Kard. Semeraro: shembulli i të Lumit të ri Ján Havlík, që i fali persekutuesit
R.SH. / Vatikan
"Burrë i ekuilibruar, i gëzuar, gazmor në shoqëri, i vëmendshëm dhe i gatshëm ndaj nevojave të të tjerëve". Derisa kur u arrestua, duke humbur, në burg, gëzimin e shëndetin. Kardinali Marcelo Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve e përshkruan kështu figurën e seminaristit sllovak Ján Havlík në predikimin e mbajtur dje, në Šaštín, duke kremtuar Meshën me ritin e lumnimit të shërbëtorit të Zotit, në hapësirën përballë Bazilikës kushtuar Zojës me shtatë hanxharë.
Ján, "njeri i shpresë"
I lindur më 12 shkurt 1928, Ján Havlík vdiq papritur më 27 dhjetor 1965, vetëm tre vjet pas lirimit të tij, pasi kishte vuajtur 14 vjet keqtrajtime dhe tortura fizike e psikologjike, marrje të ashpra në pyetje, izolim të gjatë dhe dënim me punë të rënda, duke gjetur me besim, forcën për të duruar gjitha të zezat, tipike për rendin, që sundonte vend e njerëz. Para se të vdiste, i fali persekutorët e tij. "Dashuria e Krishtit është forca që na bën të kapërcejmë dobësinë, energjia që na bën të kapërcejmë frikën, drita që na bën të mposhtim errësirën", theksoi kardinali, i cili e kujtoi Janin si "njeri i shpresës".
"Ishte virtyti i shpresës që e bëri të rritej dhe e mbështeti thirrjen e tij. Një shenjë shprese është zgjedhja për të qenë dishepull i Shën Vincent de Palit, shenjtor që u jepte shpresë të varfërve dhe të vuajturve. Dhe ashtu si Shën Vincenti, Ján "ishte vërtet një rreze dielli për ata që e takuan".
Thuhej për të: "Ai e shprehu thellësinë e tij shpirtërore në mënyrën më intensive të mundshme duke i ndarë vuajtjet me të tjerët.
Persekutim kundër Zotit
Gjatë burgimit, Ján Havlík u takua me priftin salezian Titus Zeman, shpallur i Lum në vitin 2017. “Ishte viktimë e një regjimi që donte ta zhdukte fenë e, në veçanti, Kishën Katolike dhe ata që i shërbenin"- vëren prefekti - duke kujtuar se, sipas dëshmive të mbledhura, në burg Ján "kopjoi natën Humanizmin e Jacques Maritain, duke shkruar me laps e duke bërë edhe kopje për të tjerët", afërsisht 350 faqe. Një punë e lodhshme dhe e rrezikshme. Kardinali Semeraro vëren se në ato faqe ishte përshkrimi i jetës që po e jetonte Ján: "E vërteta - lexojmë - është persekutimi i maskuar; lufta kundër Zotit e shfarosja e fesë, vepër e shkatërrimit shpirtëror, dëshira për të "mbajtur të burgosur fjalën e Zotit", komenton Semeraro.
Model besnikërie për të gjithë
Model besnikërie, pra, Ján Havlík, i cili tani i propozohet jo vetëm Kishës Sllovake, por të gjithë të krishterëve, domethënë" të gjithë atyre që punojnë për dinjitetin njerëzor dhe për lirinë e ndërgjegjes. Këtu qëndron aktualiteti i këtij lumnimi - vijoi Kard. Semeraro - pasi në shumë raste, e madje edhe në kontekste të ndryshme, është i vështirë, ndonjëherë edhe heroik, qëndrimi besnik ndaj Krishtit”.
Kardinali kujtoi në përfundim, premtimin e Jezusit: "Kushdo që humb jetën për mua, do ta shpëtojë", gjë që vërtetohet në jetën e Janit. Fama e martirizimit të tij u përhap shumë shpejt, duke u shtrirë përtej kufijve të kombit e sot, përfundon prefekti i Çështjeve të Shenjtorëve, "Kisha e njohu me fjalët e Papës:
“Ján. Havlík ishte dishepull besnik i Zotit Jezus, të cilit ia dhuroi bujarisht jetën, duke i falur persekutorët'.