Kërko

Lutja Lutja 

Rregulla të reja për fenomenet e pandehura të mbinatyrshme

Nga leja, tek gjykimi negativ: 6 vota të ndryshme për të dalluar rastet e përfshira në dokumentin e Dikasterit për Doktrinën e Fesë, miratuar nga Papa. Sipas rregullës, as ipeshkvi e as Selia e Shenjtë nuk do të shprehen për ta përcaktuar fenomenin të mbinatyrshëm, duke u kufizuar në autorizimin dhe nxitjen e devocionit dhe të shtegtimeve

R.SH. / Vatikan

Përditësohen rregullat për dallimin e dukurive të pandehura mbinatyrore: ky, vendimi i dokumentit të ri të Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, botuar të premten, më 17 maj, në fuqi të dielën, më 19, në festën e Rrëshajëve.  Tekstit i paraprin paraqitja nga Prefekti, Kardinali Víctor Manuel Fernández, që pason hyrjen, me ndividualizimin e 6 përfundimeve të ndryshme.

Deklarimet më të shpejta do të jenë të mundshme në lidhje me përkushtimin popullor dhe, si rregull, autoriteti i Kishës nuk do të përfshihet më në përcaktimin zyrtar të mbinatyrshmërisë së një fenomeni, i cili më pas do të kërkojë një kohë të gjatë për t'u studiuar në thellësi. Risia tjetër përfaqësohet nga përfshirja më e qartë e Dikasterit të Doktrinës së Fesë, i cili do të duhet të miratojë vendimin përfundimtar të ipeshkvit dhe do të ketë të drejtën të ndërhyjë çdo çast sipas mendimit të tij.

Në shumë prej rasteve të dekadave të fundit, për të cilat ipeshkvij të ndryshëm kanë shprehur mendimet e tyre, është përfshirë edhe ish Sant’ Uffizio (Zyra e Shenjtë), por pothuajse gjithmonë ndërhyrja mbeti në prapaskenë duke kërkuar të mos bëhej publike. Ajo që tani e motivon këtë përfshirje të qartë të Dikasterit, është edhe vështirësia për të kufizuar në nivel lokal dukuritë të cilat në disa raste arrijnë përmasa kombëtare, madje edhe globale, "pra një vendim që ka të bëjë me një dioqezë, ka pasoja edhe gjetiu".

Arsyet për rregullat e reja

Në zanafillë të dokumentit është përvoja e gjatë e shekullit të kaluar, me raste kur ipeshkvi vendas (apo ipeshkvijtë e një zone) e deklaruan tepër shpejt të mbinatyrshëm fenomenin, për të cilin pastaj Zyra Shenjte u shpreh ndryshe. Ose raste kur një ipeshkëv shprehej në një mënyrë, pasardhësi i tij, në të kundërtën (për të njëjtin fenomen). Pastaj ka kohë të gjata të nevojshme për t’i vlerësuar të gjithë elementët e për të arritur në   vendimin e mbinatyrshmërisë ose jo të fenomeneve. Kohë që ndonjëherë bien ndesh me urgjencën e dhënies së përgjigjeve baritore për të mirën e besimtarëve. Ndaj Dikasteri nisi t’i rishikonte rregullat që në 2019 dhe arriti në tekstin aktual, miratuar nga Papa, më 4 majin e kaluar. Një tekst krejtësisht i ri, i cili paraqet, siç u përmend, 6 përfundime të ndryshme të mundshme.

Kardinali Fernández shpjegon, në paraqitje, se "këto çaste të shumta manifestimi kanë nxitur pasuri të madhe frytesh shpirtërore, rritje në besim, përkushtim, vëllazëri dhe shërbim e, në disa raste, kanë shkaktuar edhe larminë e shenjtëroreve në botë", që sot janë pjesë e zemrës së devotshmërisë së shumë popujve”. Megjithatë, ekziston edhe mundësia që "në disa raste të ngjarjeve me origjinë të hamendësuar mbinatyrore" mund të ketë "kritika shumë serioze në dëm të besimtarëve": raste në të cilat "fitimi, fuqia, fama, vlerësimi shoqëror, interesi personal" rrjedhin nga dukuritë e supozuara” (II, neni 15, 4°), madje duke shkuar deri atje, sa të «ushtrojnë sundim mbi njerëzit ose të kryejnë abuzime (II, neni 16)». Mund të ketë edhe "gabime doktrinore, reduktim të panevojshëm në propozimin e mesazhit të Ungjillit, përhapje fryme sektare". Ashtu siç ekziston mundësia që “besimtarët të kenë ndjekur ngjarje që i atribuohet një nisme hyjnore”, por që është vetëm rezultat i fantazisë, mitomanisë apo prirjes së dikujt për të falsifikuar.

Udhëzimet e përgjithshme

Sipas rregullave të reja, Kisha do të jetë në gjendje të dallojë: «nëse është e mundur të shihet prania e shenjave të veprimit hyjnor në fenomene me origjinë të hamendësuar mbinatyrore; nëse në ndonjë shkrim apo mesazh të atyre që janë përfshirë në dukuritë e hamendësuara në fjalë nuk ka asgjë që bie ndesh me fenë dhe moralin e mirë; nëse është e ligjshme të vlerësohen frytet e tyre shpirtërore, apo është e nevojshme të pastrohen nga elementet problematike a të paralajmërohen besimtarët për rreziqet që rrjedhin prej tyre; është i këshillueshëm edhe vlerësimi i tyre baritor nga autoriteti kompetent kishtar” (I, 10).

Për më tepër, nuk duhet të parashikohet "zakonisht, njohja pozitive nga autoriteti kishtar në lidhje me origjinën hyjnore të dukurive të supozuara mbinatyrore " (I, 11). Prandaj, si rregull, “as ipeshkvi dioqezan, as Konferencat Ipeshkvnore, as Dikasteri nuk do të deklarojnë se fenomenet janë me origjinë të mbinatyrshme dhe vetëm Ati i Shenjtë mund të autorizojë një procedurë në këtë kuptim” (I, 23).

Votat e mundshme për fenomenin e hamendësuar

Më poshtë vijon lista e 6 votave përfundimtare të mundshme në fund të gjykimit.

Nihil Obstat: nuk shprehet siguri për vërtetësinë e mbinatyrshme, por njihen shenjat e veprimit të Shpirtit. Ipeshkvi inkurajohet të shprehet për vlerën baritore dhe të ndihmojë për përhapjen e fenomenit, duke përfshirë edhe shtegtimet.

Prae oculis habeatur: shenjat pozitive njihen, por ka edhe elemente konfuzioni ose rreziqesh që kërkojnë dallim dhe dialog me marrësit e tyre. Sqarimi doktrinor mund të jetë i nevojshëm nëse ka shkrime ose mesazhe që lidhen me fenomenin.

Curatur: janë të pranishme elemente kritike, por ka përhapje të gjerë të fenomenit me fryte shpirtërore të vërtetueshme. Nuk këshillohet ndalimi, që mund t’i shqetësojë besimtarët, por ipeshkvi është i ftuar të mos e inkurajojë fenomenin.

Sub mandato: fryma kritike nuk është e lidhur me vetë fenomenin, por me përdorimin e gabuar nga njerëzit ose grupet. Selia e Shenjtë ia beson udhëheqjen baritore të vendit ipeshkvit ose një delegati.

Prohibetur et obstruatur: Pavarësisht nga disa elemente pozitive, fryma kritike dhe rreziqet janë të rënda. Dikasteri i kërkon ipeshkvit të deklarojë publikisht se nuk lejohet pranimi dhe se duhet të shpjegojë arsyet e vendimit.

Declaratio de non supernaturalitate: ipeshkvi autorizohet të deklarojë se fenomeni nuk është i mbinatyrshëm, bazuar në prova konkrete, siç janë rrëfimi i një shikuesi të hamendësuar ose dëshmitë e besueshme të falsifikimit të fenomenit.

Procedurat, për t’u ndjekur

Më pas tregohen procedurat që do të vihen në jetë: i takon ipeshkvit t’i shqyrtojë rastet dhe t'ia paraqesë Dikasterit për miratim. Ipeshkvit i kërkohet të përmbahet nga deklaratat publike lidhur me vërtetësinë ose mbinatyrshmërinë, si dhe të sigurojë që të mos ketë konfuzion dhe të mos nxitet sensacionalizmi. Nëse elementet e mbledhura "duken të mjaftueshme", ipeshkvi do të krijojë një komision hetimor duke përfshirë ndërmjet anëtarëve të tij të paktën një teolog, një kanonist dhe një specialist të zgjedhur në bazë të natyrës së fenomenit.

Kriteret pozitive dhe negative

Ndër kriteret pozitive, “Besueshmëria dhe nami i mirë i njerëzve që pretendojnë se janë pjesëmarrës të ngjarjeve të mbinatyrshme ose janë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje të tilla, si dhe i dëshmitarëve të dëgjuar... ortodoksia doktrinore e fenomenit dhe e mesazhit të mundshëm që lidhet me të, karakteri i paparashikueshëm i fenomenit nga i cili duket qartë se nuk është fryt i nismës së njerëzve të përfshirë, fryt i jetës së krishterë" (II, 14).

Ndër kriteret negative, “prania e një gabimi të dukshëm në lidhje me faktin, gabimet e mundshme doktrinore..., fryma sektare që shkakton ndarje në strukturën kishtare, kërkimi i dukshëm për fitim, pushtet, famë, vlerësim shoqëror, interes personal lidhur ngushtë me faktin, akte serioze imorale..., ndryshime psikike ose prirje psikopatike në subjektin, të cilat mund të kenë ushtruar ndikim në faktin e hamendësuar të mbinatyrshëm,   psikozë, histeri kolektive ose elementë të tjerë që i atribuohen horizontit patologjik" (II. 15).

Së fundi duhet konsideruar i një rëndësie të veçantë morale "përdorimi i përvojave të pretenduara mbinatyrore ose elementeve mistike të njohura si mjet ose pretekst për të ushtruar sundim mbi njerëzit a për të kryer abuzime " (II, 16). Sido që të miratohet përcaktimi përfundimtar, ipeshkvi "ka për detyrë të vazhdojë ta ndjekë me vigjilencë fenomenin dhe njerëzit që merren me të " (II, 24).

17 maj 2024, 14:38