Vatican News
vetrate Chiesa vetrate Chiesa 

Shenjtorët e javës 17 – 24 mars

Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele të dytë të Krezhmëve, na propozon misterin e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot mbi mal. Kështu edhe ne, si apostujt, jemi të ftuar ta përqendrojmë vështrimit tonë mbi Jezusin e mbi lavdinë e tij pashkore. Jezu Krishti në udhën e Krezhmëve shfaqet para dishepujve të vet i lavdishëm, në mënyrë që t’i përgatisë ata ta kuptojnë e tejkalojnë shkandullin e kryqit

R.SH. - Vatikan

E diel 17 mars, Kisha katolike kremton dielën e 2-të të Kreshmëve, e gjithnjë më 17 mars, kalendari kujton shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës dhe shën Gjonin Sarkandër. Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele të dytë të Krezhmëve, na propozon misterin e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot mbi mal. Kështu edhe ne, si apostujt, jemi të ftuar ta përqendrojmë vështrimit tonë mbi Jezusin e mbi lavdinë e tij pashkore. Jezu Krishti në udhën e Krezhmëve shfaqet para dishepujve të vet i lavdishëm, në mënyrë që t’i përgatisë ata ta kuptojnë e tejkalojnë shkandullin e kryqit. Është pra një thirrje për të shpresuar e pasur besim në planet e Zotit.

Të hënën më 18 mars, kalendari përkujton shën Çirilin, ipeshkëv i Jerusalemit e doktor i Kishës si dhe shën Anselmin, ipeshkëv i Lukës. Liturgjia e ditës na kujton se në këtë shtegtim krezhmor duhet të ndalohemi dhe një herë e të meditojmë mbi Jezusin e mbi veprat që kreu, për t’i besuar kështu me zemër e për t’i lartuar lutjen: “Dëgjoje, o Zot, britmën e njeriut të varfër, që të lutet!”.

Të martën më 19 mars, kalendari kremton festën e shën Jozefit, fatin e Zojës së Bekuar, Pajtorin e Kishës universale. Është dita e emrit të Papës së nderit Jozef Ratzinger. Festa e Shenjtit na bind se mënyra si veproi Zoti me shën Jozefin, është po ajo që përdor edhe sot me çdonjërin prej nesh. Hyji i gjen gjithnjë njerëzit të përshtatshëm, për realizimin e planeve të tij hyjnore.

Të mërkurën më 20 mars, kalendari kujton shën Martinin, shën Gjon Nepomuçenit dhe shën Klaudien. Liturgjia e kësaj dite na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara për t’u lutur e për të kundruar, nuk do të thotë se Ai i braktisë nxënësit e vet. Vetëm atëherë kur Ai është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.

Të enjten më 21 mars, kalendari përkujton shën Nikollën nga Flye, Pajtor i Zvicrës. Figura e tij na kujton se Zoti na do deri në atë pikë, sa të na dhurojë të Birin e vetëm, Jezu Krishtin, duke pranuar vdekjen e Tij në kryq për të na liruar nga vdekja e përjetshme.

Të premten 22 mars, kalendari kujton shën Lean, vejushë romake e shën Palin, ipeshkëv i Narbonës. Liturgjia e ditës na kujton se të kesh fe në Hyjin, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të Tij, edhe në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu, apostujt e të tjerët. Duhet ta dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e nuk na braktis kurrë. 

Të shtunën më 23 mars, kalendari kujton shën Turibin e Mogrovejos, ipeshkëv i Limës e shën Rebeken. Kisha na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.

Të dielën e ardhme më 24 mars, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 3-të të kreshmëve, e gjithnjë më 24 mars kalendari përkujton shën Katerinën e Suedisë, virgjër, bijën e shën Brigjidës. 

17 mars 2019, 13:18