Data 20 shkurt 1991 për Shqipërinë do të mbetët ndër datat më domethënëse të historisë së vet të mundimshme. Atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, të mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës Data 20 shkurt 1991 për Shqipërinë do të mbetët ndër datat më domethënëse të historisë së vet të mundimshme. Atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, të mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës 

28-vjetori i rënies së monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë

Më 20 shkurt 1991 populli i Tiranës rrëzoi nga piedestali në qendër të sheshit Skënderbej të kryeqytetit monumentin e Enver Hoxhës të cilin, si e hoqi zvarrë përgjatë rrugëve të kryeqytetit, e copëtoi. Shkruan Solzenicyn: “Një regjim që emrin e Zotit e shkruan me germë të vogël e KGB apo SIGURIMI me germa të mëdha, nuk meriton të respektohet prej njerëzve”.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 20 shkurt përkujtojmë 28-vjetorin e rrëzimit të përmendores së diktatorit Enver Hoxha në Tiranë, që shënoi mbarimin e regjimit diktatorial komunist ateist në Shqipëri.

Data 20 shkurt 1991 për Shqipërinë do të mbetet ndër datat më domethënëse të historisë së vet të mundimshme. Atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës dhe u përurua periudha e lirisë nga ideologjia e regjimi që e persekutoi, e varfëroi, e vrau popullin dhe shkatërroi e shkretoi vendin e vet me një brutalitet e pashpirtësi të paparë ndonjëherë. Edhe sot, mbi popullin shqiptar rëndojnë pasojat e tij negative.

Ata, që atë ditë të 20 shkurtit 1991 ishin në sheshin Skënderbej të Tiranës, nuk mund të mos e kujtojnë përshtypjen që bëri oshëtima e shurdhët e shtatores së diktatorit gjakatar, që binte përdhe dhe habinë, kur u pa se brenda ajo ishte bosh, ashtu si ideologjia e indoktrinimit bosh, që regjimi komunist përhapi me terror për vite të tëra. Tashmë, e vërteta doli në dritë.

E pastaj, shfrimi i lotëve e përqafimi ndërmjet njerëzish krejtësisht të panjohur - gjë e re edhe kjo, për ata qytetarë që regjimi komunist i kishte mësuar të ruheshin e të druheshin madje nga të afërmit, sepse kushdo mund të ishte spiun e armik. Shpresat e mëvonshme e pjesëmarrjet në manifestimet e shumta, kush nuk i mban mend? E fatkeqësisht, edhe zhgënjimet që pasuan, pavarësisht nga përparimet. Natyrisht, Shqipëria nuk është më në gjendjen e 28 vjetëve më parë. 

Për të mos harruar atë çka përjetuan shqiptarët gjatë diktaturës enveriste të komunizmit ateist, vite më parë, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, u hap Pavijoni i Terrorit Komunist, ku ekspozohen fotografi, dokumente, objekte personale të të burgosurve, të të pushkatuarve e të të internuarve, me të dhëna tronditëse për ata, që humbën edhe jetën në burgjet e komunizmit.

Shkruan Solzenicyn: “Një regjim që emrin e Zotit e shkruan me germë të vogël e KGB apo SIGURIMI me germa të mëdha, nuk meriton të respektohet prej njerëzve”. Kurrë nuk duhen harruar krimet, terrori, përndjekjet, viktimat, gjaku i pafajshëm që u derdh, për të mos lejuar të përsëritet një e keqe kaq e tmerrshme, siç qe regjimi komunist.

20 shkurt 2019, 09:48