Kërko

Kardinali Ernest Simoni dhe ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj Kardinali Ernest Simoni dhe ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj

“Pritja” në Vatikan, në 10-vjetorin e vizitës së Françeskut në Shqipëri

10 vjet pas vizitës së Papës së dytë, që shkeli në trojet shqiptare pas komunizmit, ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, në personin e ambasadores Majlinda Frangaj, organizoi një pasdite kulturore në përkujtim të shtegtimit apostolik të Françeskut, gjatë të cilit u shfaq edhe dokumentari “Pritja”

R.SH. – Vatikan

 Me rastin e 10-vjetorit të shtegtimit apostolik të Papës Françesku në Shqipëri, më 21 shtator 2014, dje pasdite (28 tetor), Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë organizoi një veprimtari kulturore. Ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, zonja Majlinda Frangaj, kishte ftuar në këtë veprimtari kardinalin shqiptar Ernest Simoni, kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, zonjën Elisa Spiropali, presidentin e Këshillit Administrativ të Fondacionit Joseph Ratzinger – Benedikti XVI, Át Federico Lombardi, ish-drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit, gazetarin e së përditshmes kishtare italiane “Avvenire”, Mimmo Muolo, si edhe vetë regjisorin Roland Sejko, autor i dokumentarit “Pritja” .

Pas përshëndetjeve institucionale, zonja Frangaj ia dha fjalën kardinalit Simoni, i mbijetuar nga komunizmi, që e pati bërë Papën Françesku të derdhë lot, ndërsa i rrëfente historinë e tij në burg e internim, simbol i tragjedisë së shumë katolikë shqiptarë gjatë ateizmit të imponuar nga shteti i Enver Hoxhës. Si gjithnjë, dëshmia e tij u bëri shumë përshtypje të pranishmëve, sidomos për thellësinë e besimit në Zotin, që shihej nga çdo fjalë e thënë prej kardinalit.

At Federico Lombardi dhe ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj
At Federico Lombardi dhe ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Elisa Spiropali, shprehu emocionet, që lindin nga kujtimi i vizitës së Papës Françesku në Shqipëri, edhe 10 vjet pas saj, duke vënë në dukje veçanërisht rëndësinë e bekimit të tij për popullin e vuajtur shqiptar, vlerësimin e Atit të Shenjtë për dialogun e vërtetë ndërmjet feve, si edhe shpresën, që ai dha, për të ardhmen e vendit. Në një postim në rrjetet sociale, kryeparlamentarja vlerëson kardinalin 96-vjeçar Simoni, i cili, pas 28 vjet burg gjatë komunizmit, “me mendje të kthjellët dhe shpirt në paqe… është, siç e ka quajtur Papa Françesku, një martir i gjallë i besimit dhe lirisë”. Kujtojmë se, zonja Spiropali, e pritur nga prefekti, don Mauro Mantovani, vizitoi Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, ku ruhet “Meshari” i dom Gjon Buzukut, libri i parë në gjuhën shqipe. Duke nënvizuar faktin se ai është edhe produkt i Rilindjes Evropiane, gjithnjë në rrjetet sociale, ajo e konsideron “provë të lidhjeve mes kulturës shqiptare dhe kësaj epoke të viganëve të kulturës europiane, e atij kontributi që na vendos denjësisht mes popujve, që i kanë dhënë kulturës botërore dhe njerëzimit”.

Gazetari i "Avvenire", Mimmo Muolo
Gazetari i "Avvenire", Mimmo Muolo

Në dëshminë e tij, Át Federico Lombardi kujtoi se u njoh me gjendjen e Kishës Katolike në Shqipëri që kur ishte epror provincial i jezuitëve të Italisë. Emrat e sivëllezërve të tij në anën tjetër të Adriatikut figuronin në listë, por nuk dihej asgjë për ta. Nganjëherë fshihej ndokush, pasi mësohej se kishte ndërruar jetë e pas komunizmit, patën mbetur vetëm tre. Át Lombardi pati fatin të ishte i pranishëm si gjatë vizitës së Papës së parë, tashmë shën Gjon Pali II, që shkeli në Shqipëri pas komunizmit më 1993, ashtu edhe gjatë udhëtimit të Papës Françesku, më 2014-ën. Ai përshkroi entuziazmin e popullit, por edhe guximin me të cilin bashkësia katolike iu përgjigj sërish “Ja ku jam” Atit të Shenjtë, pavarësisht nga persekutimi nëpër të cilin kishte kaluar e nga vuajtjet, që ende i rëndonin mbi supe.

Gazetari Mimmo Muolo, i së përditshmes italiane “Avvenire”, ka shkruar një libër mbi kardinalin Ernest Simoni, por ka qenë edhe i dërguar i gazetës në Shqipëri, gjatë udhëtimit apostolik të Papës Françesku. Dëshmia e tij u piketua nga çaste mbresëlënëse gjatë vizitës.

Regjisori Roland Sejko dhe ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj
Regjisori Roland Sejko dhe ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Frangaj

Së fundi, regjisori Roland Sejko shpjegoi dy shtyllat mbi të cilat bazohet dokumentari i tij “Pritja”, realizuar me kërkesën e kryeministrit Edi Rama para se të mbërrinte Papa Françesku në Shqipëri. Teksti i lexuar gjatë dokumentarit është marrë prej dëshmive të publikuara nga françeskani Át Zef Pllumi në librin e tij të mirënjohur “Rrno vetëm për me tregue”, por regjisori ka thirrur si dëshmitare të historisë edhe Katedralen e Shkodrës kushtuar Shën Shtjefnit, që nga fillimet e ndërtimit të saj e deri në kthimin në Pallat Sporti e në rikthimin në Kishë. Të pranishmit, ndër të cilët shumë arbëreshë e dashamirës së Shqipërisë, panë dokumentarin e morën pjesë në një koktej të ofruar nga ambasada.

Dokumentari "Pritja"
Dokumentari "Pritja"
29 tetor 2024, 10:04