Princi Charles e kardinali Nichols  nё Romё Princi Charles e kardinali Nichols nё Romё 

Koronavirus Kovid-19: Nё Mbretërinё e Bashkuar Kishat tё mbyllura deri në korrik. Ipeshkvijtë tё pakënaqur

Koronavirus Kovid-19: Nё Mbretërinё e Bashkuar, Kishat tё mbyllura deri në korrik. Walsh, "qeveria nuk i konsideron nevojat e komuniteteve fetare”. Kardinali Londrёs Vincent Nichols bënë thirrje për hapjen e Kishave.

R.SH. - Vatikan

"Për kryeministrin Britanik, Boris Johnson dhe ministrat e tij, komunitet fetare nuk kanë një rëndësi thelbësore për jetën e shumë qytetarëve britanikë". Me këto fjalë, Brendan Walsh, drejtor i së përjavshmes katolike angleze " The Tablet” komenton vendimin e qeverisë Britanike për t’i mbyllur Kishat e krishtera si dhe vendet tjera tё kultit edhe për lutjet individuale.

"Qeveria pati vendosur që Kishat do të rihapeshin në fazën e tretë të heqjes së lockdown, së bashku me berberët, parrukierёt dhe kinematë, të shtunën më 4 korrik. Ipeshkvijtë katolikë, duke parë qё qendrat e kopshtarisë dhe dyqanet e makinave tashmë janë hapur, e po kёshtu të gjitha dyqaneve të tjera do t'u jepet leja e rihapjes, të hënën më 15 qershor, kërkuan që me këtë rast të rihapen edhe Kishat, të paktën, për lutjet individuale të besimtarëve", shpjegon drejtori Walsh.

"Për këtë qëllim ipeshkvijtë e Britanisë Madhe i kanë shkruar qeverisë së vendit duke paraqitur një plan pёr rihapjen e vendeve të kultit, në përkim me respektimin e  të gjitha masave të nevojshme shëndetësore, për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Megjithatë qeveria britanike ka vendosur t’i thotë jo rihapjes së Kishave dhe vendeve tjera të kultit. Para këtij qëndrimi, duhet të përfundojmë që qeveria e Londrës nuk i merr seriozisht nevojat e komuniteteve fetare”.

Sipas Brendan Walsh, "Kishat nuk kontribuojnë drejtpërsëdrejti në ekonominë britanike në një mënyrë të rëndësishme, për këtë arsye, konsiderohen si të parëndësishme nga qeveria e Boris Johnson."Prioriteti i qeverisë britanike, në këtë moment, me rihapjen e dyqaneve e të kompanive, është rinisja dhe  rimëkëmbja e ekonomisë, megjithë rrezikun që ekziston për shëndetin publik ". “Pasi Kishat nuk janë vendimtare për të ardhurat e shtetit, qeveria e Londrës ka vendosur t'i mbajë edhe më tej të mbyllura.

Ky qëndrim, që dëshmon se qeveria nuk tregon kurrfarë vëmendje ndaj besimtarëve të çfarëdo feje a komuniteti qofshin, i ka shqetësuar ipeshkvijtë katolikë të Britanisë së Bashkuar, të cilët deri sot, kanë respektuar vendimin e qeverisë për t’i mbajtur të mbyllura vendet e kultit". Për këtë arsye, sipas Walsh, primati katolik, kardinali Vincent Nichols ka bërë thirrje, gjatë një bisede me Bbc, për hapjen e Kishave, ndërsa kryeipeshkvi i Southwark, John Willson i ka shkruar kryeministrit britanik Boris Johnson, duke shprehur pakënaqësinë e ipeshkvijve të vendit.

03 qershor 2020, 11:37