Votimet politike në Serbi Votimet politike në Serbi 

Serbi: në zgjedhjet parlamentare fiton partia e presidentit Vuciç. Në agjendë, marrëdhëniet me Kosovën.

Fitore e plotë e presidentit serb Alexander Vuçiç. Në parlament do të bëjnë pjesë edhe përfaqësuesit e pakicave kombëtare: hungarezët, shqiptarët e boshnjakët.

R. SH. - Vatikan

Fitore e plotë e presidentit serb Alexander Vuçiç, burri i fortë i Beogradit, në udhëheqje të vendit që nga viti 2014. Ky është rezultati i zgjedhjeve politike, zhvilluar dje në Serbi, në të cilat Partia progresiste (konservatore) e Vuçiçit është partia politike me 63% të votave e me rreth 187 parlametarë, mbi një totale prej 250. Pragun  e 3% për të hyrë në Skupstina (parlamenti serb), e kaluan vetëm dy parti të tjera: socialistët e Ivica Daçiç, aleat historik i Vuçiçit, me më pak se 10% të votave, dhe formacioni i ri “Fitorja për Serbinë”, udhëhequr nga ish-kampioni i palanotit, Alexander Sapiç. Në kutitë e votimit shkuan rreth 44,9% e zgjedhësve. Në parlament do të bëjnë pjesë edhe përfaqësuesit e pakicave kombëtare: hungarezët, shqiptarët e boshnjakët.

Shumë nga partitë historike të opozitës e bojkotuan votimin, duke denoncuar se në vend mungojnë kushtet demokratike për zgjedhje të rregullta, ndërmjet të cilave, edhe masat kundër Covid-19. Bënë, kështu, thirrje për të mos shkuar tek kutitë e votimit e për të mos e ligjëruar “regjimin autoritar” dhe “pushtetin autokratik” të presidentit Vuçiç që, sipas tyre, “i kontrollon plotësisht mediat”.

Në këtë sfond, Vuçiç  e quajti fitoren e  tij “çast historik e shenjë vigane e besimit, që i dhanë qytetarët serbë, më e larta e regjistruar ndonjëherë në vend”.

Ndërkaq, për Beogradin nisi një javë impenjative: sot Vuçiç takohet me përfaqësuesin e BE-së për negociatat me Kosovën, Miroslav Lajcak, ndërsa nga fundi i javës, në Washington, do të zhvillohen bisedime, për të njëjtin argument e nesër presidenti serb do të shkojë në Moskë, për një takim me Vladimir Putin, aleat tjetër historik i partisë, që qeveris Beogradin.

22 qershor 2020, 13:51