2018-03-13 Anniversario Pontificato Papa Francesco 2018-03-13 Anniversario Pontificato Papa Francesco 

Shenjtorët e javës 28 tetor 4 nëntor

Jezusi i drejtohet të verbërit, sipas Ungjillit të kësaj së diele, duke përdorur dy shprehje interesante: “Zemër! Ki besim” si dhe "Çohu!",“Ngreju!, ashtu si u kishte thënë shumë të sëmurëve të tjerë, të cilët i pati marrë për dore, duke i shëruar: “Vetëm Jezusi i jep njeriut forcën për t’i përballuar situatat më të rënda”.

R.SH. - Vatikan

E diel  28 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtare, e gjithnjë më 28 tetor, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Simonin e Juda Tadeun, Apostuj. Tre leximet liturgjike të kësaj së diele kanë në qendër të vëmendjes mëshirën e Zotit, kanë atësinë e Tij, që zbulohet vazhdimisht në Jezusin. Bartimeu u lirua nga verbëria, falë mëshirës së Jezu Krishtit. Pra, Jezusi dëshiron të bisedojë me secilin prej nesh, të bisedojë për jetën, për ngjarjet reale. Prej këndej, pas shërimit, Zoti i thotë këtij njeriu: ‘Feja jote të shpëtoi!’.

Të hënën më 29 tetor, kalendari kishtar përkujton  shën Feliçianin, martir i Kartagjenës. Liturgjia e kësaj së diele na fton ta vlerësojmë kohën si dhuratë të Zotit, që na ofrohet për t’i dashur vëllezërit e motrat në jetën e përditshme. Veprat tona në histori duhet të jenë përherë të përshkuara me shenjat e pranisë së Zotit, që është gurrë e çdo së mire.

Të martën më 30 tetor, kalendari përkujton shën Gjermanin, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që ecën në udhën dhe dritën e Zotit.

Të mërkurën më 31 tetor, kalendari përkujton shën Alfonsin Rodriguez, jezuit. La trashëgim shkrimet, në të cilat shpreh besimin e tij të thellë e pa kushte në Hyjin. Shkruan Shenjti: “Ah, o Zot, po të dija e po të mundja, do të të shërbeja si të shërbejnë të gjitha krijesat e qiellit e të tokës të marra së bashku” dhe “Dashuria më e madhe është t’i bindesh Zotit”.

Të enjten më 1 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të festën e Të Gjithë ShenjtorëveKjo festë na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre u përket mbretëria qiellore.

Të premten më 2 nëntor bie Përkujtimi i besimtarëve të vdekur – apo siç njihet tek shqiptarët “Dita e të shuemve”. Liturgjia e ditës na kujton se njeriu asgjë nuk do të humbasë në historinë, që e ka jetuar duke ecur pas Krishtit: të gjithë jemi të Tijtë e Ai do të na dhurojë jetën e pasosur. Prandaj Jezusi mori natyrën njerëzore: për ta pastruar atë nga mëkatet e për t’i dhuruar amshimin.

Të shtunën më 3 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Martinin nga Porres e shën Silvinë, nënë e shën Gregorit të madh. Liturgjia e ditës na kujton se nuk e zgjedhim ne vendin ku do të rrimë në mbretërinë qiellore. Na e zgjedh vetë Hyji Atë. Është Ai, që na ka thirrur, që na jep një vend, një dhuratë. E natyrisht, sa më shumë t’ia besojmë vetveten, aq më e madhe do të jetë dhurata e Tij, të cilën sot për sot nuk jemi në gjendje as ta përfytyrojmë.

Të dielën e ardhshme më 4 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 31-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 4 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë. Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.

26 tetor 2018, 17:17