Dita e Kujtesës: “Holokausti, tragjedi evropiane”

Në një deklaratë të përbashkët, kryetarët e Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit të BE-së, kujtojnë 75-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit nazist, Aushvic-Birkenau.

R.SH. - Vatikan

“75 vite më parë, forcat aleate çliruan kampin nazist të përqendrimit Aushvic-Birkenau, duke i dhënë kështu fund krimit më të urryer në historinë evropiane: shfarosjes së planifikuar të hebrenjve në Evropë. Gjashtë milion fëmijë, gra dhe burra hebrenj u vranë bashkë me miliona njerëz të tjerë të pafajshëm, përfshirë qindra mijëra romë, të persekutuar për etninë e tyre.

Çmimi i paguar qe jashtëzakonisht i lartë, por nuk mund të kishte triumf më simbolik dhe më të madh mbi nazizmin sesa përkujtimi i kësaj fitoreje në Izrael”. Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e institucioneve evropiane: Ursula von der Leyen, Charles Michel, David Maria Sassoli, përkatësisht kryetarë të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Evropian, i referohen Forumit V Botëror për Kujtimin e Holokaustit, që u mbajt të enjten, më 23 janar, në Yad Vashem të Izraelit. Kujtojmë se më 27 janar 1945, kampi i Aushvic-Birkenaut u çlirua nga forcat e Armatës Sovjetike e kjo datë, me vendim të OKB-së, kremtohet çdo vit si Dita e Kujtesës, për të mos harruar ç’ndodhi, që ajo histori mizore të mos përsëritet më.

Kujtimi i Shoah-ut nuk është qëllim në vetvete

“Revizionizmi dhe mungesa e arsimimit - lexohet në tekstin e krerëve evropianë – e kërcënojnë kuptimin e përbashkët të unicitetit të Shoah-ut, i nevojshëm për ta shndërruar britmën ‘Kurrë më!’ në veprime konkrete. Me pjesëmarrjen tonë në takimin e krerëve të shteteve dhe të qeverive në Jeruzalem, ne i bashkojmë zërat me ata, që duan t’i ndalojnë me vendosmëri ekstremistët dhe populistët të kapërcejnë, pa u shqetësuar, çdo vijë demarkacioni, duke vënë në diskutim - edhe një herë - dinjitetin njerëzor dhe barazinë e të gjithë njerëzve”.

Holokausti, pohojnë tre nënshkruesit, “ishte tragjedi evropiane, një çast i rëndësishëm në historinë tonë, trashëgimia e të cilit bën pjesë në ADN-në e Bashkimit Evropian. Kujtimi i Shoah-ut nuk është qëllim në vetvete. Është një nga gurthemelet e vlerave evropiane në një Evropë, që e vendos humanitetin në qendër, mbrojtur nga sundimi i ligjit, i demokracisë dhe i të drejtave themelore”.

Antisemitizmi po zgjohet sërish

Tre përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian mendojnë se, aktualisht, “jemi në udhëkryq. Ndërsa numri i të mbijetuarve të holokaustit bëhet gjithnjë e më i vogël, - shkruajnë ata - duhet të gjejmë mënyra të reja për të kujtuar, duke dëgjuar dëshmitë e pasardhësve të tyre, të cilët na bëjnë thirrje të jemi vigjilentë përballë valës në rritje të antisemitizmit, i cili i kërcënon vlerat e shtrenjta për ne: pluralizmin, larminë, lirinë e fesë dhe të shprehjes. Vlera, që i mbrojnë pa dallim të gjitha pakicat, tani e përgjithmonë. Bashkësitë hebraike - nënvizojnë ata - kanë kontribuar në formimin e identitetit evropian dhe gjithmonë do të jenë pjesë përbërëse e tij. Të gjithë protagonistët e shoqërisë sonë, të vjetër e të rinj, duhet ta përvetësojnë mësimin, që rrjedh nga pësimi i Shoah-ut”.

Në këtë Ditë të Kujtesës, pra, theksojnë Ursula von der Leyen, Charles Michel e David Maria Sassoli, “është detyra jonë t’u qëndrojmë pranë bashkësive hebraike, të cilat kërcënohen sërish në Evropë. Të gjitha vendet anëtare të BE-së deklarojnë njëzëri e fuqishëm se nuk ka vend në Evropë për asnjë formë racizmi, antisemitizmi dhe urrejtjeje, formë, që ne do ta luftojmë me të gjitha mënyrat e mundshme”. Së fundi, shkruajnë krerët evropianë, është e nevojshme “që autoritetet kombëtare dhe protagonistët e çdo sektori të shoqërisë civile të bashkohen për të theksuar se Evropa është e do të jetë vendosmërisht vigjilente, kudo dhe kurdoherë që të kërcënohen vlerat demokratike”.

27 janar 2020, 09:51