Albania steps up health security measures over coronavirus outbreak  (ANSA) Albania steps up health security measures over coronavirus outbreak (ANSA) 

Barazia e pagesës: dhunime në 14 ndër 15 vende evropiane

Në 14 nga 15 vendet, nuk i zbatojnë procedurën e ankesave kolektive të Kartës Shoqërore Evropiane. Suedia, mund të mburret se i plotëson kërkesat për barazinë e pagesave ndërmjet burrave e grave. Ky është rezultati i studimit të Komitetit Evropian për të Drejtat Shoqërore, organ i Këshillit të Evropës, i cili vuri në dukje shkelje të së drejtës për pagë të barabartë dhe të së drejtës për mundësi të barabarta në vendin e punës.

R.SH. - Vatikan

Katërmbëdhjetë vende evropiane nuk e kalojnë testin e vetëm njëri prej tyre, Suedia, mund të mburret se i plotëson kërkesat për barazinë e pagesave ndërmjet burrave e grave. Ky është rezultati i studimit të Komitetit Evropian për të Drejtat Shoqërore, organ i Këshillit të Evropës, i cili vuri në dukje shkelje të së drejtës për pagë të barabartë dhe të së drejtës për mundësi të barabarta në vendin e punës, në 14 nga 15 vendet, që zbatojnë procedurën e ankesave kolektive të Kartës Shoqërore Evropiane. Me fjalë të tjera, gratë paguhen më pak se burrat, për të njëjtën punë, në Belgjikë, Bullgari, Qipro, Kroaci, Finlandë, Francë, Greqi, Irlandë, Itali, Norvegji, Hollandë, Portugali, Republikën Ҫeke dhe Slloveni. Vetëm situata në Suedi plotëson kriteret e Kartës.

 “Hendeku ndërmjet pagave, për arsye gjinore, është i papranueshëm, megjithatë ai vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për të arritur barazinë e vërtetë në shoqëritë moderne”, shpjegon Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić nga Strasburgu. “Qeveritë evropiane duhet urgjentisht të shtojnë përpjekjet për të siguruar mundësi të barabarta në vendin e punës. Dhe më shumë shtete duhet të përdorin Kartën Shoqërore Evropiane të Këshillit të Evropës si mjet për ta arritur këtë”. Studimi vuri në dukje se ‘ndryshimi ndërmjet pagave është ngushtuar në disa vende, por ky përparim është ende i pamjaftueshëm”.

Komiteti arriti në përfundimin se “legjislacioni i 15 vendeve në shqyrtim është i kënaqshëm”, por zbatimi i tij në praktikë lë për të dëshiruar. Mungon transparenca e pagave në tregun e punës, mungojnë mjetet juridike për të kërkuar barazinë e pagesës dhe nuk u jepet pushtet i mjaftueshëm organizmave kombëtare për promovimin e barazisë ndërmjet burrit e gruas. Gjithashtu, “gratë vazhdojnë të jenë pak të përfaqësuara në pozicionet vendimmarrëse, sidomos, brenda kompanive private”.

 Komiteti Evropian për të Drejtat Shoqërore verifikon angazhimet e shteteve për zbatimin e të drejtave të njohura nga Karta Shoqërore Evropiane, përmes dy mekanizmave: ankesave kolektive, të cilat mund të paraqiten nga sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve, si dhe nga organizata të tjera jo-qeveritare (procedura e ankesave kolektive) dhe, përmes raporteve periodike kombëtare të paraqitura nga qeveritë (procedura e raportimit).

Sipas Kartës Shoqërore, e drejta për pagë të barabartë duhet të garantohet me ligj. Në veçanti, shtetet kanë këto detyrime: të njohin në legjislacionin e tyre të drejtën për pagë të barabartë për të njëjtën punë, ose për një punë me vlerë të barabartë; të sigurojnë mjete juridike të frytshme për viktimat e diskriminimit; të sigurojnë transparencën e pagave dhe të bëjnë të mundur krahasimin e tyre; të kenë organe të frytshme për promovimin e barazisë dhe institucione kompetente për të siguruar pagesën e barabartë në praktikë. Komiteti këshillon që në gjendjen aktuale, duhet punuar më shumë, jo vetëm për të zgjedhur më shumë gra në role drejtuese, por edhe për të shmangur përqendrimin e panevojshëm të burrave në sektorë të caktuar ekonomikë, që kulturalisht, janë konsideruar gjithnjë si “punë për burra”.

29 qershor 2020, 13:55