Kërko

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin

Lufta në Ukrainë, Parolin: të respektohen të drejtat e njeriut dhe të sigurohet shkëmbimi i të burgosurve

Në një video-konferencë me Komisaren për të Drejtat e Njeriut të Federatës Ruse, Sekretari i Shtetit të Vatikanit e falënderoi për rolin e saj në lirimin e dy meshtarëve ukrainas dhe kujtoi nevojën për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut, të sanksionuara në Konventat Ndërkombëtare. Biseda u përqendrua edhe në ndihmën për ushtarët ukrainas të burgosur në Federatën Ruse dhe në shkëmbimin e robërve të luftës

R.SH. – Vatikan

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, falënderoi autoritetet ruse për lirimin e dy meshtarëve ukrainas, Ivan Levytskyi dhe Bohdan Heleta, rregulltarë të kongregatës së të Shenjtnueshmit Shëlbues, liruar në qershor, si edhe kërkoi sërish respektimin e të drejtave të njeriut dhe shkëmbimin e robërve të luftës, kapur gjatë konfliktit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. E bëri këtë në një video-konferencë me Tatiana Moskalkova, komisare për të drejtat e njeriut në Federatën Ruse. Lajmi u njoftua sot nga Selia e Shenjtë, por biseda u zhvillua më 16 shtator.

"Gjatë bisedës – shkruhet në notë – kardinali, Sekretar i Shtetit, përveç falënderimit të Avokates ruse të Popullit për rolin që luajti në lirimin e dy meshtarëve ukrainas, kujtoi nevojën për të mbrojtur, në kuadrin e konfliktit aktual, të drejtat themelore të njeriut të sanksionuara në Konventat Ndërkombëtare dhe trajtoi disa çështje humanitare. Në veçanti, iu referua ndihmës për ushtarët ukrainas të burgosur në Federatën Ruse dhe shkëmbimit të ndërsjellë të ushtarëve robër në Rusi dhe Ukrainë”.

18 shtator 2024, 13:31