Aeroportet bosh Aeroportet bosh 

Koronavirus, rritet numri i të infektuarve dhe kufizimet

Numri i viktimave të koronavirusit në botë e ka kapërcyer atë të Kinës. Pandemia frikëson kontinentet. Masat kufizuese, tashmë, janë marrë nga shumë vende. Shqipëria ka më se 50 të infektuar. 10 milion lekë gjobë për strukturat shëndetësore, që lejojnë grumbullimin e njerëzve.

R.SH. - Vatikan

Janë numra, që azhurnohen vazhdimisht, ato të të infektuarve me koronavirus në gjithë botën. Sipas buletinit të fundit, publikuar nga Universiteti amerikan Johns Hopkins, 87.000 vetë janë infektuar aktualisht në gjithë botën.

Në Evropë, e cila është bërë epiqendra e re e pandemisë, qeveritë reagojnë duke marrë masa kufizuese, që nga mbyllja e shkollave, zyrave dhe shërbimeve jo thelbësore, deri në bllokimin e kufijve. Austria dhe Spanja, të cilat ndjekin modelin italian, janë praktikisht të mbyllura: popullsisë i kërkohet të rrijë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur dhe të dalë vetëm për të blerë ushqime e për të shkuar në punë. Shtohen të infektuarit edhe në Francë, ku spitalet po vuajnë, për shkak të urgjencave të shumta. Presidenti Emanuel Macron i flet sot gjithë vendit.

Për Italinë “javë vendimtare”

          “Shkencëtarët thonë se ende nuk kemi arritur pikun, këto janë javët më të rrezikshme dhe kemi nevojë për masa parandaluese maksimale”, deklaroi, ndërkaq, kryeministri Conte, i cili u kërkon italianëve të vazhdojnë të rrinë në shtëpi dhe të shmangin kontaktet. Mbetet e vështirë situata në Lombardi, e cila shënon gjysmën e vdekjeve të regjistruara në Evropë. Në spitale, luftohet kundër kohës për të përballuar emergjencën e, sipas Shoqatës së Anestezistëve Reanimatorë Spitalorë, fillojnë të mungojnë maskat me mbrojtje më të madhe, të përdorura posaçërisht në terapitë intensive. Këshilli i Ministrave miratoi sot dekretin prej 25 miliardë eurosh për të mbështetur ekonominë, ndërsa në Jug të vendit pritet rritja e infeksioneve, për shkak të atyre, që vijnë nga Veriu. Siçilia vendosi ndalimin e të gjitha lidhjeve, duke garantuar vetëm 2 fluturime në ditë për Romën dhe Milanon.

Frikë edhe në anë të tjera të botës, veçanërisht në Afrikë

Koronavirusi frikëson edhe Afrikën, ku janë prekur nga Covid-19, 27 vende – i fundit, Liberia. Edhe këtu janë bllokuar fluturimet me avion drejt dhe nga shtetet e huaja më të prekura nga pandemia, janë mbyllur kufijtë dhe janë ndaluar të gjitha manifestimet publike. Këto janë disa nga masat e qeverive të ndryshme afrikane për të parandaluar që numri aktualisht i ulët i infeksioneve të rritet, duke e sprovuar rëndë sistemin shëndetësor afrikan, që nuk është nga më të zhvilluarit. Përveç Algjerisë dhe Tunizisë, është prekur më shumë zona subsahariane, në veçanti Etiopia, Gana, Kenia, Sudani dhe Afrika e Jugut. Masa parandaluese edhe në shtetet, që akoma nuk kanë infeksione. Madagaskari ka vendosur të ndalë për tridhjetë ditë, fluturimet drejt dhe nga Evropa. Masa po merren nga orë në orë edhe në pjesën tjetër të botës. Ndërsa Kina po lufton me të ashtuquajturat “infeksione të kthimit”, por regjistron të dhëna pozitive për shërimin e të infektuarve të brendshëm, situata në Iran mbetet shqetësuese. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit, në konferencën e tij të përditshme, foli për 14.991 persona të infektuar. Një viktimë e parë për Covid-19 raportohet edhe në Gjirin Persik: është një grua, që vdiq në Bahrein.

Në SHBA-të, ndalen Nju Jorku, Los Anxheles dhe Las Vegas

Kufizime edhe në SHBA-të, ku rastet me koronavirus kanë tejkaluar 3.500 vetë, me 65 viktima. Në Nju Jork, shkollat, restorantet, kinematë dhe teatrot janë mbyllur. Mbeten hapur vetëm ato lokale, ku ushqimi merret me vete në shtëpi. Në Los Anxheles janë mbyllur të gjitha kazinotë. Zv.presidenti Pence njofton për kufizime federale në orët e ardhshme. Ndërkohë, në vend, tema e koronavirusit bëhet thelbësore në debatin politik, veçanërisht kur ajo lidhet me primaret demokratike për të zgjedhur kandidatin e ardhshëm për president.

Pasojat mbi ekonominë

Me përhapjen e infeksionit, shtohen shqetësimet për ekonominë globale. “Pandemia krijon një rrezik real, në rritje, për një kthim mbrapsht global - paralajmëron Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. - Asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm”. Ai i fton të gjitha shtetet të bashkëpunojnë për ripërtëritjen e ekonomive, për zgjerimin e investimeve publike, për promovimin e shkëmbimeve tregtare dhe për mbështetjen e njerëzve e të bashkësive. E nëse marrim parasysh ndikimin e pandemisë në ekonomitë kombëtare, Kina tashmë po përballet me një ulje prej 15% të prodhimit industrial. Efekti koronavirus frikëson edhe bursat: fundosen ato evropiane, ndërsa ato aziatike mbyllin me shenjë negative.

16 mars 2020, 18:38