kalojë natën në një nga shtëpitë otomane, që të zotët, tashmë, i kanë shndërruar në vende vërtet të gurta, por të këndshme për turistët. Të nesërmen, vijon udhëtimi për në Berat, por jo pa vizituar më parë Syrin e Kaltër, me një “transparencë sublime”, shkruan gazetarja, “një thesar akoma i virgjër dhe i paprishur”, para të cilit mahnitet.

“Zhvendosja në Shqipëri – vëren në artikull – nuk është fort e rehatshme. Mungon krejtësisht shërbimi hekurudhor dhe rrugët janë shpesh të vështira, por fatmirësisht vendi është mjaft i vogël, sa Piemonti në Itali e, pas pak kohe, mbërrijmë në destinacion”. Interesante, mënyra si e sheh gazetarja kapërcimin e lumit Shkumbin: “Nuk është fjala vetëm për të kapërcyer një urë – vë në dukje ajo – por një kufi të vërtetë shpirrëror. Duhet të lëmë pas universin bizantin e vazhdimësinë e tij otomane, për t’u futur në një rajon thellësisht të ndryshëm”. Pasi kalon në rrëzë të Malit Tomorr, i shenjtë për bektashinjtë, gazetarja mbërrin në Berat, në qytetin e njëmijë dritareve, ku i bën përshtypje ndërthurja e kishave me xhamitë, që bashkëjetojnë në kuadrin e arkitekturave të përsosura e në atmosferën e karakterizuar nga kënga e hoxhëve, që i ftojnë njerëzit në lutje, bashkë me tingujt e kambanave të kishave. Flaminia Marinari përshkruan lagjen ortodokse, Goricën, dhe atë myslimane, Mangalemin, për të përfunduar me kishat bizantine të Kalasë. I takon të shohë edhe një martesë tradicionale në qytet, duke kujtuar librin e Anilda Ibrahimit, “Rosso come una sposa” (Kuq si nusja), nga i cili ka mësuar ritet e këtyre kremtimeve.

Ura e Mesit
Ura e Mesit

E pastaj, vijon udhëtimin për në Krujë, me pazarin e saj të rindërtuar, siç ishte dikur. “Duket sikur koha është ndalur në vitet e Rilindjes e të gjesteve të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, heroit kombëtar”, shkruan ajo. Por, çasti më i veçantë, i përjetuar me emocion të thellë për gazetaren, është vizita në Shkodër. Jo kudo, por në në kishën e françeskanëve, ku i çon një murgeshë klarise. “Dhimbja e pafund e asaj toke të martirizuar – përshkruan ndjenjat e saj e të grupit, Flaminia Marinari – na pushton me gjithë forcën e saj. Tregimi i vuajtjeve të persekutimit është i gdhendur në këto mure, në qelat e dikurshme të fretërve, shndërruar në burgje e vende torturash. Shohim telat me gjemba me të cilat mbështilleshin të burgosurit e mbyteshin me goditje elektrike. Gjithë ky tmerr na bën të vetëdijshëm se ndoshta, bota e kujton tepër pak atë histori, që nuk është aq larg e as aq e huaj, por vetëm e panjohur”.

Kisha e françeskanëve - Shkodër
Kisha e françeskanëve - Shkodër

 E pastaj, shenjtërorja e Shna’Ndout në Laç, ku gazetarja e “L’Osservatore Romano”-s dhe grupi i saj çuditen me masën e madhe të njerëzve, por edhe me qetësinë e heshtjen e tyre, ndërsa përqendrohen në lutje. Gjatë fluturimit të kthimit, në avion, shohin filmin “Lamerica” të Gianni Amelio-s, që kujton zbarkimin e anijes Vlora, në gusht 1991 në Bari, kujtim i afërt e largët njëkohësisht. “Vështrojmë nga larg, përtej reve e na duket se arrijmë të shohim copëzën e fundit të asaj toke të premtuar, Vendit të Shqiponjave”, janë fjalët e fundit të artikullit për gazetën vatikanase.

13 korrik 2020, 17:34