Kërko

Gjyshërit, të moshuarit dhe nipërit Gjyshërit, të moshuarit dhe nipërit

Papa zgjedh temën për Ditën e Gjyshërve dhe të Moshuarve, me shpresën në qendër

Shpresa, zemra e Jubileut 2025, bëhet edhe pjesë e temës së zgjedhur nga Papa për Ditën e pestë Botërore kushtuar të moshuarve, e cila bie më 27 korrik. Marrë nga Libri biblik i Siracidit, fjalët e temës tregojnë shpresën tek Zoti si rrugë drejt një pleqërie të krishterë

R.SH. - Vatikan

“I Lumi ai që nuk e ka humbur shpresën". Kjo është tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën V Botërore të Gjyshërve dhe të të Moshuarve, e cila këtë vit do të kremtohet të dielën, më 27 korrik. Kështu njofton Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën. “Fjalët, të marra nga libri i Siracidit (shih Sir 14,2) – thuhet në njoftim - shprehin lumturinë e pleqve dhe tregojnë shpresën e vendosur te Zoti, në udhën drejt një pleqërie të krishterë. Në Jubileun e Shpresës, Dita Botërore e Gjyshërve dhe e të Moshuarve, themeluar nga Papa Françesku në vitin 2021, është rast i volitshëm për të reflektuar se si prania e gjyshërve dhe e të moshuarve mund të bëhet shenjë shprese në çdo familje dhe bashkësi kishtare.

Kremtimi i Ditës do të pasojë Jubileun e familjeve, fëmijëve, gjyshërve dhe të moshuarve, në program nga data 30 maj deri më 1 qershor. Vitin e kaluar, në mesazhin e shkruar me rastin e Ditës IV Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve me temën “Mos më braktisni në pleqëri", Papa Françesku pati denoncuar përhapjen e një mendësie individualiste, sipas së cilës të moshuarit shpesh shihen si barrë dhe kosto e tepruar për shoqërinë. Prandaj, Ati i Shenjtë pati ftuar të kapërcehet ky botëkuptim, duke kërkuar të punohet për një të ardhme të ndryshme, në emër të aleancës mes brezave.

Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën rinovon thirrjen e Papës drejtuar të gjithëve për të kremtuar Ditën e ardhshme të Gjyshërve dhe të Moshuarve,  dielën më 27 korrik, në çdo Kishë dioqezane, duke u kushtuar vëmendje të veçantë të moshuarve, duke organizuar vizita dhe mundësi për takime mes brezash.

04 shkurt 2025, 13:20