Papa Françesku dhe një grua e moshuar Papa Françesku dhe një grua e moshuar 

Dita e të moshuarve. Papa Françesku: janë pemë, akoma plot fryte

Sot, Dita Botërore e të Moshuarve. Ditët e kaluara, Papa Françesku dërgoi një mesazh, me rastin e Takimit ndërkombëtar “Forca e viteve. Pa ëndrra, njeriu plaket me të vërtetë”.

R.SH. - Vatikan

Në botë ka më se 700 milion njerëz, që e kanë kaluar moshën 60 vjeçare. E kujtojnë këtë shifër Kombët e Bashkuara, në Ditën e sotme ndërkombëtare për të moshuarit, duke vënë në dukje se po rritet numri i tyre sidomos në Azi e në Afrikë. Vlerësohet se në vitin 2050, 2 miliard vetë, më se 20% e popullsisë botërore, do të jetë më shumë se 60 vjeç.

Mesazhi i Papës Françesku

         Ditët e kaluara, Papa Françesku dërgoi një mesazh, me rastin e Takimit ndërkombëtar “Forca e viteve. Pa ëndrra, njeriu plaket me të vërtetë”, organizuar në Firence nga Bashkësia e Shën Egjidit, në bashkëpunim me kryedioqezën dhe me komunën. Ati i Shenjtë nënvizon se “të moshuarve u takon një thirrje e veçantë e kujtesës dhe e ëndrrave, të cilat duhet t’ua ofrojnë brezave të rinj”. Për të ndërtuar një botë më të mirë, nënvizon Papa Françesku, duhet të kapërcehet kultura mbizotëruese e mënjanimit. Shpesh, Papa ka folur për të moshuarit. Në takimin me ta në Sheshin e Shën Pjetrit, më 28 shtator 2014, pati nënvizuar se braktisja e të moshuarve është një lloj “eutanazie e fshehur”.

         Sa herë mënjanohen të moshuarit, përmes braktisjes, që është eutanazi e vërtetë e fshehur! Është efekti i asaj kulture të mbeturinave, që i bën kaq keq botës sonë. Fëmijët hidhen poshtë, të rinjtë hidhen poshtë, sepse nuk kanë punë dhe, të moshuarit hidhen poshtë, me pretendimin e ruajtjes së një sistemi ekonomik të "ekuilibruar", në qendër të të cilit nuk është njeriu, por paraja. Ne të gjithë jemi të thirrur për ta luftuar këtë kulturë plot helm të hedhurinave!

01 tetor 2018, 16:36