2020.01.13 Anniversario manifestazione anticomunista a Scutari 1990-2020

30-vjetori i demonstratës së parë antikomuniste në Shkodër

Më 14 janar 1990, rreth 3 mijë qytetarë shkodranë dolën në sheshin e qytetit, aty ku ishte busti i Stalinit, - diktator i përbuzur edhe nga vetë rusët, por akoma i nderuar në Shqipëri – për të kërkuar heqjen e asaj shëmtie në qendër të qytetit e për t’i treguar regjimit të Ramiz Alisë, që kishte zëvendësuar atë të Enver Hoxhës, se nuk do ta duronin më zgjedhën komuniste.

R.SH. - Vatikan

Përkujtohet nesër në Shkodër, 30-vjetori i demonstratës së parë antikomuniste në Shqipëri. Më 14 janar 1990, rreth 3 mijë qytetarë shkodranë dolën në sheshin e qytetit, aty ku ishte busti i Stalinit, - diktator i përbuzur edhe nga vetë rusët, por akoma i nderuar në Shqipëri – për të kërkuar heqjen e asaj shëmtie në qendër të qytetit e për t’i treguar regjimit të Ramiz Alisë, që kishte zëvendësuar atë të Enver Hoxhës, se nuk do ta duronin më zgjedhën komuniste.

 Manifestimi nuk ishte aspak i improvizuar, sepse u organiza nga një grup i njohur tashmë. Ishin Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rini Monajka, Kolec Humblina, Flamur Elbasani e të rinj të tjerë, që i ftuan shqiptarët të kapërcenin frikën e terrorit. Në heshtje, shkodranë nga të gjitha lagjet u mblodhën atëherë grusht rreth këtij grupi, pa u trembur nga forcat e policisë e nga dhjetra sambistë, që i patën rrethuar. Edhe pse nuk u arrit të rrëzohej busti i Stalinit e, Kolec Hublina, që ishte caktuar të fliste para të gjithëve, nuk mundi ta kryente këtë detyrë, efekti i kësaj demonstrate ishte i jashtëzakonshëm. Regjimit të Tiranës po i vinte fundi.

Nuk vonuan arrestimet e gjithë organizatorëve. Sidomos Rini Monajka u torturua në mënyrë çnjerëzore dhe pak vite pas rënies së komunizmit vdiq. Në fund të prillit 1990, grupi i Shkodrës u gjykua, duke i hequr të drejtën e apelimit. Dënimet qenë të ashpra (50 vite burgim), por kishte filluar epoka e ndryshimeve politike në Evropë e regjimi nuk mund t’i pushkatonte më disidentët antikomunistë. Pavarësisht se u burgosën, anëtarët e grupit u liruan në janar e në mars të vitit 1991.

Nesër, qendra MEMO dhe revista “Shejzat” organizojnë një ditë përkujtimore në Shkodër, që parashikon përsëritjen simbolike të demonstratës së 30 viteve më parë, dëshmi, dokumentarë e tryeza të rrumbullakëta me protagonistët, dëshmitarët, gazetarët e personalitetet e kulturës. Përfaqësues të dy shoqatave do të dorëzojnë në Bashkinë e Shkodrës një kërkesë për të nderuar Rini Monajkën me një titull e për t’i vënë emrin e tij një rruge në qytet. Përveçse në shesh, veprimtaritë do të zhvillohen në Kinema Milenium dhe në qendrën rinore ARKA.

Programi i ditës, 14 janar 2020:

11.30-12.00: Grumbullimi i njerëzve në pedonalen e qytetit, si para 30 vitesh.

12.30-13.15: Lëvizje drej pikës qëndrore të demostratës, ku në kohën e regjimit qëndronte monumenti i Stalinit.

13.15-13.45: Tre fjalime të shkurtëra në kujtesë të viktimave të demostratës.

13.45-13.55: Dorëzimi publik tek Bashkia e Shkodrës nga shoqatat MEMO dhe SHEJZAT e kërkesës për të nderuar organizatorin kryesor të demostratës së para 30 viteve, z. Rini Monajka me një titull nderi dhe për të emëruar në emrin e tij një rrugë në qytet.

16.00-19.00: Pasdreke “In memoria” – Kinema Millenium.

16.00-16.30: a) Monologje të serisë: “… i përkasim njëri tjetrit…”

16.30-18.00: b) Tavolinë e rrumbullakët

18.00-19.00: c) Film dokumentar

19.00-20.30: Mbrëmje në rreth të mbyllur me protagonistë, dëshmitarë okularë, gazetarë, personalitete të kulturës, diplomatë, etj. – ARKA.

13 janar 2020, 16:28