Imzot Paglia: “jo” absolute për eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar
R. SH. - Vatikan
Qëndrim absolut kundër vetëvrasjes së asistuar dhe eutanazisë; mbrojtja e të drejtës për jetën, veçanërisht për më të dobëtit; vlerësimi i nevojshëm i trajtimeve joproporcionale; kujdesi më i madh për të sëmurët; bashkëpunimi ndërmjet Kishës dhe politikës për çështjet e fundit të jetës. Imzot Vincenzo Paglia, president i Akademisë Papnore për Jetën, sqaron kështu, disa pika të "Fjalorit të vogël të fundit të jetës", fjalorth 88 faqesh i botuar nga LEV për çështje shumë të rëndësishme nga pikëpamja etike në lidhje me debatin për fundin e jetës: nga eutanazia dhe vetëvrasja e asistuar, tek mjekimi paliativ dhe tek kremacioni a djegia e kufomës.
E botuar në fillim të korrikut, broshura është sërish në qendër të vëmendjes, me që disa gazeta përsëritën pyetjen se cili do të ishte “qëndrimi i Selisë e Shenjtë". Në realitet, shpjegon Imzot Paglia për mediat e Vatikanit, këto janë tregues që i kanë rrënjët në shtatëdhjetë vitet e fundit të mësimeve të Papëve dhe Kishës. Dje, më 8 gusht, Kryeipeshkvi, i pritur në audiencë në Pallatin Apostolik, i dorëzoi Papës Françesku një kopje të "Leksikut".
E intervistuam:
Imzot Paglia, dje takuat Papën dhe i dhuruat "Fjalorin e vogël të fundit të jetës". Çfarë tha për të Françesku, i cili është gjithnjë në mbrojtje të jetës, në çdo fazë të zhvillimit të saj?
Papa Françesku përsëriti vlerësimin e punës, që po kryen Akademia Papnore për Jetën. Natyrisht, çështja e fundit të jetës është komplekse dhe Kisha ka për të një Magjister të pasur, që nga Piu XII më 1957 e deri më sot. Jeta duhet mbrojtur gjatë gjithë ekzistencës, jo vetëm në disa çaste të veçanta. Mbi të gjitha, duhet të mbrohet e drejta e jetës e, në veçanti, jeta e nevojtarëve, për t'iu kundërvënë asaj "kulture së hedhurinës" që fshihet pas pretendimit të vetvlerësimit dhe të autonomisë së grave dhe burrave të sotëm.
Ka nga ata që pohojnë se ky manual është qëndrim i ri nga Selia e Shenjtë lidhur me pezullimin e ushqyerjes dhe hidratimit. A është kështu?
Më kujtohet se Piu XII, në vitin 1956 - siç shkruhet në Leksikon - pohoi ligjshmërinë e pezullimit të ventilimit, nëse do të krijoheshin disa kushte serioze. Ndërsa në vitin 2007 vetë Kongregata për Doktrinën e Fesë, pas një hamendjeje pozitive për përdorimin e tij, pranoi se ai mund të ndërpritet ligjërisht (ose të mos fillojë) kur përfshin "rëndim të tepruar ose shqetësim të madh fizik". Këto dy kritere janë pjesë e përkufizimit të trajtimeve joproporcionale, pra atyre që duhet të pezullohen. Është një vlerësim që kërkon gjithmonë, për aq sa është e mundur, përfshirjen e të sëmurit. Leksiku duhet lexuar në tërësi”.
A ndryshon ndonjë gjë në lidhje me eutanazinë dhe vetëvrasjen e asistuar? Disa gazeta, për Fjalorin e Vogël të Fundit të Jetës kanë deklaruar se refuzimi i këmbëngulja terapeutike ose refuzimi i kokëfortësisë së paarsyeshme në trajtim, maskon opinionin e favorshëm në këtë drejtim...
Kisha përsërit qëndrimin e saj absolut ndaj çdo forme eutanazie dhe vetëvrasjeje të asistuar. E kjo është edhe bindja ime, edhe nëse ndokush do që të them të kundërtën. Por Kisha na fton të reflektojmë se si kokëfortësia e paarsyeshme (kokëfortësi terapeutike) nuk është shprehje e mjekësisë dhe e trajtimeve të përshtatura vërtet dhe në favor të njeriut të sëmurë. Vdekja, fatkeqësisht, është përmasë e jetës. E pashmangshme. Natyrisht, nuk duhet t’i shkurtojmë kurrë ditët e jetës, por as të ngulmojmë në dëshirën për ta penguar rrjedhën e saj. Në asnjë mënyrë! Ne jemi të brishtë. Prej këndej, arsyeja pse duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin. Duhet të punojmë shumë më tepër se zakonisht për t'i shoqëruar njerëzit në fazat e fundit të ekzistencës së tyre, duke e ditur se për ne, besimtarët, vdekja nuk është fjala e fundit!
Në Fjalor kujtohen edhe “ndërmjetësimet legjislative”: cilat konsiderohen të pranueshme?
Nuk ka “ndërmjetësime të pranueshme” apriori. Natyrisht, për çështjet themelore dhe shumë delikate të fundit të jetës, është e dëshirueshme që të arrihet konsensusi më i lartë i mundshëm i përbashkët dhe, për këtë arsye, të merren parasysh ndjeshmëritë e ndryshme dhe besimet fetare në mënyrë të respektueshme. Është detyrë e politikës! Kisha mund të bashkëpunojë, me synimin për të mirën e përbashkët të mbarë shoqërisë. Asaj i përket formimi i ndërgjegjeve, shumë më tepër se krijimi i ligjeve.