1583308993221.jpg

Lajme nga bota

Janë dy, emergjencat, që kanë mbërthyer Evropën dhe botën. Nga njëra anë, koronavirusi, që ka goditur veçanërisht Kinën, por edhe Korenë e Jugut, Iranin dhe Italinë e vende të tjera, ndërsa, nga ana tjetër, emergjenca e refugjatëve sirianë në ikje nga Turqia, shtyrë nga kryeministri Erdogan drejt Greqisë dhe Bullgarisë. Lajme edhe nga SHBA-të, Izraeli e vende të tjera.

R.SH. - Vatikan

Kanada, veprimtarët katolikë të gjithë vendit, së bashku me kardinalin Thomas Collins, kryeipeshkëv metropolit i Torontos, denoncojnë ndryshimet në ligjin për vdekjen e asistuar. Ato e zgjerojnë mundësinë për të kërkuar eutanazinë, ndërsa Kisha Katolike dëshiron që politikanët kanadezë të impenjohen për ligje, që përmirësojnë përdorimin e terapive paliative.

         Bashkimi Evropian dërgoi delegacione në Turqi e në Greqi, në përpjekjen për të ndalur fluksin e migrantëve, sidomos nga provinca siriane e Idlibit, ku kanë shpërthyer luftime të reja. Kryetarja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi 700 milion euro ndihmë për Greqinë. Me vendimin për të hapur kufirin e për t’i lënë emigrantët të dynden në Evropë nga vendet në konflikt, si Siria, Turqia kërkon mbështetjen perëndimore kundër qeverisë siriane. Nesër kryeministri turk Erdogan takohet me presidentin rus Putin, në Moskë.

         Arrijnë dalëngadalë rezultatet e së ashtuquajturës “Super Tuesday” në SHBA-të. 14 shtete amerikane, ndër të cilat Teksas dhe Kalifornia, votuan dje për të zgjedhur kandidatin e Partisë Demokratike, që do të sfidojë presidentin aktual Trump, republikan. Caktohet një e treta e të ashtuquajturve “zgjedhës të mëdhenj”, ose superdelegatë e, me sa duket, në betejën ndërmjet Bernie Sanders e Joe Biden, ka fituar ky i fundit.

         Kujtojmë se zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen më 3 nëntor 2020. Duke qenë “jo të drejtpërdrejta”, populli voton fillimisht për ata, që quhen “zgjedhës të mëdhenj”, të cilët, më 14 dhjetor 2020 do të mblidhen në Kolegjin zgjedhor për të caktuar presidentin e ri të SHBA-ve dhe zëvendësin e tij.

         Pavarësisht nga akuzat për korrupsion, kryeministri izraelit Netanyahu fiton zgjedhjet parlamentare e 36 vende në Knesset. Me partitë aleate të Likoud-it, koalicioni fitimtar mund të arrijë në 59 vende në parlament, por duhen edhe dy të tjerë për shumicën absolute. Më 10 mars, presidenti izraelit Rivlin do të fillojë konsultimet për të formuar qeverinë brenda 17 marsit.

         Vendet perëndimore organizohen për të zvogëluar ndikimin ekonomik të epidemisë së koronavirusit, që deri tani, ka shkaktuar 3200 të vdekur dhe ka infektuar 92 mijë vetë në gjithë botën. Në Kinë, ku 50 mijë vetë janë shëruar tashmë (ndër 80.200 të sëmurë), numri i infektimeve të reja është në ulje për ditën e tretë radhazi. Ndërkaq, në Korenë e Jugut e në Iran, zonat me probleme më të mëdha nga Covid-19, virusi vazhdon të përhapet. Organizata Botërore e Shëndetësisë denoncon mungesën e pajisjeve mbrojtëse.

04 mars 2020, 15:03