Kërko

Konferenca e Palëve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Transkombëtar, që mbahet në Vjenë Konferenca e Palëve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Transkombëtar, që mbahet në Vjenë

OSBE, Selia e Shenjtë: izolimi i viktimave të trafikimit është i papranueshëm

Në konferencën që po mbahet në Vjenë, imzot Richard Gyhra, përfaqësues i Vatikanit në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, theksoi se krimi i organizuar transkombëtar është "faktor i paqëndrueshmërisë politike dhe sociale", veçanërisht në zonat në konflikt

R.SH. – Vatikan

"Përndjekja e fajtorëve" duhet të integrohet me promovimin e "mirëqenies dhe të shërimit" të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat, shpesh, "izolohen ose penalizohen më tej". Përfaqësuesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), imzot Richard Gyhra, foli dje, më 14 tetor, në sesionin e dymbëdhjetë të Konferencës së Palëve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Transkombëtar, që mbahet në Vjenë.

Sfidë e rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare

Në mesazhin e tij, imzot Gyhra e cilësoi krimin e organizuar transkombëtar ndër plagët më "serioze" të shoqërisë së sotme, pasi është në gjendje të "minojë të mirën e përbashkët në mbarë botën" dhe të jetë "faktor paqëndrueshmërie”, sidomos në zonat në konflikt. Diplomati amerikan kujtoi fjalët e Papës Françesku drejtuar pjesëmarrësve në Konferencën mbi përdorimin social të pasurive të konfiskuara nga mafia, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, kur vuri në dukje se "krimi i organizuar" e ruan "karakterin transkombëtar", që përfshin "të gjitha trafikimet kryesore". "Lufta kundër tij," pohonte Françesku, "është një nga sfidat më të rëndësishme për bashkësinë ndërkombëtare, pasi ai përfaqëson, së bashku me terrorizmin, kërcënimin më të madh joushtarak për sigurinë e çdo kombi dhe për qëndrueshmërinë ekonomike ndërkombëtare".

Forma të vjetra dhe të reja krimi

Imzot Gyhra vazhdoi të vërë në dukje shtimin e veprimtarive kriminale transkombëtare, që përdorin forma të reja e të vjetra për të rritur fitimet, duke përfshirë “trafikimin e njerëzve, të organeve, drogës dhe armëve". Krimet, që kapërcejnë kufijtë kombëtarë, sipas këndvështrimit të Selisë së Shenjtë, duhet të "dënohen, të parandalohen dhe të luftohen në të gjitha nivelet", veçanërisht "nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar". "Mekanizmat e bashkëpunimit gjyqësor dhe policor të parashikuara nga Konventa" çojnë në rezultate "të vlefshme" për shpërbërjen e rrjeteve kriminale, duke i përndjekur dhe duke i ekstraduar “protagonistët e krimit”, për t’i kthyer fitimet kriminale në të mirë të të dëmtuarve prej tyre. Ky proces duhet të shoqërohet me integrimin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore në bashkësitë, të cilave u përkasin, duke i ndihmuar në rifitimin e sigurisë në vetvete dhe të rolit të tyre në shoqëri.

Impenjimi i Kishës

Në përfundim të fjalës së tij, imzot Gyhra nënvizoi impenjimin e Kishës, “përmes institucioneve të saj të shumta ndihmëse në mbarë botën”, në “rehabilitimin e viktimave”. Veprimtari kjo, e realizuar në bashkëpunim “me forcat e policisë” dhe me “shoqërinë civile”, në përpjekjen për të eliminuar “plagën e trafikimit të qenieve njerëzore”.

15 tetor 2024, 15:42