Cop 25 u mbajt në Madrid nga 2 deri më 15 dhjetor 2019 Cop 25 u mbajt në Madrid nga 2 deri më 15 dhjetor 2019 

Dështoi Cop25 e Madridit, Marrëveshja e Parisit duhet shpëtuar më 2020

Përfundoi dje, pa rezultate pozitive, Konferenca e OKB-së për klimën në Madrid, që pati si objektiv kryesor, arritjen e marrëveshjes për uljen e emetimeve të gazit serë deri në zero, brenda vitit 2050. Pas gjashtë muajsh, një takim i ri në Bon, pastaj Cop26 në Glasgou, në nëntor 2020. Në një mesazh, Papa u pati kërkuar pjesëmarrësve të mos e humbnin “rastin për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët”.

R.SH. - Vatikan

Nuk shërbeu për asgjë shtyrja 48-orëshe, deri pas ditës së parashikuar për përfundimin e punimeve, që, faktikisht, e bëri konferencën e Madridit për klimën, më të gjatën në histori: Cop25 dështoi. Rreth 200 vendet pjesëmarrëse sinjalizuan “nevojën urgjente” për të vepruar kundër ngrohjes globale, por pa arritur ndonjë marrëveshje thelbësore. Në një mesazh, edhe Papa Françesku u pati shkruar pjesëmarrësve, pa e fshehur keqardhjen e tij për vullnetin e pamjaftueshëm politik në ndryshimin e modelit aktual të zhvillimit.

Asnjë marrëveshje e rëndësishme

         Pas dymbëdhjetë ditë bisedimesh dhe pas dy ditëve shtesë për të arritur në një qëndrim të përbashkët, asnjë marrëveshje. Gjithçka shtyhet kështu të paktën për gjashtë muaj, kur në Bon do të mbahet takimi i ri për klimën, përgatitor për konferencën vendimtare të nëntorit, Cop26, në Glasgou. Ndër çështjet më të rëndësishme, që u diskutuan në konferencën e OKB-së, neni 6 i Marrëveshjes së Parisit për normat, që rregullojnë tregun ndërkombëtar të karbonit. Suksesi i vetëm i Madridit është angazhimi i vendeve të pasura për të përcaktuar, brenda vitit të ardhshëm, kontributin e tyre kombëtar për klimën. Vendet e rrezikuara, viktima të motit ekstrem (siç janë ishujt e vegjël të Paqësorit), mund të shpresojnë vetëm që vendet më të pasura të përcaktojnë sa më shpejt impenjimin e tyre për të zvogëluar gazin serë deri në vitin 2030. Në takimin e ardhshëm të Glasgout, asnjë vend nuk do të mund t’ia lejojë vetes të mos e marrë përsipër këtë angazhim.

Guterres: “I zhgënjyer, por nuk dorëzohem”

         Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” dhe për Vatican News, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, nënvizon se është “i zhgënjyer” e se “bashkësia ndërkombëtare ka humbur një mundësi të rëndësishme për të qenë më ambicioze” në përballjen me krizën e ndryshimit të klimës. “Nuk duhet të dorëzohemi e, unë nuk do të dorëzohem”, shton ai. Në fjalimin përurues të Cop25, Guterres pati theksuar se njerëzimi është në udhëkryq. “Deri në fund të dekadës tjetër do të gjendemi në njërën prej dy udhëve: e para është rruga e dorëzimit, në të cilën kemi ecur të përgjumur përtej pikës së moskthimit, duke vënë në rrezik shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve në këtë planet. A duam vërtet të kujtohemi si brezi, që fshehu kokën në rërë, që humbiste kohë, ndërsa planeti ndizej zjarr? Tjetra është rruga e shpresës. Një rrugë vendimesh e zgjidhjesh të qëndrueshme. Një rrugë - shton Guterres - në të cilën të gjitha karburantet fosile mbeten aty ku duhet të jenë, nën tokë, e ku do të jemi afër ‘carbon neutrality’ brenda vitit 2050”.

Mesazhi i Papës

         Më 4 dhjetor, Papa u dërgoi një mesazh pjesëmarrësve të Konferencës, duke i ftuar të mos e humbisnin këtë mundësi për ta “ruajtur shtëpinë tonë të përbashkët”. Françesku shprehu keqardhjen për vonesën me të cilën bashkësia ndërkombëtare po përballet me ndryshimin e klimës, që, për Atin e Shenjtë, është “një nga sfidat kryesore të njerëzimit”. Në kapitullin e pestë të enciklikës “Laudato si’”, Papa nuk e kursen gjykimin e ashpër për samitet botërore mbi ambientin dhe për “mungesën e vesndosmërisë politike”. Sigurisht, shpjegon ai, “Kisha nuk pretendon t’i përcaktojë ajo vetë çështjet shkencore e as të zëvendësojë politikën”, por bën thirrje “për një debat të ndershëm dhe transparent, që nevojat apo ideologjitë të mos e dëmtojnë të mirën e përbashkët”. Në mesazhin e Papës për pjesëmarrësit e Cop25 në Madrid, e rëndësishme, kërkesa e Atit të Shenjtë që të mos bjerë mbi të rinjtë detyra e trajtimit të problemeve, shkaktuar nga brezat e mëparshëm. Atyre, u duhet “dhënë mundësia për ta kujtuar brezin tonë si ai që ripërtëriu dhe veproi - me vetëdije të ndershme, të përgjegjshme dhe të guximshme - mbi nevojën themelore për të bashkëpunuar në mënyrë që të ruhet dhe të kultivohet shtëpia jonë e përbashkët”.

16 dhjetor 2019, 16:54