Kërko

Papa: sporti duhet t’u rrijë larg egoizmit dhe interesave materiale

Në mesazhin drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën Ndërkombëtare për Sportin dhe Përshpirtërinë me temë “Ta vëmë jetën në lojë”, në Romë, që sot e deri më 18 maj, Françesku thekson se veprimtaritë sportive, që plazmojnë jetën e përditshme të shumë njerëzve, kanë "një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shoqëri”. Prandaj, kanë nevojë për një baritori të veçantë, që vlerëson si duhet veprimin e tyre ungjillëzues. Të mos mungojë kurrë fryma “amatore”, e cila u ruan vërtetësinë, këshillon Papa

R.SH. – Vatikan

Sporti "është një mënyrë e përdorimit të kohës së lirë, që zgjon interesa dhe mundësi për takime, bashkon njerëzit, krijon bashkësi, dinamizon jetën në mënyrë të rregullt dhe promovon ëndrrat, veçanërisht në brezat e rinj". "Duke plazmuar jetën e përditshme të shumë njerëzve", ka "një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shoqëri". Françesku e thekson këtë në videomesazhin drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën Ndërkombëtare për Sportin dhe Përshpirtërinë, me temë “Ta vëmë jetën në lojë”, që hapet sot, më 16 maj, në Romë dhe vazhdon deri të shtunën, promovuar nga Dikasteri vatikanas për Kulturën dhe Edukimin, si edhe nga Ambasada e Francës. Veprimtaritë treditore, ku marrin pjesë drejtues, ish-sportistë, kapelanë dhe përfaqësues të baritorisë së sportit, do të përfundojnë me një Stafetë Solidariteti në Circus Maximus.

Vlera të vërteta

Në videomesazhin, që hapi konferencën, Ati i Shenjtë nënvizon nevojën për "një baritori të sportit dhe për një edukim në vlerat e vërteta të konkurrencës, larg nga egoizmi dhe nga interesat materiale". "Është e rëndësishme që Kisha të reflektojë mbi përvojën sportive dhe ta vlerësojë si duhet veprimin e saj ungjillëzues".

Jeta shpirtërore si veprimtari agoniste

Papa kujton se "Shën Pali apostulli e krahasoi më se një herë jetën shpirtërore me veprimtarinë agoniste, veçanërisht me vrapimin, çmimi i të cilit është vetë Krishti". "Disiplina dhe forca e atletëve, si edhe agonizmi i shëndoshë, janë vlerësuar shpesh si metafora të jetës së virtytshme të krishterë”, vijon Françesku, i cili i fton besimtarët sportistë “të veprojnë në atë mënyrë, që e propozon Krishtin si 'atletin e vërtetë të Hyjit'". Në deklaratat e fundit papnore, vë në dukje vetë Ati i Shenjtë, është folur shpesh për sportin, duke denoncuar rrezikun e dehumanizimit dhe të korrupsionit në gjirin e tij, por edhe duke e konsideruar si vend të privilegjuar për takimin ndërmjet njerëzve dhe popujve. Tani, Konferenca për Sportin dhe Përshpirtërinë do të thellohet në "vlerat etike, shoqërore, kulturore, politike dhe shpirtërore" të vetë sportit.

Të mos mungojë kurrë shpirti amator i sportit

Pjesëmarrësve në këtë veprimtari, Françesku u uron punë të mbarë dhe u jep një këshillë: “Në sport, në të gjitha nivelet, nuk duhet të mungojë kurrë shpirti ‘amator’, i cili ia ruan vërtetësinë”. Ky stil është "i lidhur ngushtë me cilësinë e jetës shpirtërore" të drejtuesve, trajnerëve, teknikëve dhe sportistëve. Së fundi, Papa nënvizon "përgjegjësinë e madhe edukative të të rriturve", duke vënë në dukje se "ndërgjegjja e tyre, e formuar me vlerat njerëzore, është vendimtare për krijimin e ambienteve sportive të shëndetshme dhe formuese", sepse parandalon qëndrimet joedukative "dhe çdo formë abuzimi, veçanërisht në dëm të të miturve dhe më të pambrojturve”.

16 maj 2024, 16:14