Falja e namazit në Tiranë, në festën e Fitër Bajramit Falja e namazit në Tiranë, në festën e Fitër Bajramit 

Fitër Bajrami: shoqatat myslimane të Italisë ia kushtojnë Papës

Myslimanët festojnë sot atë, që tradita e njeh si Bajrami i Madh, por doktrina fetare e quan Fitër Bajrami. Të gjithë besimtarëve të Islamit, kudo që ndodhen, u urojmë përzemërsisht festën.

R.SH. - Vatikan

“Fitër Bajrami është ditë shprese, ditë gëzimi dhe solidarizimi – shkruan në mesazhin e tij, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu. -  Bajrami është ftesa nga zemra në zemër, për të folur më shumë me njëri-tjetrin, për t’u dashur, për të sheshuar keqkuptimet, mosmarrëveshjet, mëritë dhe zënkat, për të falur e toleruar”.

Mesazhi i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar

Në ditën e sotme të Fitër Bajramit, në Tiranë, namazi u fal në orën 6.00 në Sheshin Skënderbej, si edhe në sheshet kryesore të qyteteve të tjera, përveçse në xhami. Siç është traditë, në fillim të muajit të Ramazanit, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar i çoi një mesazh urimi botës islamike për mbarëvajtjen e gjithë muajit dhe për festën e Fitër Bajramit. Është ora e vëllazërimit për të krishterët dhe myslimanët, nënvizohet që më 5 maj në dokumentin vatikanas, ku përmendet Deklarata e përbashkët, nënshkruar në Abu Dabi, nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad al Tayyib. Frika dhe injoranca, lexohet më tej, munden me dialog dhe respekt për lirinë e mendimit dhe të fesë. Nuk mjafton toleranca, nevojitet “bashkëjetesa e vërtetë paqësore”. Të ndërtohen “ura miqësie” për “të shembur muret e ngritura nga frika dhe injoranca”. Të promovohet “kultura e dialogut, si mjet bashkëpunimi dhe si metodë për t’u njohur më mirë reciprokisht”.

Bashkësia myslimane e Italisë ia kushton festën Papës Françesku

         E me rastin e festës së Fitër Bajramit, në mesazhin e përbashkët të urimit të bashkësive arabe në Itali (Co-mai), të Konfederatës Ndërkombëtare laike Ndërfetare (Cili-Italia), të Shoqatës së mjekëve me origjinë të huaj në Itali (Amsi), të Lëvizjes ndërkombëtare “Të bashkuar për t’u bashkuar”, si edhe të shoqatave e bashkësive të tjera, i kushtohet festa e Fitër Bajramit Papës Françesku. Themeluesi i Co-mait dhe i Amsit, Foad Aodi, duke shpjeguar motivacionin, nënvizon se Ati i Shenjtë ka treguar “guxim dhe impenjim të jashtëzakonshëm në favor të të ligshtëve, të emigrantëve, të dialogut ndërkulturor e ndërfetar dhe për të drejtën e shëndetit, pa marrë parasysh pasojat e deklaratave të tij, të ngarkuara me peshën e humanitetit dhe solidaritetit të fuqishëm”. Në mesazhin e këtyre shoqatave denoncohet edhe rritja e diskriminimit fetar me 30%, gjatë 3 viteve të fundit. Kujtohen viktimat e pranverës arabe, që në 9 vjet, ka shkaktuar më se një milion të vdekur, 40% e të cilëve, gra e fëmijë, por edhe 3 mijë mjekë, ndërsa të plagosurit kanë kaluar shifrën 1.760.000 vetë”.

04 qershor 2019, 12:05