2018.08.13 Shen Nene Tereza me Rruzare 2018.08.13 Shen Nene Tereza me Rruzare  

Kisha katolike kremton Zojën Rruzare

Urata e Rruzares Shenjte është lutja e zemrës, në të cilën përsëritja e “Të falemi Mari” e çon mendimin dhe dashurinë drejt Krishtit, duke u bërë kështu përgjërim plot besim në Nënën e Tij dhe tonën. Është lutje, që na ndihmon të meditojmë mbi Fjalën e Zotit, sipas shembullit të Marisë, e cila ruante në zemër gjithçka bënte e thoshte Jezusi, si edhe vetë praninë e Tij.

R.SH. - Vatikan

Me 7 tetor Kisha kremton festën e Zojës Rruzare. Një festë kjo e themeluar nga Papa Shën Piu V, për të përkujtuar fitoren e kombeve të krishtera në vitin 1571 në Lepanto kundër flotës turke. Pra shenjti dhe kujtesa historike e ditës bashkohen në një duke na kujtuar të kremten e Zojës Rruzare dhe betejën e Lepantos.

Në lutjen e Rruzares, së cilës i kushtohet muaji i tetorit, kemi një lutje, të lashtë, por gjithnjë të re. Urata e Rruzares Shenjte është lutja e zemrës, në të cilën përsëritja e “Të falemi Mari” e çon mendimin dhe dashurinë drejt Krishtit, duke u bërë kështu përgjërim plot besim në Nënën e Tij dhe tonën.

Urata e Rruzares Shenjte ëhtë lutje, që na ndihmon të meditojmë mbi Fjalën e Zotit e të marrim Kungimin eukaristik, sipas shembullit të Marisë, e cila ruante në zemër gjithçka bënte e thoshte Jezusi, si edhe vetë praninë e Tij. Virgjërës së Shenjtë, kaq të dashur e të nderuar në Lindjen e Mesme, Papa ia besoi asamblenë sinodale dhe u lut që të krishterët, posaçërisht të rinjtë, të bashkohen e të japin dëshminë e tyre ungjillore në paqe e dashuri

Siç përmendem, më 7 tetor 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit dhe Korinthit, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën të gjitha, ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu papën Piu V të caktonte një festë falënderimi e përkujtimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores".

Rruzarja lindi në vitin 1200 me Shën Domenikun Guzman. Duke qenë shumë i devotshëm ndaj Nënës së Hyjit, themeluesi i Urdhrit të Predikatarëve (Domenikanëve), për t’i ndihmuar të varfrit ta jetojnë fenë në Krishtin, shën Domeniku mësoi të meditoheshin misteret e Mishërimit të Krishtit duke recituar lutjen e të Falemi Marisë.

Rruzarja është pra një uratë për të gjithë, e thjeshtë por dhe e thellë që ndihmon çdo besimtar që lutët. Siç pat pohuar Papa Benedikti XVI gjatë homelisë së Meshës kremtuar në Shenjtëroren e Zojës në Pompei të Italisë më 19 tetor 2008 “Rruzarja është lutje kundruese së cilës të gjithë mund t’i afrohen: të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë, të ditur e më pak të ditur. Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur të bashkuar me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell si Ai që është sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë” (nga homelia e Meshës së Papës Benediktit XVI në Pompei, 19 tetor 2008)

Kjo festë e Zojës së Bekuar Rruzare më 1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u fiksua përfundimisht më datën 7 tetor nga Shën Piu X, në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij të Virgjër.

Nga Shenjtëroret e shumta që i kanë lartuar popujt në të katër anët e botës, kujtojmë në trevat shqiptare Kishën e Zojës Rruzare në Shkodër dhe në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, Zoja Rruzare u drejton të gjithë besimtarëve ftesën ta njohin nga afër dhe ta kumtojnë Krishtin, në një shoqëri që po largohet nga vlerat e vërteta shpirtërore të krishtera.

06 tetor 2018, 19:28