Flamuri evropian ka në qendër kurorën e Zojës së Bekuar Flamuri evropian ka në qendër kurorën e Zojës së Bekuar 

Bullgari: Poupard, nuk mund të themi Evropë, pa thënë krishterim

Kardinali Poupard, në kuvëndin ndërkombëtar “Rrënjët e krishtera të Evropës”, në Veliko Tarnovo (Bullgari), pohon: “Nuk mund të themi Evropë, pa thënë krishterim”.

R. SH. -Vatikan

“Jemi dëshmitarë të një Bashkimi Evropian, që bën hapa vendimtare në frontin e politikës dhe të ekonomisë, por nuk mund të themi Evropë, pa  kujtuar edhe krishterimin”. E pohoi këtë kardinali Paul Poupard, kryetar nderi i Këshillit Papnor për kulturën, në videomesazhin e tij, paraqitur sot, me rastin e kuvëndit ndërkombëtar “Rrënjët e krishtera të Evropës”, që vijon në Veliko Tarnovo (Bullgari). Sipas tij “edhe ata evropianë, që nuk besojnë në Jezu Krishtin, Birin e Zotit, kanë personalitet e kulturë me ndikime të fuqishme nga Ungjilli dhe nga jeta e krishterë”.

Përveç kësaj, kardinali Poupard nënvizoi: “E kaluara e afërt na kujton se harresa e rrënjëve dhe humbja e kujtesës, mund ta vënë në diskutim vetë ekuilibrin e kontinentit”. “Kisha mendon se nuk i përket të flasë në favor të një tipi të posaçëm sistemi politik për Evropën, por gjithsesi e ndjen për detyrë të kujtojë se çdo projekt politik duhet të jetë në shërbim të së mirës së përbashkët”- theksoi prelati i nderit.

Sipas kardinalit Poupard “nuk duhet të dorëzohemi përballë frikës, as pesimizmit. Përkundrazi. Duhet të kultivojmë optimizmin e shpresën, sepse fati i një shoqërie varet gjithnjë nga një pakicë e aftë për të besuar”.

28 maj 2018, 14:37