Kërko

Ekzorcizmi: duhet formim ndërdisiplinor për të luftuar me djallin

Në Kursin XVIII mbi Ekzorçizmin dhe lutjen e lirimit, në Romë, në Universitetin Regina Apostolorum, ekspertë ndërkombëtarë theksuan përparimin e kërkimit akademik të besueshëm për t'iu përgjigjur të gjitha nevojave në rritje, në mbarë botën. Imzot Staglianò, kryetar i Akademisë Papnore të Teologjisë: "Ipeshkvi ka rol kryesor: zgjedh me mençuri dhe maturi atë që mund të bëhet ekzorcist". E nuk duhet ta mohojë, në dioqezat e tij, shërbimin e ekzorcistit"

R.SH. / Vatikan

Engjëjt dhe demonët në Shkrimin Shenjt dhe në Magjisterin e Kishës, burimet historike të ritualit të ekzorcizmit, tiparet baritore dhe shpirtërore të teologjisë së ekzorcizmit sakramental. E pastaj, edhe aspektet psikologjike të ekzorcizmit dhe të satanizmit, simbolika në ritualet magjike-okulte-satanike dhe marrëdhënia e kinemasë dhe e muzikës me Satanizmin dhe ekzorcizmin… Edhe këtë vit, Kursi mbi ekzorçizmin dhe lutjen e lirimit,  në takimin e tij të 12-të, organizuar nga Instituti Sacerdos i Universitetit Papnor Regina Apostolorum, në Romë, në bashkëpunim me Grupin e Kërkimeve dhe Informacionit Socio-Religjioz (Gris), i ofroi gjithë Kishës Universale dhe shoqërisë vështrime të shumta ndërdisiplinore të dobishme për të kuptuar atë që mbetet një fenomen ende pak i hetuar. “E është gjithnjë e më urgjente të garantohet formimi i përshtashëm në këtë fushë, e cila shpesh është ende e ngushtë ose e panjohur dhe  painterpretuar mirë” - siguron Atë Edward Mc Namara, drejtor i Institutit Sacerdos.

Ekspertë nga mbarë bota

Në kursin, i cili përfundoi të shtunën më 11 maj, ishin të pranishëm ekspertë ndërkombëtarë të kalibrit të kardinalit Francesco Coccopalmerio, Imzot Karel Orlita, prift i Republikës Çeke dhe president i ri i Shoqatës Botërore të Ekzorçistëve, Dr. Héctor de Ezcura, psikiatër argjentinas, i cili prej vitesh i kushtohet rëndësisë e marrëdhënies që duhet të krijohet ndërmjet psikiatrit, ekzorcistit dhe ndihmësve të tij. Shumë aktuale, edhe ndërhyrja e Don Fortunato Di Noto, themelues i Shoqatës Meter, i cili ka grisur velin e lidhjes së tmerrshme që shpesh lidh pedofilinë dhe pornografinë e fëmijëve me ritet okulte dhe satanike.

Imzot Staglianò: "duhet mençuri dhe maturi"

"Roli i ipeshkvit në shërbesën e ekzorcizmit është i lidhur me Tria munera (tri detyrat që i besohen çdo bariu të Kishës) për të cilat është përgjegjës: misioni i shenjtërimit, i qeverisjes dhe i mësimdhënies" -  shpjegon për mediat e Vatikanit imzot Antonio Stagliano.

Kryetari i Akademisë Papnore të Teologjisë, i cili në ditën e parë të kursit u ndalua në këtë aspekt me një raport të gjatë dhe të detajuar, nënvizon se për ipeshkvin është, para së gjithash, themelore “aftësia për të zgjedhur me shumë urtëi dhe maturi” priftërinjtë që do të emërohen ekzorcistë, të thirrur për një shërbim bamirësie dhe dashurie”. Detyra e drejtimit, që i takon ipeshkvit - shton imzot Staglianò - duhet ta shtyjë atë që "në dioqezën e tij të mos ia mohojë shërbimin ekzorcistit". Për më tepër, misioni i tij shenjtërues përmban brenda vetes një forcë të madhe ekzorciste: "Sepse - hyn në detaje - lufta e së mirës me të keqen bëhet domosdoshmërisht edhe përmes punës sakramendore".

Atë Dermine: "Eksorcisti, misionar, në ekuilibër të pasigurt"

Lutja dhe heshtja duhet të jenë baza e jetës së ekzorcistit të mirë. “Për të qenë efektiv duhet të jetë në gjendje të ketë përshpirtëri aktive dhe të ndërgjegjshme pa u mbytur nga kërkesat e shumta për ndihmë të atyre që kërkojnë të çlirohen nga djalli”- paralajmëron Atë Francois Dermine, ekzorcist dhe kryetar i Gris. Një karakteristikë tjetër themelore është pajtimi i "shërbimit të ekzorcistit me detyrat e kërkuara nga gjendja e tij, si për shembull rregulltar ose famullitar. Në fund të fundit, bashkësia kërkon që ekzorcisti t’i ushtrojë funksionet e tij brenda së njëjtes bashkësi. Një ekulibër i ndërlikuar”.

Gabimet dhe sjelljet e virtytshme

Ka gabime, siguron Atë Dermine, nga të cilat çdo ekzorcist duhet të përpiqet të shpëtojë. Një nga më të rrezikshmet është nxitimi në aftësinë dalluese: "Gjykimet e nxituara kushtojnë shtrenjt si për njeriun, që vuan, ashtu edhe për ekzorçistin, i cili duhet të jetë në gjendje t’i njohë thellësisht njerëzit, që do t’i bekojë" Është e nevojshme ta kuptojmë qartë gjenezën e problemeve të tyre dhe të sëmundjeve të tyre shpirtërore". Për këtë arsye ekzorcisti ka nevojë edhe për ndihmë, duke u "këshilluar me njerëz të specializuar: për shembull me një psikiatër, në rast se prifti nuk është në gjendje ta dijë me siguri nëse personi që i drejtohet është nën ndikimin e djallit. Ekzorcizimi i një njeriu, i cili vuan nga çrregullime mendore, vetëm sa mund ta përkeqësojë situatën e tij”, përfundon Atë Dermine.

12 maj 2024, 12:45