Kërko

Lutja dhe solidariteti i Papës për viktimat e tajfunit në Vietnam

Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, ngushëllimet e Papa Françeskut për viktimat e tajfunit të rëndë që goditi Vietnamit, numri i të cilëve është rritur në 226 persona tëvdekur dhe 104 të tjerë të zhdukur, dhe bekimi tij apostolik drejtuar autoriteteve dhe shpëtimtarëve. Tajfuni Yagi - stuhia më e fuqishme e Vietnamit në 30 vjet - ka shkaktuar tmerr në të gjithë veriun e vendit, duke lënë 1.5 milionë njerëz pa energji elektrike

R.SH. / Vatikan

“Thellësisht i pikëlluar nga lajmet për tajfunin e fundit Yagi dhe stuhitë e fuqishme në Vietnam, që shkaktuan humbjen e jetës së shumë banorëve dhe shkatërrime të mëdha. Kështu shprehet Ati i Shenjtë Françesku në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin, në të cilin Papa u shpreh “solidaritetin shpirtëror” të lënduarve dhe atyre që vuajnë pasojat e vazhdueshme të kësaj fatkeqësie.

Duke ia besuar shpirtrat e të ndjerëve "mëshirës" së Zotit, Papa kërkon prej Hyjit bekime, paqe dhe ngushëllime për të gjithë, në veçanti "për autoritetet civile dhe personelin e urgjencës që ofrojnë ndihmë".

Në fakt, në Vietnam puna e shpëtimtarëve nuk ndalet. Në orët e fundit mes baltës dhe rrënojave në zonat e goditura nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet janë gjetur edhe trupa të tjerë pa jetë. Numri i të vdekurve që nga e shtuna e kaluar është rritur në 233, ndërsa 103 persona tjerë janë ende të zhdukur. Të paktën 800 të plagosur. Televizioni kombëtar VTV ka njoftuar se ekipet e shpëtimit gjetën 48 trupa në zonën e Lang Nu, një fshat i vogël në provincën veriore të Lao Cai, i cili u rrëmbye të martën nga uji, balta dhe mbeturinat e maleve përreth.

Unicefi​​tha se përmbytjet kanë dëmtuar rreth 550 objekte shëndetësore, 800 shkolla dhe më shumë se 100,000 shtëpi, duke lënë më shumë se 3 milionë njerëz pa akses në ujë të pijshëm. Tajfuni Yagi - stuhia më e fuqishme e Vietnamit në 30 vjet - ka shkaktuar tmerr në të gjithë veriun e vendit, duke lënë 1.5 milionë njerëz edhe pa energji elektrike. Emergjenca mbetet gjithashtu e lartë edhe në vende tjera të Azisë Juglindore, ku Yagi është zhvendosur: të paktën 36 viktima janë njoftuar në Myanmar, 9 të tjera në Tajlandë, ndërsa përmbytjet e rënda kanë prekur edhe Laosin. Më parë, tajfuni pati kaluar Kinën jugore dhe Filipinet, duke shkaktuar 24 vdekje.

13 shtator 2024, 14:30