Udhëheqja dhe dashamirësia: ndahen çmimet e edicionit të dytë Navarro-Valls
R.SH. - Qytet Vatikan
"Dashamirësi do të thotë të kontribuosh në rritjen e aspektit njerëzor të personit", pohonte Joaquìn Navarro-Valls, zëdhënës historik i Shën Gjon Palit II dhe drejtor i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë nga viti 1984 deri në 2006. Një prirje kjo ndaj të tjerëve e gërshetuar me një pozicion drejtues, tipar i mjekut dhe gazetarit spanjoll, të cilit iu kushtua "Çmimi Ndërkombëtar Joaquìn Navarro-Valls për Lidership dhe Dashamirësi".
Një çmim i organizuar nga Biomedical University Foundation, një organizatë jofitimprurëse që mbështet zhvillimin e Universitetit dhe Fondazione Policlinico Universitario Campus Bio-Medico, të cilin vetë Navarro-Valls, siç kujton presidenti i fondacionit Alessandro Pernigo, ndihmoi për të krijuar në vitin 2015.
Çmimi, tashmë në edicionin e tij të dytë, u nda të hënën më 8 korrik në sallën Protomoteca del Campidoglio në Romë. Çmimi u jepet "personaliteteve me rëndësi të madhe", me qëllim "të promovimit të modeleve që kontribuojnë në përmirësimin e shoqërisë nëpërmjet solidaritetit dhe dashamirësisë për një botë më të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”. Për më tepër, qëllimi i iniciativës është edhe krijimi i dhjetë bursave për studentët më meritorë të Campus-Bio Medico.