2018-01-31 interno abbazia vetrate 2018-01-31 interno abbazia vetrate 

Shenjtorët e javës 20 – 27 janar

Mrekullia e Dasmës së Kanës. Kjo “shenjë” e parë e mëshirës, e dashurisë së Atit Hyjnor, në qendër të Ungjillit të kësaj së diele. Përtej rrëfimit të një mrekullie, në këtë dasmë fjalët dhe shprehjet zbulojnë misterin e plotë të Jezus Krishtit, lidhjen e Tij të dashurisë me Kishën e me dishepujt, si dhe misioni besuar të krishterëve: ta dëgjojnë e ta vënë në jetë Fjalën e Zotit.

R.SH. - Vatikan

E Diel 20 janar, Kisha katolike kremton të Dielën 2-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë liturgjikMrekullia e Dasmës së Kanës. Kjo “shenjë” e parë e mëshirës, e dashurisë së Atit Hyjnor, në qendër të Ungjillit të kësaj së diele. Përtej rrëfimit të një mrekullie, në këtë dasmë fjalët dhe shprehjet zbulojnë misterin e plotë të Jezus Krishtit, lidhjen e Tij të dashurisë me Kishën e me dishepujt, familja e Tij, si dhe misioni besuar të krishterëve: ta dëgjojnë e ta vënë në jetë Fjalën e Zotit

Gjithnjë më 20 janar, kalendari kujton  shën Sebastianin. Burimet historike për jetën e tij janë vërtet të thata, por kulti i tij u ka bërë ballë shekujve dhe është shumë i nderuar edhe sot. Shën Sebastiani u martirizua nën perandorin Dioklecian dhe u varros në katakombet, që mbajnë emrin e tij. Sipas gojëdhënës qe kalorës dhe kishte miqësi me perandorin. Duke përfituar nga kjo miqësi, ndihmoi të krishterët e burgosur dhe të dënuar me vdekje. Përveç kësaj, u predikonte ushtarëve dhe të burgosurve, disa prej të cilëve u bënë të krishterë. Ai ktheu në fenë e krishterë vetë guvernatorin e Romës, Kromacin, dhe birin e tij, Tiburcin, të cilët gjithashtu u martirizuan. Gjithë kjo veprimtari nuk mundi t’i shpëtonte syrit të Dioklecianit, i cili urdhëroi ta lidhnin në trungun e një peme, në një fushë të hapur, e ta vrisnin me shigjeta vetë shokët e tij ushtarë. 

Të hënën më 21 janar përkujtohet shën Anjeza. U lind në Romë, nga prindër aristokratësh të krishterë, në shekullin III. Kur ishte ende dymbëdhjetëvjeçare, shpërtheu përndjekja e fortë e të krishterëve dhe shumë besimtarë e mohuan fenë. Anjezën e paditi si të krishterë i biri i prefektit të Romës, të cilit ajo i pëlqente, por që nuk e kishte pranuar. U dënua me djegie, por zjarri në të cilën e hodhën, u shua, prandaj e vranë me thikë dhe shpesh ikonografia e paraqet me një qengj, edhe si simbol i pastërtisë, por edhe sepse martirizimi saj i ngjan therjes së një qengji.

Të martën më 22 janar përkujtohet shën Vinçenci i Saragosës. Ishte diakon dhe ia flijoi jetën Krishtit në vitin 304, bashkë me ipeshkvin Valer, të cilit sapo i kishte dorëzuar flitë e shenjta për elter.

Të mërkurën më 23 janar përkujtohet Shën Andrea Çong Hva Giong, katekist e martir. Shtëpia e tij në Seul të Koresë u bë strehë për të krishterët, prandaj u burgos dhe u vra më 23 janar 1840.

Të enjten më 24 janar përkujtohet shën Françesku nga Salë. U bë ipeshkëv i Gjenevës dhe qe njëri nga mjeshtrit shpirtërorë më të mëdhenj të shekujve të fundit. Është autori i librit Filotea, hyrje në jetën e devotshme dhe i librave të tjerë, në të cilët parashtron rrugët e shenjtërisë, ku mund të ecin njerëz që u përkasin të gjitha shtresave shoqërore. Bashkë me Zhanë Frejmont dë Shantal themeloi Urdhrin e Takimit (të Marisë me Elizabetën). Me urti shpirtërore dhe ëmbëlsi, diti të afronte me Kishën shumë kalvinistë. Vdiq në Lion (Francë) në vitin 1622.

Të premten më 25 janar përkujtohet kthimi i Shën Palit Apostull. Kthimi i Shën Palit tregon fuqinë e hirit, që është më i begatë se mëkati. Ngjarja vendimtare e jetës së tij zhvillohet në rrugën për në Damask ku po shkonte për të përndjekur të krishterët. Ai vetë, i gjendur nën përndjekje për shkak të emrit të Krishtit, do të shkruante: “Unë plotësoj në trupin tim çfarë u mungon mundimeve të Krishtit, në të mirë të trupit të tij, që është Kisha”. 

Të shtunën më 26 janar kalendarit përkujton  Shën Timoteun e Shën Titin, ipeshkvij, nxënës të Shën Palit si dhe Shën Paola, matronë romake.  Liturgjia e festës së tyre na kujton se Apostujve, të cilët duan të dalin mbi të tjerët, Jezusi u paraqet vetveten si model shërbimi.

Të dielën e ardhshme më 27 janar, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 3-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 27 janar, kalendari kujton shën Angjela Meriçin.

19 janar 2019, 16:51