Misteri i Kryqit, parë nga Dostojevski
Të shumtë, shkrimtarët e poetët laikë, që medituan e vijojnë të meditojnë për Mundimet dhe vdekjen e Krishtit. U ndaluam sot te shkrimtari i famshëm rus, Fjodor Dostojevski(1821-1881), autor i disa kryeveprave në prozën e gjatë, ndërmjet të cilave, “Vëllezërit Karamazov”. Për Dostojevskin, flijimi i Zotit në kryq është dhuratë dashurie e ofertë e lirisë së njeriut, që është i thirrur, por jo i detyruar, ta dojë Zotin.
R. SH. - Vatikan
Ti s’deshe të zbrisje nga Kryqi,
kur të tallën, të ngacmuan
e mes tallazit të krahëve,
u çorrën duke klithur:
“Zbrit, de, nga kryqi,
e do të besojmë se je Ti!”.
Po ti nuk zbrite sepse,
edhe këtë herë,
nuk deshe ta skllavëroje njeriun
me mrekulli!
Nuk zbrite,
pse kishe etje
për fenë e lindur nga ama e lirisë
e jo nga mrekullia…
Ra heshtja atëherë
e preku qiellin me dorë!
E ti atje
mbi mal të Kalvarit
njeriun e mësove të ecë
mbi gjurmët e diellit nëpër qiell.
Se kishe, se ke gjithnjë
etje për dashurinë e lirë,
e jo për servilizëm skllavi
që thyhet më dysh
para padronit të pushtetshëm,
atij që e tmerroi
me zgjedhën e skllavërisë;
sepse njeriut Ti deshe
e do gjithnjë t’i dhurosh
veç shpirtin e rinisë!
Përkthim i lirshëm
19 prill 2019, 12:29