Shenjtorët e javës 30 shtator – 7 tetor
R.SH. - Vatikan
E diel 30 shtator, Kisha katolike kremton të dielën e 26-të gjatë vitit e po sot më 26 shtator, kalendari përkujton shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës, që i lutej Zotit t’i jepte diturinë e vërtetë për të kuptuar si duhet Fjalën Hyjnore. Gjithnjë të premten kalendari kishtar përkujton edhe shën Françesk Borgjen, jezuit. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi na ka sjell faljen e Hyjit Atë dhe na fton në pajtim e falje të anasjelltë mes njëri tjetrit. Ashtu sikur Zoti na falë, edhe ne duhet ti falim të tjerët.
Të hënën më 1 tetor, bie përkujtimi i shën Terezës së Jezusit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve. Në liturgjinë e ditës, profeti na kujton se Zoti bën mrekulli, që ne mund të na duken të pamundura, ndërsa më pas leximi i Ungjillit na siguron se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur e se praninë e tij e shikojmë vazhdimisht ndër fëmijët e në të gjithë njerëzit e pambrojtur.
Të martën më 2 tetor, bie festa e Engjëjve të Rojës. Bibla thotë se Zoti do t’u japë urdhër engjëjve të vet t’i ruajnë njerëzit në udhët e jetës. Kjo e kremte na kujton se Zoti dërgon engjëjt e tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj.
Të mërkurën më 3 tetor, kalendari përkujton shën Gerardin e Bronjës, shën Kandidën, shën Dionizin dhe të Lumin Luigji Talamoni. Liturgjia e ditës vë në dukje se dishepujt e Jezusit do të jenë si engjëjt në mesin e ujqërve, armatosur vetëm me besimin në Provaninë Hyjnore e në mbështetjen e Zotit.
Të enjten më 4 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Françeskun e Asizit, ngjarje e shënuar edhe për besimtarët shqiptarë, për hir të lidhjes së ngushtë me françeskanët, bijtë e Shën Françeskut, shpërndarë kudo në trevat shqiptare. Gjithashtu, përkujtohet edhe shën Petroni.
Të premten më 5 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Faustinën Kovalska, shën Plaçidon, dhe të Lumin Bertolo Longo. Liturgjia e ditës na kujton “emrat tuaj janë të shkruar në qiell”, u thotë Jezusi atyre, që e kumtojnë me gëzim Mbretërinë e Hyjit.
Të shtunën më 6 tetor, kalendari përkujton shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Certozinëve. 6 tetori është edhe Dita Botërore e të Moshuarve. T’i lutemi që Zoti t’i mbështesë të moshuarit e t’ua bëjë më të lehtë çdo vështirësi. T’i ndihmojmë edhe ne vetë, duke bërë një gjest të bukur për një të moshuar, në këtë ditë.
Të dielën e ardhshme më 7 tetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 27-të gjatë vitit kishtar, e po më 7 tetor bie festa e Zojës Rruzare, festë shumë e përzemërt për besimtarët katolikë shqiptarë. Kujtojmë se në trevat shqiptare ka disa Tempuj që i kushtohet Zojës së Bekuar Rruzare, po përmendim atë në Shkodër Kishën te Arra e Madhe dhe Kishën famullitare në fshatin Bishtazhin të Gjakovës, në Kosovës e në vende tjera.
Po më 7 tetor, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Sergjin e Bakun, martirë, shumë të nderuar nga populli shqiptar, të cilëve u kushtohet edhe një nga Kishat më të lashta në Shqipëri. Kisha ndodhet jo larg qytetit të Shkodrës, pranë fshatit Shirq, ku lumi Drin bashkohet me Bunën. Muret e saj kanë nisur të ngrihen në shekullin VI për nderim ndaj dy martirëve, emrat e të cilëve në shqip morën trajtat Shën Shirqi e Shën Bahti.