Kërko

Kard. Parolin: shqetësues sulmi ndaj kryeministrit sllovak Fico, duket se nuk ka më kufi

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, me rastin e Forumit Rinor Ekonomik të UCID në Ambasadën Italiane pranë Selinë e Shenjtë, në Romë, komenton sulmin ndaj kryeministrit sllovak Fico në Handlova: “E gjithë kjo çon në një rritje të dhunës”. Për luftën në Ukrainë, kardinali kërkon hapësira për dialog dhe negociata: "Por vullneti duket se dëshiron të vazhdojë të luftojë".

R. SH. – Vatikan

Një dhunë pa kufij që ngjall një shqetësim të madh. Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinal Pietro Parolin, nuk e fsheh shqetësimin e tij për sulmin ndaj kryeministrit sllovak, Robert Fico, i cili u qëllua rëndë katër herë nga një 71-vjeçar në fund të një mbledhjeje të qeverisë sllovake, në qytetin Handlova, 150 km nga kryeqyteti Bratislava.
“Jemi vërtet të shqetësuar për atë që po ndodh, duket se nuk ka më asnjë kufi”, komenton kardinali Parolin, me rastin e Samitit të Romës, forumi ekonomik i promovuar nga të rinjtë e Unionit të Krishterë të Menaxherëve të Biznesit (Ucid ) në Palazzo Borromeo, selia e Ambasadës së Italisë pranë Selisë së Shenjtë, në Romë. “Në të vërtetë e gjithë kjo çon në një rritje të dhunës, marrëdhëniet janë gjithnjë e më të dhunshme dhe ka gjithnjë e më pak shpresa për të ndërtuar marrëdhënie të qeta, paqësore,” thotë kardinali.

Situata në Ukrainë dhe Konferenca e Paqes në Zvicër
Një reflektim ky që vlen edhe për situatën në Ukrainë, ku vazhdojnë sulmet ruse, veçanërisht nga ajri dhe në mënyrë të veçantë në rajonin e Kharkiv. “Edhe atje – vëren kardinali Parolin – problemi i madh është gjetja e hapësirave për dialog, të hapësirave për negociata, të cilat nuk po shihen për momentin. Në të vërtetë, duket se vullneti është që të vazhdohet me luftime".
Sekretari i Shtetit të Vatikanit shikon nga Konferenca e Paqes që do të mbahet më 15 e 16 qershor në Zvicër: "Le të shohim se në çfarë sjell kjo konferencë, nëse nxit një lëvizje drejt paqes". Selia e Shenjtë do të jetë e pranishme, bën të ditur Sekretari i Shtetit të Vatikanit, ende nuk është vendosur se kush do të marrë pjesë, por me siguri do të jetë aty, siç ka qenë gjithmonë në takimet e mëparshme “në nivelin e këshilltarëve të sigurisë” për aspektet humanitare të këtij plani paqeje”, nënvizon kardinali Parolin.

Dialogu” për shkëmbimin e të burgosurve
Sa i përket shkëmbimit të të burgosurve ukrainas dhe rusë, një nismë e shpresuar nga Papa Françesku sikur tha në lutjen mariane të Mbretëreshës Qiellore, dielën e kaluar më 12 maj, kardinali Parolin bën të ditur se "ka pasur shkëmbime listash", por, shton ai, "unë nuk e di nëse këto korrespondojnë me veprime konkrete. Unë mendoj që po, ndoshta shumë ngadalë. Megjithatë, ekziston ky dialog në nivelin e të burgosurve”.

Ushtrimi i ndershmërisë i nevojshëm kundër korrupsionit
I pyetur për hetimet kundër korrupsionit në rajonin italian Liguria, të cilat e shohin Presidentin e Rajonit Giovanni Toti nën hetim, kardinali Parolin ripohon fjalët e Papës për korrupsionin që është si "një kancer që gërryen jetën civile". “Unë besoj se ne me të vërtetë kemi nevojë për një aftësi për të qenë të ndershëm” dhe, së bashku me këtë, lypet edhe “formimi në ndershmëri, transparencë dhe qartësi. Është një urim e shpresë që të gjithë ndihemi të nxitur të jemi administratorë, qytetarë dhe politikanë të ndershëm”.

Shtytja e të rinjve për një ekonomi ndryshe
Në këtë drejtim një hap përpara mund të jetë Forumi Ekonomik që u mbajt në Romë pranë Palazzo Borromeo. Sekretari i Shtetit të Vatikanit e shikon me sy të mirë nxitjen e lëvizjes rinore të Unionit të Krishterë të Menaxherëve të Biznesit për t’i pranuar indikacionet dhe sfidat e propozuara nga Papa: "Kjo është një shenjë pozitive, midis shumë shenjave negativeve që po shohim: është dikush që dëshiron të japë një shenjë e gjurmë tjetër, një ekonomi gjithëpërfshirëse ku në qendër është personi, dinjiteti, të drejtat e tij, ku ekonomia i shërben rritjes së të gjithëve dhe të të gjitha kategorive”.

16 maj 2024, 12:11