Kërko

Libani Libani

Selia e Shenjtë: pranë të vuajturve të Libanit, "fener paqeje" në Lindjen e Mesme

Në fjalimin e tij në Konferencën Ndërkombëtare në mbështetje të popullsisë dhe të sovranitetit të shtetit të Lindjes së Mesme, imzot Mirosław Stanisław Wachowski, zv.sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, vuri në dukje se drama e konfliktit bie veçanërisht mbi fshatrat e krishtera të vendit, duke shpresuar që ai të vazhdojë të jetë “fener paqeje dhe stabiliteti” në gjithë rajonin

R.SH. – Vatikan

"Një oazë vëllazërimi, ku bashkëjetojnë grupe fetare dhe konfesionale", një "fener paqeje dhe stabiliteti" në Lindjen e Mesme, për të cilin është e domosdoshme që "bashkësia ndërkombëtare të marrë përsipër sfidat" për t’u përballuar. Ky është qëndrimi i Selisë së Shenjtë, shprehur nga zv.sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Mirosław Stanisław Wachowski, në Konferencën Ndërkombëtare në mbështetje të popullsisë dhe të sovranitetit të Libanit, që po mbahet në Paris.

Thirrje për një armëpushim të menjëhershëm

Selia e Shenjtë, pohoi imzot Wachowski, "merr pjesë në vuajtjet e popullit libanez", si edhe në të gjitha ato "të njerëzve të tjerë në Lindjen e Mesme". Ai përsëriti thirrjen e Papës Françesku për "armëpushim të menjëhershëm në të gjitha frontet", duke u hapur rrugën "bisedimeve" dhe "ndërmjetësimeve", siç "propozohet nga Karta e Kombeve të Bashkuara". Imzot Wachowski vuri në dukje nevojën për "ruajtjen dhe promovimin" e pluralizmit "të çmuar", që karakterizon Libanin.

Ruajtja e integritetit territorial

Në kontekstin kombëtar dhe atë të Lindjes së Mesme, roli i bashkësive të krishtera është "i domosdoshëm dhe themelor", në vizionin e Selisë së Shenjtë. Ato janë përmasë jetike e identitetit të libanezëve e ndikojnë ndrejtpërdrejt në mirëqenien dhe begatinë e vendit. Në këtë drejtim, prelati polak theksoi "shqetësimin" e Selisë së Shenjtë për postin aktualisht vakant të presidentit të Republikës së Libanit. Zgjedhja e tij është "e domosdoshme" për të ruajtur "pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Libanit". Prandaj, ai kërkoi të mbushet ky boshllëk institucional me “urgjencë maksimale”.

Pasojat e konfliktit mbi civilët

Fjalimi i imzot Wachowski-t preku më pas konfliktin aktual në Lindjen e Mesme, i cili e vë popullatën përballë perspektivës së "shkatërrimit dhe humbjes së jetëve njerëzore". Presioni më i madh bie mbi popullsinë e Libanit jugor, “veçanërisht mbi fshatrat e krishtera”. Selia e Shenjtë kërkoi sërish respektimin e normave ndërkombëtare, përfshirë "mbrojtjen e spitaleve, klinikave, shkollave, institucioneve arsimore dhe objekteve të kultit që u shërbejnë civilëve", si dhe "ruajtjen e pronës së tyre personale".

Impenjimi i Kishës Libaneze

Bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndihmojë Libanin t’u bëjë ballë flukseve të të zhvendosurve nga Veriu në Jug të vendit. Prelati vuri në pah impenjimin e Kishës në këtë drejtim, përmes punës së Karitasit lokal dhe të "famullive, shkollave, manastireve dhe kuvendeve të shumta", që garantojnë "mbrojtje dhe mbështetje". Më pas, imzot Wachowski kërkoi "respektimin" e misionit "Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban" (Unifil), duke theksuar nëvojën e zbatimit të rezolutave të OKB-së për Libanin. Së fundi, përmendi Papën Françesku e thirrjen e tij: “Mjaft me përdorimin e Libanit e të Lindjes së Mesme për interesa dhe përfitime të huaja!”

24 tetor 2024, 13:08