Prof. Evalda Paci Prof. Evalda Paci 

Prof. Evalda Paci: Imzot Pjetër Bogdani e kontributi nё fushën e gjuhës shqipe

Përkujtimi i Imzot Pjetër Bogdanit në 330-vjetorin e largimit nga jeta bën të mundur rikthimin ndaj një sërë çështjesh që lidhen me krijimtarinë e tij në fusha të veçanta e tё ndryshme të dijes.

R.SH. - Vatikan

Përkujtimi i Imzot Pjetër Bogdanit në 330-vjetorin e largimit nga jeta bën të mundur rikthimin ndaj një sërë çështjesh që lidhen me krijimtarinë  e tij në fusha të veçanta të dijes, por dhe ndaj elementesh biografike që kujtojnë përkushtimin ndaj një kauze madhore siç ishte atdhetaria.  Një shkrim komemorativ si ky, i Profesoresha Evalda Pacit, që po ju propozojmë, ka të bëjë dhe me qëmtimin e disa aspekteve të shkrimtarisë së Imzot Pjetër Bogdanit, autor dhe lëvrues i sprovuar i gjuhës së vet amtare. “Vetëdija ndaj rrezikut mbarëkombëtar që paraqiste një pushtim, ai osman, që kishte gjasë të zgjatej në kohë dhe të depërtonte në jetën e popullsisë vendase ka qenë një shtysë konkrete dhe në pikëpamje të përmbushjes së një pune që zgjati në vite dhe që i kushtoi” tёrё jetёn me tё gjitha energjitё qё kishte ipeshkvi, teologu, shkrimtari e patrioti imzot Pjetёr Bogdani.

Evalda PACI: Homazh për mâ të vlertin ndër shkrimtarë të heshëm të shqipes (Imzot Pjetër Bogdanit, in memoriam)

Çdonjëri prej autorëve të letërsisë së vjetër shqipe ofroi për studimet albanologjike dhe për kujtesën historike kombëtare një sërë linjash studimore që zënë fill me hulumtimin e një konteksti kompleks për botën shqiptare të kohës në të cilën jetuan, që vijojnë më tej me të qenit një burim i pasur orientimi për studiues të disa fushave të përafërta, mbi të gjitha të historisë së letërsisë sonë të shkruar e të filologjisë së tekstit.

Përfshirja e secilit prej autorëve të kësaj periudhe në një panoramë studimesh që pikësëpari priret nga historia e letërsisë së shkruar nuk mund të mos shoqërohej nga nënvizimi i vështirësive konkrete në saktësimin e elementeve biografike të çdonjërit, vështirësi që dhe pse relative ndaj çdo individi që përfaqëson me veprën dhe shkrimtarinë e vet këtë ndarje kohore të zhvillimit të shkrimit shqip, përbëjnë një fenomen që vijoi të persistonte dhe gjatë viteve në të cilat kërkimet ndaj jetës dhe veprimtarisë së këtyre prelatëve të letrave shqipe u bënë më këmbëngulëse dhe iu përafruan më ndjeshëm gjurmimeve arkivore, e vetmja rrugë metodike që do të shpinte ndaj të dhënash konkrete dhe indicesh më të qarta. Na bind ndjeshëm në këtë drejtim dhe një shkrim i kohëve të fundit i hartuar nga profesor Bardhyl Demiraj, që përveçse na riafron me një ecuri arritjesh të dekadave të fundit në pikëpamje të kërkimeve ndaj këtij autori, na ndërgjegjëson mbi faktin e moskulmimit të sqarimit të elementeve biografike dhe të Pjetër Bogdanit vetë.[1]

Pjetër Bogdani ka shënuar me veprën e tij mbarë shekullin në të cilin jetoi, një shekull i mbarsur me ngjarje historike që kishin përfshirë në mënyrë të ndjeshme viset tona e krejt Ballkanin. Vetëdija ndaj rrezikut mbarëkombëtar që paraqiste një pushtim që kishte gjasë të zgjatej në kohë dhe të depërtonte në jetën e popullsisë vendase ka qenë një shtysë konkrete dhe në pikëpamje të përmbushjes së një pune që zgjati në vite dhe që i kushtoi  energji angazhimi autorit tonë.

Gjurmimi i elementeve të një epistolografie tipike për kohën përbën dëshmi të qartë të përpjekjeve të tij për të shpënë drejt realizimit një objektiv që nuk paraqitej aspak i thjeshtë sidomos në pikëpamje të brendisë dhe nocioneve që atij do t’i duheshin të shtjellonte në pozitat e një njeriu të shkolluar në kontekste specifike për kohën e që kishin shërbyer dhe për t’i dhënë zyrtarisht veshjen meshtarake. Për t’iu rikthyer sërish çështjes së disponimit të të dhënave që lidhen me jetëshkrimin e autorëve të letërsisë sonë të vjetër shqipe, edhe një fakt i tillë, që për më tepër përbën një pikë lidhjeje të fortë me aspekte të personalitetit të vetë Bogdanit, mund të thuhet se për sa është ndjekur dhe vënë në dukje nga studiuesit e autorit dhe të veprës, përbën një perspektivë njohjeje më të zgjeruar nëse krahasojmë me sa ka qenë e mundur të dihet mbi paraardhësit e tij, përfshirë dhe autorin e Mesharit të vitit 1555.

Falë dhe një ecurie kronologjike që ndiqet prej kohësh në studimet tona e në veçanti në punime që trajtojnë çështje të periodizimit të letërsisë së shkruar shqipe, është e mundur dhe të vihet në dukje që nga vepra në vepër, nga botimi në botim, por dhe brenda qerthullit të ribotimeve të së njëjtës vepër, elemente të caktuara të tekstit, të përmbajtjes dhe të hollësive tipografike e teknike përvijojnë një profil studimor të përveçëm që dhe në rastin e veprës së Pjetër Bogdanit paraqitet i gjerë në argumente dhe i thellë në pikëpamje vëzhgimesh që mund të realizohen.

Ndërsa flitet për autorin dhe për veprën që domosdoshmërisht përbën një element të pazgjidhshëm me vetë personin e tij, natyrshëm mendohet për mbarë shekullin në të cilin panë dritën e botimit vepra që përngjasojnë me të sipërcituarën në pikëpamje objekti, por përfaqësojnë në të njëjtën kohë modele paksa më të ndryshme në pikëpamje të paracaktimit didaktik më konkret dhe shtjellimit më sintetik të përmbajtjes, duke qenë kësisoj Cuneus prophetarum(1685) e vetmja në gjininë e vet, e pasuruar nga përpiluesi i saj nga një sërë elementesh tekstore të cilat dëshmojnë një kulturë jo të zakontë dhe një përgatitje komplekse të përmbushur me vite të tëra, siç dhe mund të kuptohet fare mirë kur bëhet fjalë për një prelat të formatit të tij.

Ars scribendi apo shkrimtaria si prirje e veçantë e një personaliteti që u formësua në proces të një shkollimi kompleks e të orientuar nga dija mbi Hyjin dhe historia e besimit të krishterë gjen konkretizim në pjesë të veçanta të veprës së autorit tonë, ndërkohë që në një vështrim diakronik të diktuar nga vetë koha në të cilën jetojmë, konstatojmë se vlerat që Bogdani u jepte në përdorim e sipër fjalëve aq të dashura prej gjuhës së vet amtare, por dhe emërtimeve më të zgjeruara vijojnë të jenë mahnitëse dhe dëshmi e një pasurie që falë çdo autori që përfaqësoi letërsinë e vjetër shqipe u dokumentua në një kontekst kulturor, por dhe historik të një rëndësie të veçantë. Në një përmasë fort të qartë didaktike, por dhe i prirur nga shpjegime që duheshin mbështetur fort nga tekste të një brendie të thellë teologjike, autori që në Prefationën e veprës së vet evokon rëndësinë e njohjes së fjalës së Hyjit, ndërkohë që në përforcim të kësaj motoje do t’i vijnë në ndihmë sa citime dhe pasazhe biblike, bashkë me dëshmi nga letrat e Apostujve.

Të një interesi të veçantë në përmbajtjen e veprës paraqiten pikërisht ato paragrafe në të cilat vërehet qartë referimi ndaj mësimeve doktrinare të kohës e më saktë, të neneve që evokojnë pasazhe konkrete nga brendia e doracakëve doktrinarë, bashkë me elemente tekstore që dëshmojnë qartë që autori i njihte dhe i kishte pjesë të praktikës së vet baritore/meshtarake. Përkimi i qartë me ndërtime që mund të gjurmohen dhe te Pjetër Budi(DC 1618) e në përbërje paragrafesh që evokojnë tekste themelore për doktrinën e krishtenë, nuk mund të jetë i rastësishëm e një fakt i tillë veç se i shërben më së miri idesë sonë që përdorime të caktuara jetojnë krejt mirë brenda njërës dhe tjetrës vepër, pavarësisht ndërtimit jo të njëjtë të gjithsecilës.

Siç dhe mund të kuptohet fare qartë, këta dy autorë i përafron vetë shekulli në të cilin jetuan dhe realizuan veprat gjegjëse të jetës, por ndërkohë dhe një kopion i caktuar jetësor ka ndikuar te gjithsecili dhe te format mendore që reflektojnë në gjuhën dhe shkrimtarinë me të cilën performojnë në to. Është e drejtë të mendohet të përvijohen dhe të trajtohen si përfaqësuese të një tipologjie të caktuar përdorime që ndeshen te të dy këta autorë të letërsisë sonë të shkruar, të përafrueshëm mes tyre për arsye të kontekstit që bëri të mundur të përkonin në thirrjen e jetës dhe në pasionin për të përmbushur me anë të lëvrimit të gjuhës amë një mision fort të lartë karshi popullit dhe brezave të mëvonë.

Te Bogdani do të mund të gjurmohet po aq kthjellët përpjekja për t’u shprehur qartë dhe saktë me anë ndërtimesh të caktuara, ndërkohë që saktësia a konciziteti nuk është i vetmi aspekt që mund të ndiqet në proces të hulumtimit të veprës së tij. Një prirje e tillë, e domosdoshme kur bëhet fjalë për t’u përpiluar një vepër si e tija, me ato përmasa dhe me një linjë tematike të karakterizuar që në zanafillë nga kompleksiteti përmbajtësor do të duhet të shoqërohet pandashëm nga lirshmëria në shtjellimin e ligjërimit dhe nga një pasuri emërtimesh që herë rimerren me gjasë nga një traditë në konsolidim e sipër, herë paraqiten si fryt i formimit të arrirë të autorit, i cili falë këtij fakti meriton në çdo pikëpamje të konsiderohet përfaqësues i denjë i një periudhe që pa Bogdanin tonë nuk do të ishte asnjëherë e njëjta.

Një periudhë unike për nga veprat dhe autorët që i përpiluan ato mbetet kjo e letërsisë së vjetër shqipe, e përfaqësuar nga modele librore që evokojnë në mënyrë të qartë një traditë letrare që dhe në Evropë u kurorëzua me realizime të lavdërueshme, jo rrallë dhe me botime ndaj të cilave tonat përngjasojnë në pikëpamje tematike, duke riprovuar faktin që në pikëpamje të zhvillimit kulturor në viset tona nuk ka munguar dëshira e mirë për të promovuar shkrimin dhe kulturën letrare, qoftë dhe nëpërmjet dijes doktrinare.

Qëmtimi përmbajtësor i mjaft pasazheve të kësaj vepre bën të kuptohet qartë jo vetëm çka kishte projektuar të trajtonte e shtjellonte autori i saj, por dhe një perspektivë tjetër më e gjerë që ka të bëjë me përballjen në një fushë aspak të lehtë lëvrimi të dy gjuhëve që të vëna përkrah njëra-tjetrës, nuk mund të mos konsiderohen si dy pamje që të orientojnë ndaj një horizonti që nuk të kursen në pikëpamje të detajeve e hollësive të ofruara në këtë rasë, aq më tepër kur mund të vëmë re që kush shpie deri në fund një përpilim të tillë, do të ketë patjetër në kujdesje shpalosjen e vlerave leksikore e frazeologjike të secilës.

Një aspekt për t’u vënë në dukje dhe në rasë të këtij përvjetori celebrativ e që lidhet me largimin nga jeta të Imzot Pjetër Bogdanit(1689) është pikërisht dhe evidentimi i gjurmëve të personalitetit të tij në anale, studime voluminoze e që për më tepër kishin objekt studimi historinë e kishës së Romës dhe vise të caktuara të juridiksionit të saj. Në vëllimin e shtatë të veprës Illyricum Sacrum(1817), pikërisht në krerët që u kushtohen ipeshkvinjve të kishës së Shkodrës(Archiepiscopi et episcopi Scodrenses, Suffraganei Metropolis Antibarensis), Bogdani do të cilësohet si i 35-ti ipeshkëv i kësaj kishe, i ngarkuar me jo pak detyra baritore dhe apostolike që kapërcenin kufijtë e dioqezës së sipërcituar.

Në këtë paragraf kushtuar prelatit tonë në veprën Illyricum Sacrum(po aty, vëllim i cituar, f.328), bëhet fjalë shprehimisht për shkollimin e tij dhe një përgatitje fort të mirë teologjike, ndërkohë që dhe pse ndërmenden si fakt, nuk cilësohen me tituj përpilimet që duhet të kenë dalë nga dora e tij. Një ndërmendje konkrete të veprës së tij e pikërisht nën titullin Cuneus prophetarum do ta gjejmë shprehimisht në shënimet e Imzot Carol Pooten(1863-1865; f.255), ndërsa mëtohet të saktësohet më tej çështja e qëndrimit disavjeçar të Bogdanit në drejtim të Kishës së Shkodrës pikërisht duke iu referuar vetë autorit ndërsa shprehet për këtë fakt në Prefationën e veprës së tij të sipërcituar, që cilësohet shprehimisht nga Pooten si një vepër e dalë në dritë të shtypit prej tij( cit.a se in lucem editus..).[2]

Çdo njohuri e natyrës biografike që ofrohet në lidhje me këtë prelat të kishës arbërore, emri i të cilit është i lidhur pandashëm me një histori martirizimi të skajshëm jo vetëm individual, përbën një vlerë për t’u konsideruar e për t’u bërë pjesë e një arsenali informativ që pikërisht në studimet tona mbi letërsinë e shkruar dhe historinë e saj përbëjnë elemente të një domosdoshmërie të madhe.

Studimet mbi autorët e letërsisë së vjetër shqipe dhe shkrimtarinë e tyre hapin perspektiva disaplanëshe, duke qenë dhe vetë konteksti që mbështeti daljen në dritë të veprave të tyre kompleks dhe i lidhur ngushtë me zhvillime konkrete të kohës. Është folur gjatë dhe nga disa gjenerata studiuesish në lidhje me rrethanat konkrete që duhet të kenë ushqyer realizimin tipografik  të një libri të një natyre të veçantë si ai i Gjon Buzukut(1555); është folur dhe interpretuar fakti i daljes në dritë të shtypit për herë të parë i ‘Doktrinës së kërshtenë’(Romë, 1618) të Pjetër Budit nga tipografia e një editori individ, pikërisht Zannettit; është folur dhe për dokumentim të aprovimeve me shkrim të disa veprave të kësaj letërsie, sjellë me dëshmitë e duhura që në krye të herës nga studiues të mirëfilltë të filologjisë së tekstit dhe historisë së librit në kulturën shqiptare, përfshirë filologun Mario Roques(1932) dhe bashkëkohës të tjerë të tij.

Është trajtuar jo pa vëmendje dhe çështja e mbështetjes së botimeve specifike që kishin një destinacion të ngjashëm me veprat e Budit e të Bogdanit nga Tipografia Polyglotta, historiku i së cilës zë fill pothuaj një dekadë para daljes në dritë të shtypit të Dicionarit latinisht-shqip të Frang Bardhit(Romë, 1635), një tjetër prelat që hyri të bënte pjesë me kontributin e tij në historinë e shkrimit shqip, por dhe të vetë Kishës së Arbërit.

Vështrimi historiografik në lidhje me autorë si Budi e Bogdani është i domosdoshëm dhe plotëson më së miri trajtesat që i përkasin një fushe më të përcaktuar gjurmimesh si historia e letërsisë së shkruar shqipe, apo dhe historia e shkrimit shqip. I kanë ardhur në ndihmë një perspektive të tillë jo pak trajtesa të thelluara që mbajnë emrin e historianit tonë të mirënjohur, Injac Zamputit, por nuk mungojnë të sjellin të dhëna me vlerë dhe gjurmime të kohëve të fundit të realizuara dhe nga studiues të periudhës në kuptimin e ngushtë të fjalës.

Në studimet historiografike shqiptare në lidhje me Pjetër Budin e Pjetër Bogdanin vihet në dukje ndjeshmëria ndaj gjendjes që rridhte nga pushtimi otoman i viseve shqiptare dhe një fakt i tillë është bërë gjithashtu objekt i disa studimeve që plotësojnë një traditë gjurmimesh mbi këta autorë dhe periudhën që ata përfaqësojnë.

Sa i përket një tradite studimesh që lidhet veçanërisht me autorin dhe veprën, nuk mund të mos vëmë në dukje që në çdo periudhë zhvillimesh të veçanta të studimeve letrare, është folur dhe janë realizuar trajtesa pikërisht mbi Cuneus prophetarum(Patavii, 1685), leksikun e tij, tekstet që shoqërojnë parashtrimin e veprës nga vetë autori, elemente teknike e tipografike që mund të shpjegohen nga pozitat e një profili të përveçëm studimor e që e përfshin veprën vetë në një optikë më të gjerë e që lidhet drejtpërdrejt me prirje të kohës në pikëpamje të realizimit të botimeve të tilla, të iniciuara nën një fill tematik që domosdoshmërisht kërkonte dhe një veshje të menduar mirë në drejtim të elementeve ikonografike dhe ilustruese.

Disponimi i jo pak hollësive që dëshmojnë dhe për një njohje të mundshme të njerëzve të kulturës me veprën dhe formatin e saj përfundimtar bën të mundur të mund të trajtohet më konkretisht dhe receptimi i kësaj të fundit në qerthuj kulturorë në të cilët të tilla përpilime duket se ishin të mirëpritura. Një numër i konsiderueshëm tekstesh dedikatore që i prijnë shtjellimit të veprës, që përmbajnë dhe datime mbi autorë dhe rrethana të leximit të saj prej tyre përbëjnë një përafrim jo vetëm me një kontekst specifik të realizimit të saj, por dhe me modele që sigurisht autori i Cuneus prophetarum(1685) i njihte mirë, duke qenë i një shkollimi dhe formimi kulturor vërtet të spikatur.

Përveç se mund të studiohen dhe trajtohen dhe në pikëpamje të përputhshmërisë me modelet tekstore të kohës në të cilën vepra e Bogdanit pa dritën e shtypit dhe të vetë kontekstualizimit të domosdoshëm shumëdimensional që diktohet nga vetë përmbajtja konkrete dhe dispozitat e autorit për ta shpënë me çdo kusht drejt finalizimit një sprovë të tillë të mundimshme, të dhënat që pasqyrohen në lidhje me prelatët që vlerësojnë veprën e tij pikërisht nëpërmjet tekstesh që i qëndrojnë më së miri një linje kompozimi që përkon me kohën, janë në të vërtetë dhe rikonfirmime në lidhje me çka dokumentohet dhe në të tjera vise e dokumentime që për nga natyra mund të mos jenë thellësisht letrare. Mjafton të kemi parasysh në këtë drejtim dedikimin aq të posaçëm që në hyrje të veprës e gjejmë nën autorësinë e Andre Zmajević-it, i njohur si arqipeshkëv i Tivarit, Dioklesë, Primat i gjithë Mbretërisë së Serbisë, që e cilëson pikërisht kushtimin e tij si fryt të një ndjenje atërore për Epirin e tij.[3]

Në të vërtetë, gjithë kompleksi i cilësimeve që ndeshen në këtë pjesë me rëndësi të këtij botimi dhe kushtimet e tjera që për nga natyra e kompozicionit janë paracaktuar të jenë tekste kushtimi, por afër modelit letrar, janë gjithashtu dëshmi e njohjes së kësaj iniciative të Pjetër Bogdanit në një areal të gjerë në pikëpamje gjeografike e ndërkohë dhe e faktit që mbështetja e daljes në dritë të shtypit të veprës së tij nuk kishte mbetur brenda viseve italike. Realizimi, por dhe shtypja e kësaj vepre përbën një ngjarje të një rëndësie të veçantë në shumë vështrime, por mbi të gjitha mbart në vetvete  nënvizimin e rolit baritor të një prelati që vuri në shërbim të një kauze fort të rëndësishme shkollimin dhe përgatitjen e tij në fushë të teologjisë dhe historisë së besimit të krishterë.

Vetë vepra në fjalë, pa përjashtuar tekstet e sipërcituara e që janë të ndryshme në pikëpamje autorësie dhe ndërtimi, përbën një mundësi të shkëlqyer në kuptimin e vëzhgimit të një excursusi gjeokulturor që mundësohet nga perspektiva në të cilën autori vetë e kishte projektuar këtë të fundit. Nënvizuam pak më sipër që letërsia e vjetër shqipe, me gjithë veprat që e përfaqësojnë dhe ribotimet që sa herë kanë qenë të mundura të realizohen veçse përforcojnë interesimin mbi studime përqasëse dhe më të thelluara ndaj kësaj periudhe të veçantë për historinë e shkrimit shqip, nuk do të ishte e njëjta pa emrin e Pjetër Bogdanit dhe pa kontributin aq të çmuar të tij.

E një rëndësie të madhe paraqitet dhe një sprovë jo pak e mundimshme që përfaqësohet me një botim kritik e filologjik dinjitoz që në ditët  e sotme na lejon t’i përafrohemi në shumë aspekte veprës së Bogdanit, një botim që i rimarrë dhe në format të rishikuar e që pret të dalë në dritë së shpejti na kujton sa e mundimshme paraqitet puna e filologut që ka në perspektivë të vëmendjes së vet transkribimin e teksteve të veprës krahas paraqitjes së riprodhimit fotomekanik të tyre, interpretimin e një sistemi grafematik që gjithsesi bart veçanti e risi në qasje me botime të ngjashme nga natyra e të afërta në pikëpamje kronologjike, pajisjen me një parathënie që vë në dukje mjaft aspekte a linja studimore që mund të ndiqen në lidhje me këtë vepër dhe pjesë të rëndësishme të saj, por më tej dhe nënvizimin e rëndësisë që në këto raste merr një aparat kritik i vënë në shërbim të brendësimit të veprës dhe përmbajtjes së saj.[4]

Tradita e studimeve mbi këtë autor dhe veprën e tij Cuneus prophetarum(1685) u shënua nga kontribute që prej vitesh kanë marrë trajta punimesh të tematizuara, janë përqendruar në vjelje të leksikut dhe interpretime mbi regjistra të veçantë të këtij të fundit, në qëmtime mbi aspekte të natyrës filozofike që duket se përmbahen në paragrafe të rëndësishme të veprës, trajtesa mbi nënsisteme gjuhësore që fatmirësisht gjurmohen në një pamje pothuaj të plotë në faqet e saj. Radhiten në këtë plejadë themelues të dijes mbi filologjinë e tekstit në letërsinë shqipe dhe studiues të historisë së shkrimit shqip, pse jo dhe të displinave më të veçanta si etimologjia dhe historia e gjuhës, si Justin Rrota O.F.M., Eqrem Çabej, Mario Roques, Mark Harapi, Ndre Mjedja, Kolë Ashta, Matteo Sciambra, Martin Camaj, Selman Riza, Engjëll Sedaj, Rexhep Ismajli, Willy Kamsi, Jak Marlekaj O.F.M., Odette Marquet, Ibrahim Rugova, Lucia Nadin, Shefik Osmani, Kolec Topalli, Bardhyl Demiraj, Seit Mansaku etj.;  përforcohet ndërkohë një traditë e tillë me një botim të plotë të leksikut të kësaj vepre, që nën stemën e Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe mbështetjen e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, mban autorësinë e koleges sonë të nderuar, studiueses Anila Omari.[5]

Një panoramë e tillë gjurmimesh e mundësuar nga vetë perspektiva shumëplanëshe e ofruar nga një vepër si Cuneus prophetarum(1685) nuk do të ishte asnjëherë e plotë pa vetëdijen e kushteve aq të vështira që sollën dhe realizimin e kësaj të fundit dhe shpunë pandalshëm një konkludim të dhimbshëm të ekzistencës së prelatit tonë, mâ të vlertit ndër shkrimtarët e hershëm të shqipes, siç dhe e ka quajtur me nderim Atë Justin Rrota O.F.M.

Jeta dhe vepra e këtij prelati të kishës shqiptare është një dëshmi e qartë vetëmohimi e një model atdhetarie dhe përkushtimi që asnjëherë nuk humbet vlerën dhe aq më tepër në një kohë në të cilën na duhet të ridimensionojmë dhe në pikëpamje edukative nënvizimin e rëndësisë që merr për ne dhe për brezat shkollimi dhe ndërgjegjësimi ndaj vlerave dhe dobive të dijes.

[1] Demiraj B., Pjetër Tade Bogdani-rinia dhe formimi teologjik –intelektual, në Areali kulturor i Veriut në shek.XVI-XIX, Botime Onufri, Tiranë, 2017, f.248-269.

[2] Shih shënimet e Imzot Pooten, vëllim i cituar, 1863-1865; f.255: Ecclesiam Scodrensem ante Episcopatum a Dominico susceptum sexennium Episcopo caruisse P.Farlatus perperam adfirmat. Ipsemet Petrus, Dominici Praedecessor, in prologo libri Cuneus prophetarum a se in lucem editi scribit, se, cum annos viginti et unum Scodrensem rexisset Ecclesiam, ad Scopiensem Archiepiscopatum transisse. Eodem ille Scodrensem an.1656 conscendit: cumque illam annos 21 tenuerit, ante an.profecto 1677 eam dimittere haud potuit. Ecclesia vero Scodrensis per breve admodum tempus caruit.

[3] Shih në veçanti Bogdani P., Cuneus prophetarum, botim kritik përgatitur nga A.Omari, Tiranë, 2005, f.XXII.

[4] Bogdani P., Cuneus prophetarum, botim kritik përgatitur nga A.Omari, Tiranë, 2005.

[5] Omari A., Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2016.

24 nëntor 2019, 21:30