Konferencë për shtyp pas Takimit Thaçi- Vuçiç në Austri Konferencë për shtyp pas Takimit Thaçi- Vuçiç në Austri 

Serbi-Kosovë: takim ndërmjet presidentëve Vuçiç dhe Thaçi

Problemi i ndryshimit të kufijve, në Takimin ndërkombëtar ndërmjet presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në Alpbach të Austrisë, fundjavën e sapokaluar.

R.SH. - Vatikan

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe mundësia për t’i ndryshuar kufijtë ndërmjet dy shteteve ishin objekt diskutimi gjatë Takimit ndërkombëtar në Alpbach të Austrisë, fundjavën e sapokaluar. Në praninë e Komisarit evropian për zgjerimin, Johannes Hahn, u ulën në tryezën e bisedimeve presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij, Aleksandër Vuçiç, me pjesëmarrjen e Alexander Van Bellen, president i Austrisë, vend që mban aktualisht kryesinë e turnit të Këshillit të Evropës.

Qëndrimi i Evropës: zgjidhja u takon Kosovës e Serbisë

         “Është fjala për zgjidhje dypalëshe, për të cilën u takon të vendosin Vuçiç dhe Thaçi”, deklaroi eurokomisari Hahn, duke theksuar se “Bashkimi Evropian nuk ka ndërmend të imponojë vendime nga jashtë. Por, çdo lloj zgjidhjeje duhet menduar në mënyrë të tillë, që të ndihmojë qëndrueshmërinë në rajon”.

SHBA-të nuk e përjashtojnë ndryshimin e kufirit

         Qëndrimi i tij është i njëjtë me atë të sekretarit kombëtar për sigurinë të presidentit amerikan, Donald Trump. John Bolton deklaroi se “SHBA-të nuk i përjashtojnë e as i kundërshtojnë ndryshimet në territoret e Serbisë e të Kosovës, nëse të dyja palët janë dakord”.

Thaçi: “ka ardhur koha për marrëveshje”

         Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ana e tij, pohoi se “ka ardhur koha për marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë”. Ndërkaq, kreu i shtetit serb, Vuçiç, nënvizoi: “me shqiptarët duhet të jetojmë krah për krah; jemi popujt më të shumtë në numër në Ballkan”. Kohët e fundit, eskponentë të nivelit të lartë, si ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, janë shprehur në favor të një ndryshimi kufijsh ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Bisedimet, të ndjekura nga Brukseli, do të vijojnë më 7 shtator.

28 gusht 2018, 13:49